1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Vëzhguesit e parlamentit evropian: Zgjedhjet në Kosovë konform standardeve - Parregullsi në dy komuna

Vëzhguesit e zgjedhjeve në Kosovë nga parlamenti evropian e vlerësuan pjesëmarrjen e lartë të qytetarëve të Kosovës, ndërsa u shprehen të zhgënjyer me refuzimin e zgjedhjeve nga ana e serbëve të Kosovës veriore

default

Vëzhguesit e parlamentit evropian të zgjedhjeve në Kosovë vlerësuan se në përgjithësi zgjedhjet parlamentare të 12 dhjetorit u zhvilluan në një atmosferë të qetë dhe demokratike dhe e vlerësuan lart pjesëmarjen e qytetarëve në zgjedhje. Pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhje sipas KQZ-ve ishte 47.8 përqind.

Parregullsi në dy komuna

Kosovo Wahlen Dezember Wahl 2010

Kryetari i PDK Hashim Thaci, me bashkëshorten

Mirëpo vëzhguesit e parlamentit evropian thanë se në dy komuna të Kosovës, në Skederaj dhe Drenas, që janë bastione të njohura të PDK-së, ka pasur parregullsi në procesin e votimit. “Neve na është thënë se ka akuza serioze për mashtime në dy komuna të Kosovës. Delegacioni i parlamentit evropian inkurajon partitë politike, që të vazhdojnë me procedurat legale, të identifikojnë personat, që kanë bërë mashtrime dhe kjo të procedohet sipas ligjit”, tha eurodeputetja Doris Pack. Ajo tha se partitë politike duhet të ushtrojnë të drejtën e tyre për të apeluar për parregullsitë e evidentuara në komisionin për ankesa dhe parashtresa.

Inkurajuese pjesëmarrja e një pjese të serbëve

Kosovo Wahlen Dezember Wahl 2010

Serbe e Gracanicës duke votuar

Vëzhguesit e Parlamentit Evropian thanë se është inkurajuese pjesëmarrja e një pjese të serbëve në zgjedhje, ndërsa u shprehen të zhgënjyer me refuzimin e zgjedhjeve nga ana e serbëve të veriut të Kosovës.

“Anëtarët e delegacionit e vlerësojnë rritjen e pjesmarrjes së serbëve në zgjedhje dhe kjo është një shenjë për agazhimin e tyre në institucinet kosovare. Mirëpo delegacioni vlerëson se serbët e Kosovës veriore humbën shansin e tyre për të ushtruar të drejtën e tyre demokratike të votës”, tha Doris Pack.

PDK kryeson

Delegacioni i parlamentit evropian pret nga klasa politike kosovare sa më shpejt të krijojë institucionet e reja, të formojë paramentin, qeverinë dhe të zgjedhë presidentin. KQZ akoma është duke numëruar votat dhe gjatë mbrëmjes së sotme thuhet se do të ketë edhe rezultatet paraprake të zgjedhjeve të 12 dhjetorit. Rrjeti i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim, që monitoroi zgjedhjet, doli me rezultatet e para nga 50 përqind të votave të numëruara dhe ajo nxjerr fituese PDK-në, e udhëhequr nga Hashim Thaçi, e pasuar nga LDK, udhëhequr nga kryebashkiaku Isa Mustafa. Mirëpo kjo organizatë tha se ka ndërprerë procesin e numërimit të votave për shkak të parregullsive, që janë regjistruar në dy komuna të Kosovës, në Skenderaj dhe Drenas.

ENEMO: Zgjedhjet në përgjithësi të rregullta

Kosovo Wahlen Dezember Wahl 2010

Kryetari i LDK, Isa Mustafa, duke votuar në Prishtinë, 12 dhjetor 2010

Rrjeti i organizatave evropiane, ENEMO, që vëzhgoi zgjedhjet parlamentare në Kosovë, tha se procesi i votimit ka qenë i qetë dhe paqësor, ndonëse janë vërejtur disa raste të parregullsive dhe shkeljes së procedurave. Një ndër vërejtjet kryesore, që ka kjo organizatë, janë vazhdimi i mosrespektimit të fshehtësisë së votës, siç demonstrohet nga shumë raste të votimit familjar. Vërejtje janë shënuar në raportin e kësaj organizate edhe për procesin e votimit në veri të Kosovës. "Në veri të Kosovës kompleksiteti i vazhdueshëm i gjendjes politike ka rezultuar me klimë të tensionuar politike, ku ata, që kanë dashur të votojnë, kanë qenë shumë të kufizuar në qasjen ndaj vendeve të votimit", thotë Zllatko Vujiqiq, udhëheqës i ENEMO-os. Sipas kësaj organizate, janë regjistruar pretendime për manipulim të votimit dhe të procesit të numërimit në disa komuna të Kosovë. Misioni ENEMO i nxit të gjitha palët e përfshira, që lidhen me procesin e zgjedhjeve, që t’i trajtojnë ato përmes mjeteve ligjore dhe t’i respektojnë vendimet e  panelit zgjedhor për ankesa dhe parashtresa.

Sidoqoftë deri tash janë LDK, AAK dhe Vetvendosja, parti këto, që kontestojnë pjesëmarrjen e lartë të votuesve në dy komuna në Skenderaj dhe në Drenas, ku pretendohet se ka pasur manipulime të votave.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Angjelina Verbica

DW.COM

  • Data 13.12.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/QWtm
  • Data 13.12.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/QWtm