1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Vëzhguesit e parë të OKB-së arrijnë në Damask

Pas fillimit të misionit të Kombeve të Bashkuara në Siri, Ban Ki Moon kërkoi nga udhëheqja siriane që të përmbahet në konfliktin me opozitën. Në Damask arritën anëtarë e misionit vëzhgues të OKB-së

Armëpushim në Kafar Nobbol. Protesta kundër luftës

Armëpushim në Kafar Nobbol. Protesta kundër luftës

Qeveria dhe opozita e armatosur e hedhin fajin tek njëra-tjetra për luftimet që shpërthejnë sërish në Siri. Që prej fillimit zyrtar të armëpushimit para katër ditësh thuhet të jenë vrarë në mes 30 dhe 40 njerëz. Sido që të jetë dukshëm më pak se një ditë para hyrjes në fuqi të planit gjashtë-pikësh të propozuar nga Kofi Annan, ndërmjetësit të OKB-së për Sirinë.

Regjimi i Assadit akuzon rebelët se kanë intesifikuar sulmet e tyre ndaj forcave të armatosura dhe civilëve. Opozita informon se qytetet Idlib dhe Homs, bastione të kryengritjes ndodhen nën breshërinë e zjarrit të trupave qeveritare.

Mbërrijnë në Siri vëzhguesit e OKB-së

Mbërrijnë në Siri vëzhguesit e OKB-së

Helmetkaltërit e parë fillojnë punën në Siri

Ndërkohë një ekip i parë i paqeruajtësve helmetkaltër të OKB-së ka fluturuar përmes Jordanisë dhe ka filluar punën në Damask. Nën udhëheqjen e një gjenerali maroken ai duhet të krijojë kushtet për një ekip më të madh të vëzhguesve. Ata do të vijnë nga misionet ekzistuese të OKB-së në Afrikë dhe Lindjen e Mesme, kështu që me vete do të sjellin përvojën e duhur. Megjithatë, aktualisht ekzsiton vetëm një mandat për 30 vëzhgues. Drita jeshile për të paktën 250 paqeruajtës të tjerë pritet të jepet gjatë javës nga KS i OKB-së. Zëdhënësi i Annanit Ahmad Fawzi shprehet optimist. "Shumë thonë: çfarë mund të bëjnë gjashtë njerëz? Unë besoj se edhe disa helmetkaltër mund të ndikojnë në uljen e tensioneve."

Më pak optimist shprehet shefi i OKB-së Ban Ki-Moon. Atë e shqetëson shpërthimi i sërishëm i dhunës në Siri. Mediet shtetërore të Sirisë citojnë një këshilltare të Assadit se forcat e sigurisë do t'i parandalojnë edhe më tej aktet kriminale të grupeve terroriste (kështu e quan regjimi opozitën). Ngjashëm ishte shprehur më parë edhe ambasadori i Sirisë në OKB, Jafari.

Problem mbetet siguria e vëzhguesëve të OKB-së

Në të njëjtën kohë regjimi sirian paralajmëron se mund të garantojë për sigurinë e vëzhguesve të OKB-së vetëm nëse në planet e tyre do të jetë e përfshirë dhe pjesëmarrëse edhe vetë qeveria. Por kjo bie në kundërshtim me pikëpamjet e Annanit. Ai dëshiron që vëzhguesit e tij të lëvizin lirshëm dhe të kenë bisedime të pakufizuara me të gjithë sirianët që duan një gjë të tillë.

Sipas rezolutës së Kombeve të Bashkuara të arritur me votat e aleatëve të Sirisë, Rusisë dhe Kinës siguria dhe liria e lëvizjes për vëzhguesit duhet të garantohet si nga qeveria, ashtu dhe nga opozita. Por nga këto, misioni është ende larg si dhe nga puna efektive në terren.

Autor: Ulrich Leidholdt / Esat Ahmeti

Redaktoi: Auron Dodi