1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Vëzhguesit e BE-së i vlerësojnë pozitivisht zgjedhjet lokale në Kosovë

Vëzhguesit e Bashkimit Evropian për monitorimin e zgjedhjeve lokale konstatuan se suksesi i zgjedhjeve lokale në Kosovë shënon një hap të rëndësishëm në zbatimin e Marrëveshjes së 19 prillit.

Misioni i Bashkimit Evropian për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale në Kosovë e vlerësoi me notë pozitive procesin e votimit në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale. Në raportin preliminar të publikuar me 03.12, thuhet se “Në përgjithësi, integriteti i votës është mbrojtur mjaftueshëm, por kishte edhe raportime të fotografimit të fletëvotimit dhe raste të votimit familjar”.

Kosova shënon përparim të mëtejshëm në rrugën e saj demokratike

“Jam i kënaqur që shoh se trendi pozitiv i vërejtur në zgjedhjet e 3 nëntorit është konfirmuar edhe në këtë raund të dytë të zgjedhjeve. Njerëzit patën mundësi të votojnë lirshëm dhe pa pengesa. Me këto zgjedhje, Kosova po shënon përparim të mëtejshëm në rrugën e saj demokratike. Shpresoj që këto zhvillime inkurajuese që i kemi vërejtur gjatë këtyre zgjedhjeve do të vazhdojnë deri në fund të procesit dhe se ato do të vënë themelet e forta të zhvillimit të ardhshëm demokratik të Kosovës”, thotë Roberto Gualtieri, Shef i Misionit të vëzhguesve të BE-së.

Vëzhguesit e BE-së, gjithashtu kanë identifikuar disa elemente të procesit të zgjedhjeve të cilave sipas tyre duhet t'u kushtohet vëmendje më e madhe nga institucionet e Kosovës në të ardhmen.

Roberto Gualtieri

Roberto Gualtieri

“Më shumë se gjysma e fletëvotimeve të dërguara përmes votimit jashtë Kosovës për zgjedhjet e 3 nëntorit janë shpallur të papranueshme nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për shkak se nuk kishin kopje të një dokumenti të vlefshëm identifikues. Procesi i numërimit të rezultateve të raundit të parë ishte i gjatë dhe kompleks dhe informatat në dispozicion në lidhje me saktësinë e materialeve zgjedhore dhe rezultateve të numëruara ishin të kufizuara. Në një masë kjo ka ulur transparencën e procesit”, thotë Roberto Gualtieri.

Megjithatë sipas tij, suksesi i zgjedhjeve lokale në Kosovë, shënon një hap të rëndësishëm në zbatimin e Marrëveshjes së 19 prillit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”.

Në Bruksel, Prishtina dhe Beogradi diskutojnë për asociacionin e komunave serbe

Prishtina dhe Beogradi do të vazhdojnë takimet për zbatimin e marrëveshjes së 19 prillit e nënshkruar nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Serbisë, Ivica Daqic. Me datën 05.12, të dy kryeministrat do të takohen në Bruksel me ndërmjetësuesen e dialogut, shefen e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton. Mirëpo, sot (03.12) në Bruksel një delegacion e qeverisë së Kosovës dhe një i qeverisë së Serbisë, po diskutojnë për të ardhmen e Asociacionit të Komunave Serbe. Nga rezultatet e zgjedhjeve lokale, 10 komuna do të udhëhiqen nga përfaqësuesit e serbëve dhe në bazë të marrëveshjes së 19 prillit Kosovë-Serbi, këto komuna do ta formojnë asocionin e tyre. Tash për tash, akoma mbetet e paqartë nëse ky asociacion do të ketë kompetenca ekzekutive, apo jo. Zyrtarë të qeverisë në Beograd, thonë se ky asociacion do të ketë kompetenca ekzekutive, mirëpo, këto deklarata hidhen poshtë nga zyrtarë të qeverisë në Prishtinë.