1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Vëzhgues të OSBE në Ukrainë ndalohen nga separatistë pro-rusë

Një grup vëzhguesish të OSBE janë ndaluar nga separatistë pro-rusë në lindje të Ukrainës, të cilët i akuzojnë për spiunazh. Ndërkaq Perëndimi kërcënon Moskën me sanksione të reja.

Të premten në mbrëmje (25.04.) ministrja gjermane e Mbrojtjes Ursula von der Leyen konfirmoi lajmin e dhënë më parë nga Ministria e Brendshme ukrainase për ndalimin e një numri vëzhguesish të OSBE-së nga separatistë pro-rusë në qyetin Slavjansk lindje të Ukraniës. Ndër inspektorët e ndaluar janë edhe katër gjermanë, tre pjesëtarë të Bundeswehr-it dhe një përkthyes. Hollësi të mëtejshme ministrja nuk dha.

Sipas informacioneve nga qeveria në Kiev, në Slavjansk separatistë pro-rusë rreth mesditës kanë ndaluar një autobus me vëzhgues të OSBE-së dhe ushtarë ukrainas. Qyteti prej ditësh kontrollohet nga milicë pro-rusë. Të premten (25.04.) Kievi njoftoi se do të rrethojë Slavjanskin për të penguar hyrjen në qytet të grupeve të tjera pro-ruse.

"Tani është e rëndësishme që të përdorim të gjitha kanalet diplomatike në mënyrë që ekipi të lirohet pa vonesë dhe i pacënuar", deklaroi ministrja von der Leyen. Aktualisht po mblidhen ende informacione, tha ajo. Ministria e Jashtme gjermane ka ngritur një shtab krize. Sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes krahas gjermanëve në grupin e inspektorëve të ndaluar nga separatistët bëjnë pjesë respektivisht nga një vëzhgues ushtarak nga Cekia, Polonia, Suedia dhe Danimarka. Gjermania drejton misionin vëzhgues ushtarak të OSBE-së. Ky mision nuk ka të bëjë me misionin e vëzhguesve diplomatikë të OSBE, i cili zhvillohet paralelisht.

Drejtuesi lokal i separatistëve Vjaçeslav Ponomarjov refuzoi të premten në mbrëmje (25.04.) lirimin e menjëhershëm. Sipas tij grupi dyshohet për spiunazh pasi kanë pasur me vete harta të rrugëve dhe të barrikadave në rrugë. "Ne do t'i pyesim dhe më pas do të vendosim se çfarë do të bëjmë me ta", citohet të ketë thënë Ponomarjov.

Perëndimi diskution për sanksione të reja kundër Rusisë

Merkel dhe Tusk në konferencë shtypi. Berlin, 25.04.2014

Merkel dhe Tusk në konferencë shtypi. Berlin, 25.04.2014

Për shkak të mungesës së bashkëpunimit nga ana e Rusisë në zgjidhjen e krizës në Ukrainë, Perëndimi e ka kërcënuar Moskën me sanksione të reja. Në një konferencë telefonike të premten (25.04.) kryetarët e shteteve dhe qeverive të SHBA, Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe dhe Italisë, kanë diskutuar për masa të tjera ndëshkuese.

Presidenti i SHBA Barack Obama, Kancelarja gjermane Angela Merkel, Presidenti i Francës François Hollande, kryeministri britanik David Cameron dhe kryeministri i Italisë Matteo Renzi, në një konferencë telefonike diskutuan për mundësinë e "vendosjes së sanksioneve të reja të bashkësisë ndërkombëtare ndaj Rusisë", bëri të ditur zyra presidenciale franceze. Ajo i bëri thirrje Moskës të heqë dorë nga "deklaratat provokative apo manovrat e frikësimit".

Kancelarja gjermane Angela Merkel, në një konferencë shtypi të përbashkët me kryeministrin polak Donald Tusk në Berlin (25.04.), njoftoi se ministrat e jashtëm të BE-së do të takohen "sa më shpejt" për konsultime rreth sanksioneve të reja. Veç kësaj ajo i ka bërë të qartë në një telefonatë Presidentit rus Vladimir Putin se "nuk sheh përkrahje ruse për procesin e Gjenevës". Tusk nga ana e tij theksoi se BE duhet të jetë e gatshme të "mbrojë fort" vlerat e veta.

Frank-Walter Steinmeier

Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier

Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier, gjatë një vizite në Tunizi, bëri thirrje për "zbutje diplomatike të konfliktit". Rusia dhe Ukraina duhet "të rikthehen në terrenin e marrëveshjes së Gjenevës" dhe t'i "japin një shans" zbatimit të saj në praktikë. Në mbrëmje në Paris ai deklaroi: "Gjakderdhja nuk duhet të vazhdojë dhe theksoj se kjo marrëzi duhet të marrë fund sa më shpejt." Tani "të gjitha palët dihet t'i rikthehen rrugës së arsyes".

Në 17 prill Ukranina dhe Rusia ranë dakord në Gjenevë me ndërmjetësimin e BE dhe SHBA për të çarmatosur të gjitha grupet ilegale në Ukrainë dhe liruar të gjitha ndërtesat e pushtuara. Marrëveshja vlen si për paramilitarët pro-evropianë ashtu edhe për milicët pro-rusë në lindje të Ukrainës. Por deri tani të dy palët refuzojnë të zbatojnë marrëveshjet e arritura. Moska dhe Uashingtoni akuzojnë njëri-tjetrin se nuk bëjnë sa duhet për respektimin e marrëveshjes së Gjenevës.

Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov e akuzoi Perëndimin se kërkon të "gllabërojë" Ukrainën. Ai u ankua në të njëjtën kohë se "propaganda e SHBA" përpiqet të "hedhë baltë" mbi Rusinë dhe protestat pro-ruse.