1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Vështirësitë mbeten - situata e doganave në veriun e Kosovës

EULEX-i po merr kontrollin në dy pikat kufitare të Kosovës veriore me Serbinë, Portën 1 e 31, që u dogjën nga serbët pas shpalljes së pavarësisë. Doganierë të EULEX-it aktualisht regjistrojnë mallrat që hyjnë në Kosovë.

default

EULEX-i përpiqet të marrë kontrollin në dy pikat kufitare të Kosovës veriore me Serbinë

Në dy pikat doganore, të quajtura porta 1 dhe ajo 31 në veriun e Kosovës bëhet qarkullimi më i madh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si në mallra ashtu edhe në njerëz. Doganat veriore të Kosovës me Serbinë ende nuk funksionojnë, megjithëse ka kaluar një vit nga shpallja e pavarësisë. Këto dy pika doganore u dogjën nga serbët një vit më parë, në një kohë kur ishte e pamundur prezenca e doganierëve kosovarë dhe e atyre ndërkombëtarë, për shkaqe sigurie.

Stavileci: Situata është mbajtur nën kontroll

Dy javë më parë, misioni i BE-së EULEX, arriti të vendosë disa doganierë ndërkombëtarë në këto dy pika doganore, por funksioni i tyre është vetëm regjistrimi i mallrave dhe jo edhe zhdoganimi i tyre. Adriatik Stavileci, zëdhënës i doganave të Kosovës thotë se janë ngritur pika mobile doganimi në pamundësi të asaj që doganierët kosovarë të punojnë në dy pikat doganore me Serbinë. Sipas tij, deri diku është arritur që situata të mbahet nën kontroll.

Unruhen in Mitrovica im Kosovo

Serbët në veriun e Kosovës, nuk pajtohen me rivënien në funksionim të pikave doganore

Stavileci: "Siç e dini prej momentit që kur dogana e Kosovës e ka humbur kontrollin në dy pikat doganore me Serbinë, ne nuk ushtrojmë funksionin tonë dhe për këtë arsye ne kemi vendosur kontrollet mobile të doganiereve më në brendësi të territorit të Kosovës që të mund të kontrollojmë dhe zhdoganojmë mallrat që hyjnë nga Serbia. Ne kemi qenë efektiv, por vihet re një përmirësim më i madh i situatës qëkur janë vendosur edhe doganierët e EULEX-it në këto dy pika."

Rritja e kontrabandës në veriun e Kosovës

Mosfunksionimi i pikave doganore veriore me Serbinë, sipas ekspertëve të ekonomisë, buxhetit të Kosovës i ka kushtuar një humbje me disa milionë euro. Kjo për faktin që në këtë pjesë është zhvilluar kontrabandë e madhe me mallra. Zëdhënësi i doganave, Adriatik Stavileci, nuk e pranon tërësisht faktin e kontrabandës, sepse sipas tij, megjithë kontrabandën e zhvilluar në veri të Kosovës, doganat e vendit kanë arritur të grumbullojnë hyrje të një shume afërsisht të njëjtë me atë të viteve të shkuara.

Stavileci: "Ne flasim me gjuhën e statistikave. Në vitin 2007 dogana ka mbledhur gjithsej, 570 milion euro ndërsa, në vitin 2008, kemi mbledhur mbi 604 milionë euro. Pra, vetëm nëse u referohemi këtyre statistikave mund të konkludojmë se humbjet eventuale janë arritur të mbahen nën kontroll."

Kontroversat serbe e kosovare

Serbët e Kosovës, nuk pajtohen me rivënien në funksionim të pikave doganore. Protestat e tyre vazhdojnë. Dy protesta të tilla u mbajtën gjatë dhjetë ditëve të shkuara, por ato kaluan pa incidente. Zëdhënësi i policisë në rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, thotë se policët kosovarë tashmë janë vendosur në këto dy pika doganore, mirëpo me një numër të kufizuar. Hoti: "Policia e Kosovës në këto dy pika kufitare është duke asistuar policët dhe doganierët e EULEX-it në bazë të ligjit edhe në bazë të procedurave të policisë."

Hauptquartier der UNMIK, United Nation Mission in Kosovo, in Pristina

UNMIK-ut, nuk po arrin të bindë palën kosovare të ulet në një tavolinë me Serbinë dhe të diskutojë çështjen e doganave veriore

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës dhe ata të pranisë së BE-së janë të bindur se shumë shpejt doganierët kosovarë do të vendosen në kufirin me Serbinë. Vështirësia tjetër që duhet kaluar është fillimi i bisedave teknike. Administrata e UNMIK-ut, nuk po arrin të bindë palën kosovare që të ulet në një tavolinë me Serbinë dhe të diskutojë çështjen e doganave veriore. Kjo çështje është përfshirë në planin gjashtë pikësh të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon. Por ai hidhet poshtë nga Prishtina zyrtare, e cila e UNMIK-un e cilëson si pjesë të së kaluarës së Kosovës.

  • Data 11.02.2009
  • Autor Bekim Shehu
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GroZ
  • Data 11.02.2009
  • Autor Bekim Shehu
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GroZ