1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Vërtet nuk ishte një tren i bukur për Vuçiçin

Analisti Michael Martens në gazetën gjermane "Frankfurter Allgemeine Zeitung" mbi zhvillimet në veriun e Kosovës pas incidentit në fundjavë.

Drama e një treni. Analisti Michael Martens në "Frankfurter Allgemeine Zeitung" mbi zhvillimet në veriun e Kosovës pas incidentit në fundjavë. "Disa trena e arrijnë qëllimin e tyre, edhe nëse nuk mbërrijnë në destinacion." Kështu shkruan analisti gjerman, Michael Martens lidhur me trenin e shumëpërfolur që u nis nga Beogradi për të shkuar në Mitrovicë dhe rriti tensionet në rajon. "Treni duhej të shkonte në një qytet të ndarë. Mitrovicën e gjen në dy variante, atë shqiptar dhe serb."

Nuk ishte një tren i zakontë, ai që duhej të mbërrinte, shkruan analisti Martens. I pikturuar me ngjyrat e flamurit serb, me pamje të manastireve serbe, shihej  në vagonë parulla, "Kosova është Serbi". Reagimet e politikanëve serbë analizohen nga "Frankfurter Allgemeine Zeitung". Për presidentin serb, Nikoliç thuhet, se në Serbi ka vetëm një politikan që e merr atë seriozisht, vetëm Nikoliçi vetveten. Por në konflikt u përzie edhe kryeministri serb, Aleksander Vuçiç, i cili e ndaloi trenin, por tha se "ky ishte paralajmërimi im i fundit për shqiptarët".

"Në të vërtetë sundimi i Vuçiçi funksionon ndryshe. Ashtu si Mitrovica, që e gjen në dy variante, edhe Vuçiçin e gjen në dy profile: Një herë si variant eksporti për jashtë vendit, ky kryeministri paraqitet si pragmatik, që edhe mund të jetë. Por kemi edhe një Vuçiç brenda vendit, i cili vlerat e larta të popullaritetit i ka ...edhe falë inskenimit të politikës së brendshme si një operetë nacionaliste. Serbia mbahet vazhdimisht në një gjendje të jashtëzakonshme emocionale. Edhe drama serbo-kosovare e trenit përshtatej në mënyrë të shkëlqyer për të mos e këputur harkun e tensionit.

"Frankfurter Allgemeine Zeitung" përfundon analizën e saj duke theksuar se një lidhje treni nga Serbia në Kosovë nuk është edhe aq historike, si u tha, sepse një lidhje e tillë ekziston prej kohësh, pa u vënë re nga policia kosovare. "Sigurisht me vagonë që nuk janë veshur me politikën e jashtme serbe...e gjitha nuk ishte një tren i bukur i i Vuçiçit."