1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Vërshimi paqësor i qytetarëve të RDGJ në qendrën e Stasi-t 25 vjet më parë

Ishte një triumf historik i kurajos civile, kur para 25 vjetësh në mënyrë paqësore qytetarët vërshuan në qendrën e policisë sekrete të RDGJ-së. Pikërisht në ditën përkujtimore, hapet edhe një mediatekë të re.

Roland Jahn edhe sot e kësaj dite i mbushen sytë me lot, kur kujton 15 janarin e vitit 1990. Asokohe qytetarë të guximshëm të RDGJ (Republika Demokratike e Gjermanisë) vërshuan në qendrën e Ministrisë për Sigurimin e Shtetit në Berlin. I ngarkuari sot për Autoritetin e Dokumentave të Stasi-t asokohe ishte pjesëmarrës në këtë lëvizje, ndonëse prej kohësh nuk ishte më shtetas i RDGJ-së. Kjo për arsye, se Jahn me prejardhje nga Jena qysh në vitin 1983 i ishte hequr kundër vullnetit të tij nënshtetësia, pasi ishte dënuar me burgim nën akuzën "nënçmim ndaj shtetit". Asokohe 30 vjeçari ndër të tjera kishte shprehur hapur simpatinë për sindikatën polake "Solodarnost".

Ka qenë një ditë "emocionuese", thotë 25 vjet më pas aktivisti i të drejtavetë njeriut. Veçanërisht atij i ka mbetur në kujtesë "ndjenja e çlirimit" që vërente në fytyrat e njërezve, që kishin vërshuar atë ditë në këtë territor". Se kush e ka hapur në fund portën kryesore të policisë sekrete të diktaturës gjermano-lindore, për këtë historianët vazhdojnë të debatojnë edhe sot, thotë Jahn në intervistë për DW. Por vendimtare për të është diçka tjetër: depërtimi në qendrën e Stasi-t ishte baza, që "ne sot mund t'i përdorim dosjet".

Bundesbeauftragte der Stasi-Unterlagenbehörde Roland Jahn

Roland Jahn, i ngarkuari i qeverisë federale për Autoritetin e Dokumentave të Stasi-t

Politkikanë gjermano-perëndimorë paralajmëronin nga hapja e dosjeve

Me vërshimin e guximshëm dhe jo pa rreziqe të territorit të gjerë aktivistët e të drejtave të njeriut penguan zhdukjen e raporteve të mbledhura për dekada nga spiunët e këtij shërbimi. Në kohën që populli i indinjuar arriti të hyjë në këtë territor, punonjësit e Stasi-t kishin kohë që kishin filluar të asgjësonin materialin me prova rënduese. Pra disa dokumenta kanë humbur, por pjesa më e madhe u shpëtua. Në valën e procesit të ribashkimit të Gjermanisë kishte politikanë perëndimorë, të cilët do të kishin preferuar, që trashëgimia e shëbrimit të fshehtë të RDGJ-së të mbetej e mbyllur përgjithmonë. Jahn për këtë madje ka një farë mirëkuptimi. Tek e fundit në të bëhet fjalë për "informacione të mbledhura në kundërshtim me të drejtat e njeriut", të cilat nuk mund të hapen ashtu thjeshtë.

Me ndihmën e ligjit për dosjet e Stasi-t në vitin 1991 është bërë e mundur, që të gjendet një ekuilibër i mirë mes hapjes së dosjeve dhe të drejtave të personalitetit. Mbrojtja e viktimave ka në këtë kontekst prioritet absolut. Ndërsa spiunët e Stasi-t duhet të llogarisnin me demaskimin. Ndonëse koha për zbulime spektakolare ka kaluar tashmë prej vitesh. Një çerek shekulli pas ngjarjes historike shefi i këtij autoriteti Jahn nxjerr një bilanc pozitiv. Nëse dosjet nuk do të ishin hapur, "helmi i Stasi-t do të vazhdonte të jepte efekt". Një polici sekrete konsiderohet e asgjësuar, kur "veprimet e saj bëhen publike".

Presidenti Gauck ishte i pari që zbardhi Stasi-n

Roland Jahn është i treti i ngarkuar për autoritetin e dokumentave të Stas-it që është zgjedhur nga parlamenti. Paraardhësit e tij kanë qenë gjithashtu aktivistë të lëvizjes së RDGJ-së për të drejtat e njeriut: politikania ekologjiste Marianne Birthler dhe presidenti i Gjermanisë sot Joachim Gauck. Pas zgjedhjes në vitin 2011 tërësisht në frymën e paraardhësve të vet Jahn deklaroi, se ish-qendrën e Stasi-t do ta kthejë në një "korpus të demokracisë". "Sa më mirë ta kuptojmë diktaturën, aq më mirë mund ta konceptojmë demokracinë", është parimi i tij. E ai këtë e provon më së miri përmes ekspozitës së përhershme të hapur enkas në ditën e jubileut të kësaj ngjarjeje.

Schreibtisch von Stasi-Chef Erich Mielke mit multimedialem Info-Bildschirm EINSCHRÄNKUNG

Dhoma e punës së Erich Mielke, shefi i Stasi-t 1957-1999

Origjinale dhe multimediale është konceptuar ekspozita e hapur në "Haus 1" (godina 1). Aty mund të hysh në dhomën e punës që ka pasur në vitet 1957 deri në 1999 shefi i Stasi-t Erich Mielke. Jeta e tij, sundimi i tij i tmerrit bëhet i qartë përmes teksteve, fotografive dhe audiove. Ministrja e shtetit për Kulturën, kristiandemokratja Monika Grütters, theksoi në ceremoninë e inagurimit të rihapjes së qendrës së Stasi-t në rrugën e Berlinit Normannenstraße se kjo ekspozitë "demaskon si pak vende të tjera shtetin autoritar të RDGJ-së". Vërshimi në qendrën e Ministrisë për Sigurimin e Shtetit para 25 vjetësh është një shembull i paharruar i kurajos civile të shumë qytetarëve dhe qytetareve në RDGJ, "të cilët me këmbënguljen e tyre për liri e demokraci u treguan vendin sundimtarëve të partisë së bashkuar socialiste, SED".

Ofertë e re: mediateka multimediale për Stasi-n

Ekspozita plotësohet në muzeun e Stasi-t, ku prej pak ditësh është hapur mediateka Stasi. Kush do të informohet online mbi mënyrën perfide të punës së policisë sekrete, gjen atje një sërë shembujsh. Mposhtja e kryengritjes popullore më 17 qershor 1953 është po ashtu e ekspozuar si edhe lufta sistematike ndaj së ashtuquajturës arratisje nga republika. Por ka edhe dokumenta për prezantimin e muzikantit perëndimor të rock-ut Udo Lindenberg, i cili në vitin 1983 u lejua të japë koncert në "Pallatin e Republikës", që sot është shembur.