1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Václav Havel nderohet me Çmimin Ndërkombëtar të Demokracisë 'Bonn'

Ish- presidenti çek Václav Havel, u nderua të premten (24.04.) me Çmimin Ndërkombëtar të Demokracisë Bon. Ministri i jashtëm gjerman Steinmeier, e quajti Havelin personalitet të madh të lëvizjes demokratike evropiane.

Ish- presidenti çek Václav Havel.

Ish- presidenti çek Václav Havel, u nderua të premten (24.04.) me Çmimin Ndërkombëtar të Demokracisë Bon.

Në një ceremoni të organizuar me këtë rast në Muzeun 'Koenig' në Bon, çmimi në formën e një skulpture qelqi dhe të shoqëruar nga 10 000 euro, iu dorëzua ish-presidenit Havel, nga kryetari i Shoqatës me të njëjtin emër (Çmimi Ndërkombëtar i Demokracisë - Bon), drejtori i përgjithshëm i Deutsche Welles, Erik Bettermann.

Në praninë e rreth 200 mysafirëve nga skena politike, kulturore, ekonomike dhe mediale fjalën e nderimit për laureatin e mbajti ministri i jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier. I pranishëm në solemnitet ishte edhe ministri i jashtëm çek dhe njëkohësisht kryetar i radhës së Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian, Karel Schwarzenberg.

"Ky çmim nderon misionin kurajoz të Havelit për demokraci, liri dhe paqe në vendin e tij, si dhe në raport me Gjermaninë dhe Evropën", e arsyetoi Bettermann-i vendimin e jurisë. "Shkrimtari, kryengritësi paqësor dhe politikani Václav Havel ka përjetuar histori dhe ka bërë histori. Ai ka luftuar për idealet liridashëse, për demokracinë dhe të drejtat e njeriut, dhe për këtë ka qëndruar vite të tëra në burg. Lufta e tij kundër komunizmit e ka kthyer atë në 'figurë simbol të demokracisë' . Si kryetar ai është angazhuar për pajtimin gjermano-çek," tha Erik Bettermann.

Ndërkaq Václav Havel, në fjalimin e tij falendërues theksoi: "Gjatë jetës sime kam qenë disa herë në situata ku kam kontribuar papritur në krijimin e një tradite të re. Unë kam qenë presidenti i parë i zgjedhur në vendin tim, pas rënies së perdes së hekurt. Presidenti i parë, i cili nuk u rrëzua por që qëndroi në post deri në fund të mandatit të tij. Unë jam po ashtu, i pari i cili krijoi në Republikën Çeke krijoi një traditë për ish-presidentët. Unë e vlerësoj shumë nderimin me Çmimin e parë Ndërkombëtar të Demokracisë Bon."


Ndërsa ministri i jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier, në fjalën e nderimit për laureatin tha, se Václav Havel-i është një personalitet i madh i Lëvizjes Demokratike Evropiane. "Pa të do të ishin të paparamendueshme nisjet paqësore në Evropën e Mesme dhe Lindore. Ai është në të vërtetë një laureat i denjë," nënvizoi shefi i diplomacisë gjermane.

Për veprën e Havel-it foli edhe ministri i dikurshëm i jashtëm gjerman, Hans-Dietrich Genscher. Ndër të tjera ai theksoi se:"Václav Havel-i është një evropian i madh, i cili paraqet në mënyrë të pashoqe identitetin kulturor dhe shpirtëror evropian."

Bärbel Dieckmann, kryetarja e bashkisë së qytetit të Bonit kujtoi të pranishmit se 60 vjet më parë në këtë qytet është miratuar kushtetuta e Republikës Federale të Gjermanisë dhe po në këtë qytet janë hedhur bazat për pajtimin mes të Lindjes dhe Perëndimit, për ribashkimin e Gjermanisë dhe për rritjen e përgjegjësisë së vendit në botë: "Emri i Bonit është i lidhur ngushtë dhe i pandarë, me zhvillimin e demokracisë dhe lirisë në Republikën Federale të Gjermanisë".

Me zgjedhjen e muzeut Koenig për ndarjen e këtij çmimi 'Shoqata Çmimi Ndërkombëtar i Demokracisë Bon' kujton punën e Këshillit Parlamentar, i cili në vitin 1948 pati filluar në këtë vend këshillimet për kushtetutën e ardhshme gjermane. Çmimi jepet këtë vit për herë të parë.

Autor: Esat Ahmeti

Redaktoi: Aida Cama



  • Data 24.04.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HdpA
  • Data 24.04.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HdpA