1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Ushtrisë i duhet ombudsmani - Përvoja gjermane e vlefshme edhe për vende të tjera

Ombudsmani i ushtrisë gjermane, Reinhold Robbe, kërkon më shumë bashkëpunim me homologët e tij ndërkombëtarë, prandaj i ka thirrur ata në Berlin në një konferencë dyditore që zhvillohet më 11 dhe 12 maj.

Reinhold Robbe, ombudsmani i ushtrisë gjermane

Reinhold Robbe, ombudsmani i ushtrisë gjermane, është për caktimin e metodave standarte të bashkëpunimit.

Në përfundim të konferencës ombudspersonat do të dalin me një deklaratë të përbashkët, ku do të shprehin vullnetin për bashkëpunim dhe këmbim përvojash në të ardhmen. Se përse është e nevojshme që sot, edhe ombudsmanët e ushtrive të bashkëpunojnë me njëri tjetrin, këtë e theksoi ministri i mbrojtjes Franz Jozef Jung në fjalën e tij: "Forcat e armatosura tani duhet të sfidojnë gjithmonë e më shumë probleme në nivel shumëkombësh. Kërcënimet që na vijnë, qofshin përmes terrorizmit ndërkombëtar, përmes armëve të asgjësimit në masë, krizave të shteteve në shpërbërje e sipër, nuk mund të zgjidhen vetëm në nivel kombëtar. Prandaj është me rëndësi, që edhe ombudspersonat të jenë në gjendje të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin."

Ushtria është i vetmi sistem i shoqërisë moderne, që funksionon në bazë të urdhrit. Mundësia për keqpërdorim në disfavor të vartësit është shumë më e madhe, se në fusha të tjera, e sidomos kur ushtarët duhet të veprojnë në kushte të ngjashme me ato të luftës, si për shembull në Afganistan. Megjithatë, çdo ushtar në radhë të parë ka edhe të drejta civile. Në rast se ato shkelen, atëherë ai mund të ankohet në institucionet përkatëse, si për shembull tek ai i ombudspersonit. Në vende të ndryshme demokratike, këto institucione funksionojnë në mënyra të ndryshme.

Në Gjermani, ombudsmani i ushtrisë ekziston që prej 50 vjetësh. Nevoja e krijimit të tij doli si rezultat i keqpërdorimit të ushtrisë gjermane, Wehrmacht-it, gjatë Luftës së Dytë Botërore, prandaj edhe ai është i pavarur nga qeveria dhe i jep llogari vetëm parlamentit. Institucione të ngjashme ka aktualisht vetëm në pesë vende të tjera të botës: Norvegji, Kanada, Itali, Austri, Irlandë dhe Britani të Madhe. Ushtritë e tjera e kanë inkuadruar këtë instancë ose brenda ministrisë së mbrojtjes ose në qeveri.

Ushtarë të ushtrisë gjermane (Bundeswehr).

Ushtarë të ushtrisë gjermane (Bundeswehr).

Reinhold Robbe, ombudsmani i ushtrisë gjermane, është për caktimin e metodave standard në bashkëpunim: "Këto dallime bëhen shkak për konflikte. Prandaj ato duhen anashkaluar.Ne duhet të koordinojmë parimet dhe filozofitë kombëtare udhëheqëse, të zhvillojmë standarde për kushtet e bashkëpunimit të gjithë ushtarëve dhe të ndërthurim në to të drejtat e njeriut dhe të qytetarëve," tha Robbe në fjalën e hapjes.

Konferenca e Berlinit ka si qëllim që personat që merren me të drejtat e ushtarëve të njihen me njëri tjetrin dhe të bashkëpunojnë në inciciativa dhe projekte të përbashkëta. Në nivel bilateral ky komunikim ekziston prej vitesh. Kështu për shembull, vetëm gjatë vitit 2008, Reinhold Robbe, ka pritur në zyrën e tij në Berlin, afro 90 delegacione nga vende të ndryshme të botës, mes tyre edhe nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, që kanë ardhur të marrin përvojën gjermane në këtë çështje.

Një qëllim tjetër i konferencës është të ndihmojë edhe ato vende që nuk kanë institucione të ngjashme, por që janë në ngritje e sipër: E tillë është Bosnja Hercegovina. Aktualisht ajo është duke ngritur një institucion të ngjashëm me ndihmën e partnerëve gjermanë, siç i thotë Deutsche Welles, kryetari i komisionit parlamentar të mbrojtjes, Brank Zrno: "Ne po bashkëpunojmë me institucionet gjermane qysh në vitin 2006 për të ngritur një institucion të ngjashëm edhe në Bosnjë Hercegovinë. Projektligji përkatës është duke u diskutuar aktualisht në komisionet përkatëse. Shpresojmë që pas dy muajsh edhe ne ta kemi ombudsmanin e ushtrisë."

Kursde Serbia nuk ka ndonjë institucion të tillë enkas për ushtrinë, madje institucioni i Ombudspersonit në këtë vend ka më pak se dy vjet që është krijuar. Ankesat e tyre, kryesisht për pensione, grada, e të ngjashme, deri tani gjithsej pesëdhjetë, ushtarët ia drejtojnë ombudsmanint të përgjithshëm, Sasha Jankoviç. Dhe kjo do të vazhdojë të mbetet për një periudhë shumë të gjatë thotë ai: "Ndoshta pas 20 ose 30 vjetësh do të arrijmë ta ndajmë institucionin e ombudspersonit, sipas fushave të ndryshme të shoqërisë."

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Aida Cama




  • Data 11.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Hnyq
  • Data 11.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Hnyq