1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ushtria nigeriane ka njoftime për vendndodhjen e vajzave të rrëmbyera

Lindita Arapi27 Maj 2014

Kreu i ushtrisë nigeriane, Alex Badeh shprehet se ushtria nuk do të ndërhyjë me dhunë për lirimin e vajzave të rrëmbyera. Ruajtja e jetës së vajzave ka prioritet.

https://p.dw.com/p/1C7Qb
Protesta për lirimin e vajzave
Protesta për lirimin e vajzaveFotografi: picture-alliance/AP Photo

Ushtria nigeriane sipas informacioneve të saj, është e informuar për vendndodhjen e 223 nxënëseve të rrëmbyera. "Lajmi i mirë për vajzat është që ne e dimë se ku ndodhen", tha kreu i ushtrisë nigeriane, mareshali Alex Badeh, para gazetarëve në kryeqytetin Abuja. Megjithatë ushtria nuk bëri të ditur asnjë lloj informacioni konkret. Misioni i kërkimit është "sekret ushtarak".

E qartë është që nuk do të ketë aksione të dhunshme për lirimin e nxënëseve, pasi ruajtja e jetës së vajzave është prioritet, bëri të ditur kreu i ushtrisë. "Po ne punojmë për këtë, dhe vajzat do t'i kthejmë në shtëpi", tha Badeh. Ndërkohë rritet zemërimi i të afërmeve të vajzave. Familjet akuzojnë qeverinë për mosveprim dhe përpiqen të rrisin presionin ndaj saj përmes demonstratave. Badeh siguroi protestuesit se po bëhet gjithçka e mundur për të gjetur vajzat dhe hodhi poshtë akuzat për mosveprim nga ana e qeverisë.

Ndihmë ndërkombëtare për shpëtimin e vajzave

Stop Boko Haram
Stop Boko HaramFotografi: reuters

Në mesin e prillit në verilindje të Nigerisë, në Chibok, anëtare të grupit Boko Haram rrëmbyen 300 nxënëse, disa prej tyre ia dolën të largoheshin, por ende 223 nxënëse mbahen ende në dhunën e islamistëve. Akti u dënua njëzëri në shkallë ndërkombëtare, ndërkohë Nigeria ka marrë mbështetjen ushtarake të Shteteve të Bashkuara për gjetjen e nxënëseve. Edhe Franca, Britania e Madhe, dhe së fundmi Izraeli kanë dërguar ekipe specialistësh për lirimin e vajzave.

Boko Haram është i gatshëm të lirojë disa nga vajzat, por në shkëmbim islamistët kërkojnë lirimin e disa aktivistëve të tyre të burgosur. Qeveria nigeriane e refuzon një shkëmbim të tillë. Boko Haram lufton në veri të Nigerisë për një shtet islamist. Prej vitesh ky grup ushtron atentate ndaj autoriteteve dhe ushtarëve, kishave dhe shkollave.