1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Ushtria në Tajlandë vendos gjendjen e luftës

Ushtria në Tajlandë kishte theksuar shpesh se nuk do të përzihej në konfliktin politik në vend, por tani ushtarakët shpallin gjendjen e luftës. Qeveria vazhdon të jetë në detyrë.

Ushtria vendos gjendjen e luftës

Ushtria vendos gjendjen e luftës

Ushtria në Tajlandë ka vendosur gjendjen e jashtëzakonshme pas muajsh të trazirave politike në këtë vend të Azisë Juglindore. Shefi i ushtrisë Prayuth Chan-Ocha e bëri të ditur vendimin në mëngjes në televizion. Hapi duhet të "rivendosë rendin dhe qetësinë për të gjithë njerëzit", tha ai. Një zëdhënës i ushtrisë tha se ligji i luftës nuk ka të bëjë me qeverinë.

Liria e shtypit u kufizua. Ushtria ndërpreu transmetimin e dhjetë stacioneve televizive. Në urdhëresë thuhej me qëllim "për të garantuar që njoftimet të mos transformohen, gjë që mund të nxisë konfliktin." Ndër stacionet e mbyllura janë Blue Sky, kanal i afërt me kundërshtarët e qeverisë, si dhe një zëdhënës i mbështetësve të qeverisë, të këmishave të kuqe.

Thailand Armee verhängt Kriegsrecht 20.05.2014

Gjenerali Prayuth Chan-ocha, kreu i ushtrisë tajlandeze

Qeveria e befasuar

Ministri i Drejtësisë në detyrë njoftoi në kryeqytetin Bangkok, se pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme nga ushtria, qeveria është ende në detyrë. Është mirë që ushtria të kujdeset për sigurinë e vendit, tha ministri Chaikasem Nitisiri për agjencinë e lajmeve Reuters. "Megjithatë qeveria ende e ka gjithë fuqinë për të drejtuar vendin."

Një këshilltar i shefit të qeverisë kalimtare Niwatthamrong Boonsongphaisan i tha agjencisë së lajmeve AFP, se qeveria nuk ishte informuar më parë nga ushtria. Megjithatë qeveria vazhdon punën: "Çdo gjë rrjedh normalisht, përveç se tani ushtria është përgjegjëse për të gjitha çështjet e sigurisë kombëtare," tha këshilltari Paradon Pattanatabut.

SHBA shumë të shqetësuara

SHBA kanë treguar shqetësim të madh pas vendosjes së ligjit ushtarak në Tajlandë. Shpresojmë që të jetë një masë e përkohshme, deklaroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme në Uashington, Jen Psaki. Të gjitha partitë në vend duhet të punojnë tani së bashku për të gjetur përmes dialogut një rrugëdalje nga kriza.

Në Tajlandë mbështetësit dhe kundërshtarët e qeverisë kanë zhvilluar prej muajsh përleshje të dhunshme. Në fillim të majit Gjykata Kushtetuese pati shkarkuar nga detyra me efekt të menjëhershëm kryeministren Yingluck Shinawatra, për abuzim me pushtetin. Opozita po përpiqet tani për të përmbysur qeverinë kalimtare të partisë Puea-Thai. Në mesin e majit shefi i ushtrisë Prayuth Chan-Ocha pati garantuar se ushtria do të mbetet neutrale në konflikt, sepse një grusht shteti nuk mund të zgjidhë problemet e vendit. Por disa ditë më vonë ai kërcënoi pastaj për herë të parë hapur me ndërhyrje ushtarake për të rivendosur rendin dhe ligjin.