1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Ushtria izraelite e gatshme për të marshuar në Rripin e Gazës

Ndërkohë që trupat e këmbësorisë presin urdhërin për marshim, aviacioni ushtarak izraelit ka vazhduar sulmet në ditën e tetë mbi objektivat e dyshimta të Hamasit në Rripin e Gazës.

Pamje pas një sulmi në Gazë

Pamje pas një sulmi në Gazë

Sipas të dhënave të ushtrisë izraelite, janë goditur ndër të tjera edhe depot e armëve dhe kampet e stërvitjeve. Gjatë bombardimeve ka humbur jetën një tjetër udhëheqës i Hamasit. Ndërkohë tanket izraelite dhe trupat tokësore kanë zënë pozicionet e tyre në kufirin me Rripin e Gazës. Ejal Ben-Rojven (Eyal Ben-Reuven), gjeneral në rezervë i ushtrisë izraelite, angazhohet për marshimin sa më të shpejtë të këmbësorisë në Rripin e Gazës: „Tani është e mundur të fillohet me ofensivën tokësore, me trupa të cilat janë të përgatitura mirë për këtë detyrë dhe me një definicon të qartë. Ofensiva do të zgjaste shkurt, tërheqja do të kryhej menjëherë dhe do të arrihej si vendimi ashtu dhe armëpushimi”.

Të premten avionët luftarakë izraelitë bombarduan rreth 30 objektiva në Rripin e Gazës. Palestinezët militantë qëlluan me më shumë se 20 raketa mbi zonat izraelite. Qysh prej eskalimit të konfliktit para një jave, në Rripin e Gazës, sipas të dhënave të palestinezëve, janë vrarë të paktën 435 njerëz. Në Izrael janë vrarë katër njerëz.

SHBA vazhdojnë përpjekjet diplomatike për arritjen e armëpushimit

Presidenti amerikan Xhorxh Bush

Presidenti amerikan Xhorxh Bush

Nga ana tjetër sipas fjalëve të presidentit Xhorxh Bush (George Bush), SHBA-të po vazhdojnë përpjekjet e tyre diplomatike për të arritur një armëpushim efikas në konfliktin mes Izraelit dhe Hamasit. Ai bëri thirrje për aksione të fuqishme për të parandaluar armatosjen me raketa të Hamasit dhe grupeve të tjera. Bush në fjalimin e tij të fundjavës në radio bëri fajtor Hamasin për eskalimin e dhunës. "Izraeli vetëm ka reaguar. Sulmet me raketa nga Organizata palestineze radikale islamike janë akte terroriste", tha presidenti amerikan. Njëkohësisht Bushi shprehu keqardhje për vuajtjet e popullatës në Rripin e Gazës. Sipas tij edhe për vuajtjet e tyre është fajtor Hamasi: „Duke përdorur mjetet e tyre për prodhimin e raketave në vend se të ndërtojnë rrugë dhe shkolla, Hamasi ka treguar se nuk synon që t'i shërbej popullit palestinez“.

Sekretarja amerikane e shtetit Kondoleza Rajs

Sekretarja amerikane e shtetit Kondoleza Rajs


Edhe Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoleza Rajs (Condoleezza Rice) tha se Uashingtoni po punon për arritjen e një armëpushimi të qëndrueshëm në Gaza sa më shpejt që të jetë e mundur. "Ne po punojmë për arritjen e një armëpushimi që nuk do të lejojë rivendosjen e status quo-së në të cilën Hamasi mund të vazhdojë hedhjen e raketave drejt Izraelit. Është e qartë se armëpushimi duhet të vendoset sa më shpejt që të jetë e mundur, por ne na duhet një armëpushim që të jetë i qëndrueshëm", tha Rice.





  • Data 03.01.2009
  • Autor Sebastian Engelbrecht / Agenturen / era
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GRL0
  • Data 03.01.2009
  • Autor Sebastian Engelbrecht / Agenturen / era
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GRL0