1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Ushtria i kërkon Janukoviçit veprime urgjente për stabilizim dhe paqe sociale

Për herë të parë ushtria reagon ndaj krizës në Ukrainë duke paralajmëruar që të mos lejohet përçarja në vend. Ende nuk ka shenja për një zgjidhje të krizës në Ukrainë.

Në luftën për pushtet në Kiev për herë të parë u prononcua kreu i ushtrisë, që deri më sot ka qëndruar e distancuar ndaj shkallëzimit të situatës në Ukrainë. Drejtuesit e ushtrisë e dënuan si të papranueshëm sulmin dhe depërtimin e demonstruesve në godinat shtetërore, ndaj iu drejtuan me një thirrje presidentit që të angazhohet për zgjidhjen e situatës. Përmes një deklarate zyrtare kreu i ushtrisë paraljmëron nga rreziku i përçarjes në vend. Njëkohësisht drejtuesit ushtarakë i bëjnë thirrje presidentit Viktor Janukoviç: "Ushtria dhe nëpunësit e Ministrisë së Mbrojtjes i bëjnë thirrje kryekomandantit të forcave të armatotosura (presidentit), që në bazë të ligjeve aktuale të ndërmarrë veprime urgjente për stabilizimin e situatës në vend dhe për vendosjen e paqes sociale", thuhet në deklaratën e publikuar në faqen e internetit të Ministrisë ukrainase së Mbrojtjes në Ukrainë.

Janukoviçi pranon se janë bërë edhe gabime

Forcat e armatosura paralajmërojnë se ashpërsimi i konfrontimit "kërcënon integritetin territorial të Ukrainës". Opozita proevropiane në Ukrainë qysh prej dy muajsh proteston kundër presidentit Viktor Janukoviç, i cili nën presionin e Rusisë nuk e nënshkroi Marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit me BE-në. Por Presidenti Janukoviç të enjten (30.01.2014) bëri përgjegjëse opozitën për intensifikimin e dhunës në vend. Sipas tij opozita po e ndez situatën "vetëm për shkak të ambicieve politike të drejtuesve të saj". Për herë të parë Janukoviç pranoi, se janë bërë edhe gabime. Presidenca të enjten bëri të ditur papritur, se presidenti është sëmurë nga bronket dhe ka temperaturë të lartë, për këtë arsye ai në kulmin e krizës ka nevojë për një pushim.

Sipas mbrojtësve të të drejtave të njeriut udhëheqja e vendit vazhdon t'i përmbahet kursit të dhunës madje dhe kundër atyre që nuk marrin pjesë në protesta. Mbrojtësit e të drejtave të njeriut kritikojnë njësitë e polisë, se gjatë konfrontimeve të dhunshme në rrugë me kundërshtarët e regjimit, qëllimisht janë sulmuar gazetarë dhe mjekë. Opozita akuzon gjithashtu, se janë rrëmbyer rreth 30 aktivistë.

Drejtues të opozitës ukrainase takohen me Kerry dhe Ashton

Ndërkaq ish-kampioni në boks, Vitali Kliçko, një ndër drejtuesit kryesorë të lëvizjes së protetstave të opozitës, si dhe politikani opozitar Arsenij Jazenjuk do të takohen me përfaqësues të Ministrisë së Jashtme të SHBA-së në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih. Ata do të bisedojnë për gjendjen në Ukrainë. Janë parashikuar gjithashtu edhe takime me Sekretarin amerikan të Shtetit për Politikën e Jashtme, John Kerry dhe me përfaqësuesen e BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Catherine Ashton.