1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Ushtria gjermane pritet të shtohet

Që nga fundi i Luftës së Ftohtë Bundeswehri po tkurret. Tani ministrja e Mbrojtjes Ursula von der Leyen kërkon të shtojë përsëri trupat. Sipas saj "Bundeswehri është përballur muajt e fundit me detyra si rrallë më parë".

Me 14.300 ushtarë pritet të shtohet ushtria gjermane Bundeswehr deri në vitin 2023 - ky është objektivi, ministres së Mbrojtjes, Ursula von der Leyen (CDU). "Bundeswehri është përballur muajt e fundit me detyra si rrallë më parë", e arsyetoi von der Leyen shtimin e planifikuar. Fjala është për misionet e reja jashtë vendit, shpëtimin e refugjatëve në det dhe përgjegjësitë në NATO. Përveç 14,300 ushtarëve shtesë Bundeswehri ka në plan që të punësojë në shtatë vitet e ardhshme edhe 4,400 më shumë punonjës civilë.

Këto shifra nuk janë përcaktuar një herë e përgjithmonë - ato do të rishikohen çdo vit dhe do të përshtaten nga një "bord për personelin". Synimi kryesor i ministres është për të modernizuar forcat e armatosura në tërësi. Më shumë para, materiale më të mira dhe një politikë personeli më fleksibile - këto janë themelet e strategjisë së saj.

Fakti që numri i ushtarëve do të rritet përsëri të habit, sepse që prej një çerek shekulli Bundeswehri, i cili pas ribashkimit gjerman të kishte një total prej 800.000 të punësuarish, ushtarë dhe punonjës civilë, po zvogëlohet. Që prej asaj kohe numri i personelit u ul deri sa në vitin 2011 u vendos si kufi tavan shifra 185.000 ushtarë. Republika Federale e Gjermanisë nuk ka nevojë për më shumë u tha pas heqjes së shërbimit ushtarak të detyrueshëm. Ky kufi është në fuqi ende dhe sot.

Ministrja e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen

Ministrja e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen

Mungesë specialistësh

Aktualisht numri i ushtarëve është vetëm 177.000. Ministria e Mbrojtjes ankohet se nuk ka specialistë për mbrojtjen kibernetike, si dhe mjekë, ndihmësmjekë dhe ekspertë për analizimin e fotografimeve nga ajri, vetëm për të përmendur disa prej specialistëve që mungojnë.

Mungesa e specialistëve është prej kohësh një problem i madh për Bundeswehr-in, i cila konkuron në kërkim të të rinjve të kualifikuar me ekonominë dhe në këtë garë del shpesh e humbur. Ministrja von der Leyen nuk pret se do t'i gjejë të gjithë 14,300 ushtarë shtesë në tregun e punës. Ajo synon të vazhdojë punësimin e atyre që mund të kenë arritur moshën e pensionit dhe të zgjasë kontratat me afat. Sa u përket punonjësve civilë Ministria e Mbrojtjes nuk sheh ndonjë problem për të plotësuar deri në vitin 2023 me personel 4.400 vende të reja pune.

"Planifikim larg realitetit"

Heqja e kufirit tavan për numrin e ushtarëve nuk mund t'i zgjidhë problemet e Bundeswehr-it me personelin, mendon opozita në Bundestag. "Kush e përkthen një përgjegjësi më të madhe gjermane në politikën e jashtme dhe të sigurisë verbërisht vetëm me më shumë misione të Bundeswehr, nuk duhet të befasohet nëse barra do të bëhet dikur shumë e madhe", kritikoi Agnieszka Brugger, zëdhënëse për politikën e mbrojtjes e Partisë së Gjelbër. Duke pasur parasysh ndryshimin demografik dhe mungesën e mundësive financiare është krejtësisht e paqartë se si do të gjendet personeli shtesë. "Dështimi i këtij shtimi jorealist të personelit është i pashmangshëm", tha Brugger.

Edhe partia E Majta i kritikoi planet e ministres së Mbrojtjes, Ursula von der Leyen. Zëdhënësja e kësaj partie për politikën e mbrojtjes, Christine Buchholz, tha se problemi është se ministrja e Mbrojtjes von der Leyen nuk lë rast pa kërkuar që të dërgojë ushtarë gjermanë në zonat e luftës ose në manovra të NATO-s në periferitë lindore të aleancës.