1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ushtria gjermane do të zhvillojë hetime për bombardimin e civilëve në Afganistan

26 Nëntor 2009

Bombardimi i talebanëve që rrëmbyen dy cisterna gjermane në Afganistan ka pasoja në Gjermani. Diskutohen informacionet paraprake nëse dihej se do të vriteshin në sulm edhe civilë.

https://p.dw.com/p/Kgsu
Ushtarë gjermanë në një fshat në Afganistan
Ushtarë gjermanë në një fshat në AfganistanFotografi: picture-alliance/ dpa

Informacione të rëndësishme të Bundesverit nuk janë transmetuar

Sulmi i kontestueshëm ajror ndaj dy autocisternave në Afganistan në fillim të shtatorit pritet të ketë pasoja në personel. Ministri gjerman i Mbrojtjes, Karl-Theodor zu Guttenberg, njoftoi në Berlin se Inspektori i përgjithshëm i Bundesverit, Wolfgang Schneiderhan, i ka ofruar të japë dorëheqjen. Guttenbergu i konfirmoi njoftimet e shtypit, sipas së cilave informacione të rëndësishme të Bundesverit nuk janë transmetuar. Ai bëri të ditur kryerjen se do të kryhen hetime të hollësishme.

"Sigurisht këto njoftime do të shqyrtohen menjëherë dhe do t'u paraqiten grupeve parlamentare, kjo është e vetëkuptueshme, kjo për mua do të thotë transparancë për incidente të tilla. Raporti do t'i paraqitet edhe Prokurorisë së Përgjithshme."

A ka qenë Bundesveri pak para sulmit ka qenë në dijeni për viktimat civile

Në qendër është pyetja, nëse Bundesveri pak para sulmit ka qenë në dijeni për viktimat civile. Nën presionin e opozitës ish-Ministri i Mbrojtjes, Franc Jozef Jung, deklaroi se do të pozicionohet që këtë të enjte në lidhje me rastin.

"Dua të kem shansin, që të shqyrtoj këto dokumenta, që të shqyrtoj lëndën dhe pastaj të pozicionohem në mënyrë korrekte para Parlamentit dhe të mund ta bëj këtë që gjatë ditës së sotme."

Westerwelle kishte kërkuar zgjatjen e misionit të Bundesverit në Afganistan

Nga sulmi ajror i urdhëruar nga Bundesveri humbën jetën deri në 142 persona, ndër ta edhe shumë civilë. Më parë Ministri i Jashtëm, Guido Westerwelle kishte kërkuar zgjatjen e misionit të Bundesverit në Afganistan duke shprehur në të njëjtën kohë "sinqeritetin dhe ndershmërinë" e qeverisë në lidhje me misionin.

"Ky mision është një mision i vështirë dhe këtë e di secili. Një angazhim edhe politikisht i vështirë, sepse një mision i Bundesverit jashtë shtetit duhet mbështetur nga parlamenti, nga shoqëria, edhe nga besimi i parlamenti dhe i shoqërisë sonë dhe prandaj shtroj me të madhe: Sinqeriteti dhe transparenca, ndershmëria krijon bazën e besimit. Këtë duhet t'ia japë edhe qeveria parlamentit. Këtë duhet ta theksoj fort."

Qeveria do të zgjasë mandatin për ISAF-in deri në fund të vitit 2010. Kufiri maksimal me 4500 ushtarë do të mbetet fillimisht i pandryshuar. Sipas gazetës "Këlner Stadt-Anzeiger" në Ministrinë e Mbrojtjes po shqyrtohen mundësitë për zgjerimin e misionit të Bundesverit në Afganistan deri në 6500 ushtarë.

Autor: dpa/ Angjelina Verbica

Redaktoi: Auron Dodi