1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Ushqime dhe medikamente në prag të ofensivës

Për ditë mediat izraelite informojnë për ofensivën e planifikuar kundër Hamasit radikal islamik. Por para se të fillojë ajo Izraeli lejoi që në rajonin e rrethuar të futen kamionë me mallra ushqimore dhe medikamente.

Të enjten ekstremistë palestinezë shkrepën në drejtim të territorit izraelit shtatë raketa Kasam

Të enjten ekstremistë palestinezë shkrepën në drejtim të territorit izraelit shtatë raketa Kasam

Bëhet fjalë për një 'mision të kufizuar', i cili do të zgjasë disa ditë. Me këto fjalë e përshkruan gazeta „Ha’aretz", në numrin e saj të së premtes, detyrën deri tani jozyrtare me të cilën janë ngarkuar Forcat e Sigurisë të Izraelit.

Deri të dielën nuk pritet ndonjë aksion i ushtrisë

Operacioni i përbashkët ushtarak i trupave të këmbësorisë dhe aviacionit drejtohet kundër Hamasit dhe grupeve tjera ekstremiste në Rripin e Gazës. Të dielën (28.12.) kryeministri në dorëheqje Ehud Olmert do të këshillohet edhe njëherë me ekspertët e tij të sigurisë. Deri atëherë nuk pritet ndonjë aksion i ushtrisë, shkruan gazeta e cila bazohet në burime të kreut qeveritar. Forcat izraelite po planifikojnë një aksion ushtarak relativisht të shkurtër i cili do t'i shkaktojë Hamasit, citat: "dëme mundësisht të mëdha".

Të enjten, ekstremistët palestinezë shkrepën në drejtim të territorit izraelit shtatë raketa Kasam. Sipas të dhënave izraelite ato nuk shkaktuan dëme. Ministri izraelit i Mbrojtjes Ehud Barak paralajmëroi të premten (26.12) hapjen e kufirit me Rripin e Gazës për kalimin e ndihmave humanitare.

Sinjale paralajmëruese

Sipas të dhënave të një zëdhënësi të Ministrisë së Mbrojtjes ndërkohë kanë kaluar kufirin izraelito-palestinez rreth 80 kamionë të mbushur me ushqime, medikamente dhe drithëra. Po ashtu u transportuan sasi të kufizuara nafte industriale për termocentralin në Gazë. Bëhet fjalë për ndihmat e para humanitare në dhjetë ditët e fundit.

Kryeministri Ehud Olmert dëshiron që popullsia palestineze të jetë e furnizuar me ushqime dhe medikamente para fillimit të aksionit ushtarak. Sipas gazetës „Ha’aretz", Olmert nuk dëshiron që gjatë kohës së sulmeve të ketë një krizë humanitare shtesë.

Edhe Ministri i Mbrojtjes Ehud Barak, i cili ditët e fundit u tregua shumë i përmbajtur, sqaroi të premten në mëngjes se: "Edhe sot herët ne i kushtuam vëmendje të posaçme jugut. Nuk janë vetëm fjalë që për ne janë të papranueshme, por është gjendja e krijuar së fundi, të cilën nuk mund ta pranojmë. E vetmja që mund të them sot është se kushdo që sulmon qytetarët e Izraelit dhe ushtrinë e tij do të paguajë një çmim të lartë", tha Barak.

  • Data 26.12.2008
  • Autor Clemens Verenkotte
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GNNj
  • Data 26.12.2008
  • Autor Clemens Verenkotte
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GNNj