1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Uraniumi - rrezik për qytetarët e Bosnjë e Hercegovinës

Rreth 15 vende të Bosnjë e Hercegovinës janë të prekura nga uraniumi. Serbët nga Haxhiqi vdesin katër herë më shpesh nga kanceri krahasuar me banorët e zonave të tjera. Ky problem nuk merret seriozisht nga autoritetet.

Pas riintegrimit të territoreve në Bosnjë e Hercegovinë, rreth 5.000 serbë janë zhvendosur nga Haxhiqi dhe kanë shkuar në Bratunac. Vetëm pas vdekjeve të shpeshta nga kanceri e kanë kuptuar se diçka nuk është në rregull. Ata vetë kanë mbajtur evidencë.

„Rreth 800 vetë këtu kanë vdekur nga kanceri", shpjegon Vido Banduka, nënkryetari t bashkisë në Bratunac. Ndërsa Slavica Jovanoviq, drejtore e qendrë së Shëndetësisë në Bratunac thotë se përqindja e vdekjeve nga kanceri e banorëve të ardhur nga Haxhiqi është katër herë më e lartë se sa e banorëve të tjerë të Bratuncit. Banorët e Haxhiqi, të cilët kanë qenë të pranishëm në kohën e sulmeve të NATO-s ndaj Republikës Serpska, nuk e kanë pasur idenë se me çfarë rreziku po përballen. Ata kanë mbledhur madje edhe municione me uranium të përdorur dhe i kanë mbajtur për një kohë të gjitha nëpër shtëpi. "Edhe unë kam pasur municion dhe e kam mbajtur si kujtim në zyrën time", thotë Vido Banduka.

Në rajonet e bombarduara asokohe banorët çojnë për kullotë edhe bagëtinë. Ata nuk e kanë pasur dijeni për rrezikun që u kanosen, shpjegon ai. Për rrezikun nga uraniumi flet edhe profesorja e fakultetit të Shkencave të Natyrës në Sarajevë, Lamija Tanoviq. "Ata që bien në kontakt me pjesët e municionit mund të përballen me pasoja shumë të rënda. Më të vështirë e kanë ata që thithin nga ajri grimca të helmuara nga uraniumi, të cilat janë shumë të rrezikshme për shëndetin", thotë Lamija Tanović.

Prof. Dr. Lamija Tanović, Universiteti i Sarajevës

Prof. Dr. Lamija Tanović, Universiteti i Sarajevës

Ndryshimet dhe sjellja e politikanëve

“Në territorin e Bosnjë-Hercegovinë janë shkrepur rreth katër tonelata e gjysmë municione të ndryshme me uranium. Instituti për studimin e ndryshimeve gjenetike në Sarajevë ka konstatuar se kjo çon deri tek ndryshimet e kromozomeve. Lidhur me këtë ka pasur edhe hulumtime të hollësishme. Por politikanët nuk duan ta pranojnë rrezikun nga ky fenomen, sepse është e mundur që duhet të paguhen dëmshpërblime për ushtarët e vrarë gjatë luftërave në Ballkan, vë në dukje Jelina Gjurkoviq.

Në vitin 2000 është krijuar një këshill parlamentar, ku ka qenë edhe Vido Banduka. Përshtypja e tij është se nuk është bërë sa duhet për ta shpjeguar fenomenin. Gjysma e njerëzve atje kanë punuar kundër këtij këshilli, shpjegon ai duke shtuar, se ka pasur shumë anëtarë, që kanë dashur të dëshmojnë se kjo gjë nuk është e rrezikshme. Ndërsa Jelina Gjurkoviq në vitin 2005 ka kryesuar një komision për hulumtimin e pasojave nga rrezatimet me uranium. Ajo ka hartuar edhe një raport, por ai është zhdukur diku dhe nuk mund të gjendjet as sot e kësaj dite. "Duket se dikush e ka humbur atë me qëllim, apo me kërkesë të dikujt tjetër, nuk e di", pohon Gjurkoviq.

Enti i Shëndetësisë i Bosnjë - Hercegovinës ka hulumtuar edhe praninë e uraniumit në ujin pijshëm në Haxhiq. „Hulumtimet e fundit të bëra në vitin 2010 dhe 2011 tregojnë se në ujin e pijshëm nuk ka prani të uraniumit“, pohon Alfred Vidiq.

Agonia vazhdon

Por edhe sot në Bratunac jetojnë rreth 2.000 njërëz të ardhur nga Haxhiqi. Ata dallojnë nga banorët e tjerë për faktin se edhe më tej vdesin shumë më shpesh nga kanceri. "Me plot përgjegjësi e them se gjysma e banorëve të ardhur nga atje vdesin nga kanceri“, pohon Vido Banduka. Banorët e Haxhiqit edhe më tej jetojnë në frikë për shëndetin e tyre. Agonia vazhdon sepse lidhur me këtë nuk po ndërmirret asgjë.