1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

'Ura midis Gjermanisë dhe Rusisë'

Vëllimi tregtar midis Gjermanisë dhe Rusisë vitin e kaluar ra me 20%. Shumë kompani gjermane kanë frikë nga sanksionet për biznesin e tyre. Ata vazhdojnë të mbështesin dialogun.

Të bësh biznes në Rusi, nuk është më e vështirë se në Spanjë apo Francë, vetëm ndryshe. "Me ndryshe" Torsten Clauss ka parasysh në rradhë të parë mentalitetin rus. Prej më shumë se njëzet vjetësh kompania e tij "GABEC Projektmanagement" ndjek projektet e ndërtimit në Rusi. Shumicën e rasteve janë degë të firmave gjermane nga industria e automobilave, nga sektori i ndërtimi të makinerive, apo sektori i teknologjisë. Ai që nuk e njeh mentalitetin rus dhe përpiqet të pushtojë tregun rus me metodat e njohura në Gjermani, do të dështojë, thotë Clauss. Shpesh zgjat shumë, derisa të afrohesh me një partner rus të biznesit dhe të fitosh besimin e tij. Por pastaj mund t'i besosh plotësisht fjalës së tij dhe të bësh biznese, madje edhe milionëshe me një shtrëngim duarsh. Ato që për gjermanin janë kontratat dhe marrëveshjet e shkruara, për partnerin rus në biznes janë besimi dhe mirëkuptimi reciprok.

Ky besim dhe përvoja shumëvjeçare e shumë firmave gjermane në Rusi bëjnë që kontaktet e biznesit të funksionojnë ende megjithë krizat politike, klimën e acartë mes BE dhe Rusisë. Megjithatë mundësitë për shkëmbimin e përvojave dhe të marrëdhënieve të reja të biznesit janë bërë të rralla. "Kongresi ekonomik Rusia", që u mbajt në Frankfurt më 25 dhe 26 shkurt, ishte një mundësi, dhe interesi ishte i madh.

Ndërmarrjet e mesme kanë frikë për të ardhmen e tyre

Biseda me njëri-tjetrin, kjo sot duket të jetë më e rëndësishme se sa në mbajtjen e parë të "Kongresi ekonomik Rusia" para një viti. Në atë kohë marrëdhënia midis Berlinit dhe Moskës nuk ishte kaq e tensionuar. Sanksionet, që Perëndimi ka vendosur muajt e fundit kundër Rusisë, ndjehen edhe te sipërmarrjet e mesme gjermane. Rreth njëqind kompani gjermane i kanë mbyllur tashmë filialet e tyre në Rusi, thotë Mario Ohoven nga "Shoqata Federale e sipërmarrjeve të mesme".

Torsten Clauß nga GABEC Projektmanagement

Torsten Clauß nga "GABEC Projektmanagement"

"Tek shumë sipërmarrje të mesme, sidomos në Gjermaninë Lindore vijnë porositë, makineritë janë gati, por sipërmarrjet nuk mund t'i dërgojnë. Sepse tek klientët bëjnë pjesë edhe shumë sipërmarrje shtetërore ruse, që janë në listën e sanksioneve. "Firmat kanë frikë për të ardhmen e tyre", thotë Ohoven. Sipas tij sanksionet dëmtojnë më shumë Gjermaninë dhe BE se Rusinë. Sepse sipërmarrjet nga Kina apo Brazili janë gati për t'i marrë përsipër porositë dhe dërgesat.

Që sanksionet do ta arrijnë qëllimin e tyre, këtë nuk beson as Ute Kohlovski-Kadjaia nga shoqata e ekonomisë gjermane për Evropën Lindore. Rusia vuan në radhë të parë nga rënia e vlerës së rublës dhe nga çmimi i ulët i naftës, meqë ekonomia ruse prej dhjetëvjeçarësh ka patur orientim të njëanshëm, naftën dhe lëndët e para. Sanksionet mund ta ashpërsojnë krizën në Rusi, por nuk janë në asnjë mënyrë shkaku.

Kundër largimit

Gjermania është partneri i tretë më i madh tregtar i Rusisë në mbarë botën. Vitin e kaluar vëllimi i biznesit gjermano-rus ka rënë me 20 për qind, kryesisht për shkak të sanksioneve të BE. Që nuk ka rënë edhe më shumë, i dedikohet faktit se komunikohet ende.

Sergey Nikitin, përfaqësues i dhomës ruse të tregtisë dhe industrisë në Gjermani, ka biseduar në Frankfurt me shumë sipërmarrje. Kontaktet ekonomike sipas mendimit të tij janë një urë e rendësishme për të afruar njerëzit. Këtë e thonë edhe shumica e sipërmarrësve në kongresin ekonomik në Frankfurt. Edhe pse ata nuk e aprovojnë aspak atë që Rusia bën në Ukrainë. Të mos flasësh me njëri-tjetrin, do të thotë të largohesh edhe më shumë. Kjo nuk i sjell dobi as Europës dhe as Rusisë.