1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Ura e Varvarinës - 15 vjet nga bombardimet e NATO-s në Serbi

Sulmet ajrore të NATO-s kundër Serbisë 15 vjet më parë i dhanë fund krimeve kundër shqiptarëve të Kosovës. Por viktimë e bombardimeve ranë edhe civilë në Serbi. Në Varvarinë banorët përkujtojnë një ngjarje të tillë.

Dy lisa të thyer pranë urës së Varvarinës duhet të kujtojnë ditën më të trishtuar të këtij vendi. Që prej asaj dite, 30 maj 1999, pemët e thyera nuk janë prekur. "Ishte e diel, një ditë me diell dhe pa re. Meqenëse ishte ditë tregu dhe festa ortodokse e Trinisë, në Varvarinë kishte shumë njerëz", tregon Zoran Milenkovic, kryetar i bashkisë së qytezës me 2000 banorë, në Serbinë qendrore.

Zoran Milenković pranë urës së rindërtuar

Zoran Milenković pranë urës së rindërtuar

Largohuni, ata do të kthehen!

Burri me trup të fuqishëm ka mjekër dhe mban veshur një xhaketë lëkure. Por zëri i tij nuk përshtatet me pamjen, ai flet thuajse pa tinguj dhe me zë melankolik. Mëngjesin e ditës së festës sirenat kishin paralajmëruar për rrezikun nga ajri, kujton Milenkoviç, por pas dy muajsh bombardime njerëzit nuk i merrnin më seriozish paralajmërimet. E çfarë mund të ndodhte në mesditë në një vend të harruar, ku nuk ka as ushtri dhe as polici? Por ajo ditë ndryshoi jetën e tij në mënyrë dramatike. Kur bombarduesit e NATO-s u shfaqën në qiell, vajza e tij 15-vjeçare Sanja ishte mbi urë bashkë me dy shoqe të saj. Tri vajzat u lënduan rëndë. "Vajza ime, Sanja, nuk mbijetoi", thotë me dëshpërim Milenkoviç.

Pas sulmit qytetarët e tronditur u përpoqën t'u vinin në ndihmë të plagosurve. "Dëgjoheshin thirrjet për ndihmë. Isha ndërkohë tek lumi kur dikush thirri: ikni, largohuni, ata do të rikthehen", thotë Miroslav Dakiç. Kur ura e shkatërruar gjendej tashmë në ujë, bombarduesit u rikthyen dhe qëlluan sërish. "Shpërthimi më hodhi dhjetë metra tutje, deri tek plepat", kujton Miroslav. Ai u plagos në këmbën e djathtë, e cila sot është gjashtë centimetra më e shkurtër.

Asnjë ngushëllim, asnjë kënaqësi

"Fitorja mbi të keqen ka gjithnjë një çmim", do të komentonte më vonë zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea. Në fjalorin e tij dhjetë të vdekurit dhe 30 të plagosurit e Varvarinës janë vetëm shifra, një pjesë e collateral damage, pra dëme të pashmangshme të luftës. Ndërhyrja perëndimore në ish-republikën e Jugosllavisë (në të cilën në atë kohë kishin mbetur vetëm Serbia dhe Mali i Zi), i dha fund dëbimeve dhe krimeve të regjimit të Millosheviçit ndaj shqiptarëve të Kosovës. Nga ana tjetër sulmet ajrore të NATO-s, sipas të dhënave serbe, shkaktuan 2500 viktima civile. Organizata humanitare "Human Rights Watch" flet për rreth 500 civilë të vrarë. Shembulli i tmerrshëm i Varvarinës tregon se shumë viktima "kolaterale" kanë qenë krejt pa arsye.

Padia për zhdëmtim dështon në Gjykatën e landit në Bonn 2003.

Padia për zhdëmtim dështon në Gjykatën e landit në Bonn 2003.

Avokati berlinez Ulrich Dost kërkoi që në vitin 2001 për llogari të të dëmtuarve nga bombardimet, një dëmshpërblim prej gjithsej tetë milionë markash nga Gjermania si anëtare e NATO-s. Ura e Varvarinës ishte sipas Dost pa asnjë rëndësi ushtarake dhe sulmuesit e dinin se viktimat do të ishin vetëm civile. "Natyrisht që e dinin, ata nuk ishin të verbër", thotë Dost për Deutsche Welle. "Varvarina është rreth 200 kilometra larg kryeqytetit serb Beograd dhe po ashtu 200 kilomentra larg Kosovës. Atje nuk kishte fare konflikt ushtarak. Pa mendoni: NATO bombardoi gjatë ditës sheshet dhe tregjet publike", thotë me indinjatë juristi.

Gjykata e landit në Bon e hodhi poshtë padinë në vitin 2003 me argumentimin se individët nuk mund të padisin një shtet për ngjarje të ndodhura në luftë. Një ankimim para Gjykatës Kushtetuese në Karlsruhe gjithashtu nuk pati sukses. "Problemi me imunitetin e shteteve, që buron nga e drejta ndërkombëtare, ishte për ne i njohur që në fillim. Ne synonim të shkundnim ndërgjegjen politike", thotë Dost. Efekti i dëshiruar deri sot nuk vihet re. "Shtetet nuk duan të ndryshojnë asgjë në të drejtën ndërkombëtare. Ashtu si në 1999 ata zhvillojnë me dëshirë luftra në anë të ndryshme të globit."

Monumenti përkujtimor për viktimat e bombardimeve të NATO-s në Varvarinë

Monumenti përkujtimor për viktimat e bombardimeve të NATO-s në Varvarinë

E vërteta për luftën

Kryebashkiaku i Varvarinës qëndron pranë monumentit që nderon vajzën e tij dhe viktima të tjera. Ai është një glob me përmasa të mëdha me një kompas maja e të cilit tregon Serbinë. Zoran Mienkoviç nuk pret zhdëmtim nga Gjermania. "Zhdëmtimi do të nënkuptonte pranimin e fajit. Unë e dija që ata nuk do t'i pranonin krimet", thotë Milenkoviç. Kënaqësia e vetme për të është interesimi i shtypit për rastin e Varvarinës. "Për mua është e rëndësishme që njerëzit të mësojnë të vërtetën për agresionin e NATO-s."

Rreth dhjetë ditë pas këtij sulmi Millosheviç nënshkroi marrëveshjen e paqes, e cila hapi rrugën për tërheqjen e trupave jugosllave nga Kosova. Në nëntor 1999 u hap ura e rindërtuar e Varvarinës. Të hënën (24.03.2014) është përvjetori i 15-të i sulmit. Banorët do të mblidhen në kishën e Varvarinës, por këtë herë jo për festën e Trinisë. Do të jetë një ditë zie dhe përkujtimi.