1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Unioni doganor ballkanik - ide interesante por afatgjatë

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka hedhur idenë e krijimit të një unioni doganor, por ende nuk dihet se çfarë do të thotë kjo ide. Ekspertët thonë se ideja nuk është e keqe, por ka pengesa dhe mangësi të mëdha.

Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq është promotori kryesor i të ashtuquajturit "unioni doganor" në Ballkanin Perëndimor. Ai mendon se "integrimi i tregtisë dhe transportit është rruga më e drejtë për përparimin". Vuçiqi e sheh të ardhmen e rajonit në Bashkimin Evropian, ndërsa thotë se integrimi më i madh i Ballkanit Perëndimor është hap i mirë në këtë drejtim. Vuçiq mendon se këtë ide e mbështesin Serbia, Bosnje-Hercegovina dhe Maqedonia, por ka dhe vende që nuk e duan ate, si Shqipëria apo Kosova.

Ide ekonomike apo politike?

Ideja për një union doganor është më shumë një ide politike se ekonomike, mendon kryeredaktori i gazetës javore NIN, Millan Qulibrk. Sipas tij, kjo ide nuk është autentike e Ballkanit por ka lindur diku tjetër. "Mua kjo ide më duket si një përpjekje për uljen e tensioneve politike në ngritje në rajon."

Qulibrk pohon në bisedë me DW se një union i tillë nuk nevojitet, sepse në këtë fushë kemi CEFTA-n, ku para anëtarësimit në BE përfshiheshin edhe Polonia, Çekia, Sllovakia, Hungaria, Rumunia, Bullgaria, Kroacia dhe Sllovenia. Në CEFTA janë sot vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavia. Komisioni Evropian e ka përshëndetur idenë e integrimeve evropiane, por nuk ka nevojë për ndonjë union të ri, sepse duhet bashkëpunuar në kuadër të CEFTA-s.

Westbalkan Gipfel in Sarajevo (picture-alliance/Anadolu Agency/S. Yordamoviv)

Në samitin ballkanik u nënshkrua deklarata e përbashkët për krijimin e një hapësire ekonomike rajonale

Analisti ekonomik Mijat Lakiqeviq mendon se "ideja është e mirë, por mund të funksionojë vetëm pas një kohe të gjatë". Për funksionimin e saj kërkohet një stabilitet politik. Ekonomisti Sasha Gjogoviq e sheh marrëveshjen për një union të ri doganor si një hap më larg në zbatimin e marrëveshjes CEFTA. Por njëkohësisht ai paralajmëron se një gjë e tillë nuk mund të bëhet shpejt.

Sipas Gjogoviq, Serbia ka marrëveshje për tregti të lirë me Rusinë dhe Unionin e Euroazisë dhe nuk do të kishte interes të futet tani në një union tjetër doganor rajonal. Por një marrëveshje e tillë do të ishte një stimulim edhe për futjen e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në zonën Euroaziatike. Një shpjegim tjetër për krijimin e këtij unioni doganor është edhe mendimi se Ballkani Perëndimor nuk do të bëhet shpejt pjesë e BE.

Kush përfiton nga një union i ri doganor?

Shumë shpesh thuhet se nga një union i tillë do të përfitonte më së shumti Serbia, sepse ajo është eksportuesi më i madh në mesin e këtyre vendeve. "Por përfitimi varet edhe nga ambienti ekonomik në një vend", mendon Lakiqeviq. Ndërsa Gjokoviq pohon se futja në spekulime se kujt i sjell më shumë avantazhe një union i tillë do të çonte deri tek retorika nacionaliste, që do të thotë se ideja do të dështonte para fillimit të aplikimit të saj. „Ideja e tillë është një provë edhe për politikanët e rajonit. Të shohim nëse kjo është vetëm një ide për marketing apo do të pasohet me marrëveshje."