1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Unioni dhe SPD bien dakord për koalicionin e ri qeveritar

Richard Fuchs / Marcel Fürstenau/ V Filaj-Ballvora27 Nëntor 2013

Unioni kristiandemokrat/kristiansocial e socialdemokratët përmbyllën me sukses raundin e bisedimeve për marrëveshjen e koalicionit me bazë të gjerë. Maratona e bisedimeve zgjati gati 18 orë.

https://p.dw.com/p/1AOqQ
Fotografi: JOHN MACDOUGALL/AFP/Getty Images

Krerët e lartë të partive gjermane, CDU, CSU dhe SPD kanë rënë dakord për formimin e një koalicioni qeverisës. Pas një maratone bisedimesh prej 18 orësh, sot herët në mëngjes (27.11) u ra dakord edhe për pikat më të diskutueshme mes palëve. Ndër të tjera u ra dakord për përmirësimin e daljes në pension dhe të rrogës minimale. Unioni dhe SPD gjetën edhe një kompromis lidhur me debatet për nënshtetësinë e dyfishtë. Lidhur me postet ministrore, emrat ende mbeteten të hapura. Sipas planit, tashmë kryetarët e tri partive Angela Merkel (CDU), Horst Seehofer (CSU) dhe Sigmar Gabriel (SPD) do të dalin në një konferencë shtypi për të komunikuar rezultatin e këtyre bisedimeve.

Raundi i fundit vendimtar për qeverinë e re të koalicionit

Kancelarja Merkel dhe kryetari i socialdemokratëve, Sigmar Gabriel
Kancelarja Merkel dhe kryetari i socialdemokratëve, Sigmar GabrielFotografi: John MacDougall/AFP/Getty Images

Raundi i së martës pritej me ankth. Fillimisht konsultimet u zhvilluan në mesditë në një raund të kufizuar me rreth 15 pjesëmarrës. Pasdite pasuan bisedimet paraprake të veçuara në secilën parti, për të vazhduar në mbrëmje në një raund të zgjeruar me 75 pjesëmarrës. "Do të jetë një natë e gjatë", pati paraljmëruar sekretarja e përgjithshme e socialdemokratëve Andrea Nahles në fillim të maratonës së konsultimeve përmbyllëse. Nënkryetari i grupit parlamentar të socialdemokratëve Hubertus Heil në intervistë për televizionin n-tv pati shtuar, se "kemi përpara çështjet më delikate". Se si do të zgjidheshin çështjet "delikate", për këtë gazetarët kishin mundur të krijojnë vetë një përshtypje, sepse projektmarrëveshja e koalicionit, një dokument prej 177 faqesh, tashme ishte në dorë të medias.

Në projektmarrëveshje kishte shumë fjali në kllapa, që sinjalizonin, se në lidhje me cilat pika mbizotërojnë mosmarrëveshje midis tri partive. Bëhej fjalë për kuotën e një page minimale të ligjshme, për të cilën socialdemokratët këmbëngulnin se ajo nuk duhet të ishte nën 8,5 euro për orë pune. Lidhur me pensionet debatohej, nëse ata, që kanë mbushur vjetërsinë e punës duke paguar detyrimet në arkën e pensioneve në rrethana të caktuara, mund të dalin në pension në moshën 63 vjeçare. Socialdemokratët dëshirojnë që kjo t'u mundësohet atyre, të cilët e kanë përmbushur vjetërsinë e punës me 45 vjet. Kristiandemokratët ishin kundër, sepse parashikonin vështirësi në financimin e pensioneve për shkak të rritjes së kostove.

Fjalën e fundit e ka baza e partisë socialdemokrate

Paga minimale, pensionet dhe e drejta e nënshtetësisë së dyfishtë janë çështje, që i dhanë fund bisedimeve për krijimin e koalicionit. Ndaj nga Për socialdemokratët koha nuk priste, sepse pas përfundimit të konsultimeve për koalicionin qeverisës, duhet t'u lihen dy javë kohë rreth 473.000 anëtarëve të partisë për ta miratuar me shkrim marrëveshjen e koalicionit. Një procedurë që aplikohet për herë të parë në Gjermani në krijimin e qeverisë.