1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

UNICEF: Fëmijët në Siri në gjendje dramatike

Gjendja e fëmijëve në kampet e refugjatëve sirianë në rajon po bëhet gjithnjë e më dramatike. Gjermania rrit ndihmat edhe me 20 milionë euro. Assad përjashton bisedimet me opozitën.

Sipas të dhënave të organizatës humanitare për fëmjë UNICEF, gati 1,9 milionë sirianë kanë kërkuar mbrojtje në vendet fqinjë dhe vendosen në strehimore emergjente ose në kampe. Rreth gjysma e tyre janë fëmijë dhe të rinj, tha shefi i sektorit të UNICEF-it për Gjermaninë, Christian Schneider. Më të prekur janë më shumë se 3,1 milionë vajza dhe djem në Siri. Vetëm në kampin e refugjatëve në kufirin siriano-irakian Domis, mijëra vajza dhe djem duhet të mbijetojnë ditët e nxehta në temperaturat e larta deri në 45 gradë.  Schneider shoqëroi ministrin gjerman për Zhvillim, Dirk Niebel  gjatë një vizite dyditore në Irak. Niebel bëri të ditur se Gjermania do të rrisë ndihmat e saj për refugjatët. Për të lehtësuar "katasrofën  rajonale" në vendet fqinjë, do të sigurohet një ndihmë shtesë prej 20 milionë eurosh, tha ai. Deri tani Gjermania ka mbështetur refugjatët sirianë me 170 milionë euro. 

Kriza e Sirisë po prodhon dhe një fenomen të rëndë, veçanërisht në Liban, ku janë vendosur sipas OKB-s rreth 600 mijë refugjatë, shumica prej të cilëve gra me fëmijë. Si pasojë e situatës së keqe dhe vështirësive ekonomike, gratë  po ushtrojnë prostitucion. Ndryshe nga qeveria e Jordanisë apo ajo turke, ekzekutivi libanez nuk pranon të ndërtojë kampe të reja për refugjatët sirianë.

Syrien Präsident Assad Ansprache Rede Damaskus 04.08.2013

Presidenti sirian, Baschar al-Assad gjatë fjalimit në Damask (04.08)

Ndërkohë situata në Siri duket mjaft kritike. Pas sulmeve më të fundit ushtarake të trupave të tij në luftën kundër kryengritësve, pushtetmbajtësi i Sirisë Baschar al Assad ka përjashtuar përsëri bisedimet me opozitën. Kriza le të zgjidhet në fushën e betejës, tha Assad në një fjalim në televizion. Me "terroristët" nuk ka zgjidhje tjetër, ata duhen shtypur me grusht të hekurt, theksoi Assad. Regjimi në Damask i cilëson të gjithë kundërshtarët e tij si terroristë. Qysh prej fillimit të kryengritjes kundër Assad-it në mars 2011, sipas vlerësimeve të OKB kanë vdekur më shumë se 100.000 njerëz.