1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

UNESCO voton në favor të Kosovës

Projektrezoluta e paraqitur në mbledhjen e këshilli të UNESCO-s, me të cilën rekomandohet pranimi i Kosovës mori 27 vota pro, 14 vende ishin kundër.

Bordi ekzekutiv i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), votoi të mërkurën më 21.10 në favor të kërkesës për ta pranuar Republikën e Kosovës si anëtare e kësaj organizate. Projektrezoluta e paraqitur në mbledhjen e këtij këshilli me të cilën rekomandohet pranimi i Kosovës mori 27 vota për, 14 vende ishin kundër ndërsa, 14 abstenime. Kërkesën për pranimin e Kosovës në UNESCO e ka paraqitur zyrtarisht Shqipëria. Vendimi përfundimtar për pranimin e Kosovës në UNESCO, do të merret në Konferencën e përgjithshme të kësaj organizate, e cila mbahet nga 3 deri më 18 nëntor. Konferencën e përgjithshme të UNESCO-os, e përbëjnë 195 vende anëtare dhe secili vend ka një votë, ndërkaq që për marrjen e vendimit nevojiten dy të tretat e votave.

Kritika nga Beogradi

Beogradi zyrtar e kundërshton ashpër anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Autoritet serbe thonë se kishat dhe manastiret ortodokse në Kosovë i takojnë trashëgimisë dhe pronës së Kishës Ortodokse serbe dhe çdo përvetësim i kësaj trashëgimie do të ishte cenim real i ekzistimit të objekteve më të rëndësishme fetare, kulturore e historike të popullit serb.

Kosova përshëndet anëtarësimin

Vendimi i bordit ekzekutiv i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), në favor të Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë është përshendetur nga udhëheqësit e institucioneve të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, thotë se “Parimet themeltare të UNESCO-s janë që të kontribuojë për paqen dhe sigurinë, duke promovuar bashkëpunimin ndërkombëtar përmes arsimit, shkencës dhe kulturës dhe për të çuar përpara respektimin universal për drejtësi, sundim të ligjit dhe të drejtat e njeriut, së bashku me liritë themelore të shpallura në Kartën e Kombeve të Bashkuara”. Prandaj sipas tij, këto parime janë fundamentale për një shoqëri demokratike, për të cilat është orientuar Kosova me një konsensus të plotë shoqëror dhe kulturor.

Hap i jashtëzakonshëm

Në të njejtën linjë është shprehur edhe zëvëndëskryeministri njëherësh edhe ministri i Jashtëm Hashim Thaci, i cili ishte në Paris në selinë e UNESK-os gjatë kohës së mbahej votimi. Thaci thotë se “rezultati i votimit të sotëm në UNESCO është rezultat i një përpjekjeje të përbashkët të shtetit të Kosovës, miqve dhe qytetarëve të saj.

“Vlerësoj së votimi i sotëm përbën një hap të jashtëzakonshëm për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në UNESCO. Ky zhvillim do të ndikojë që Kosova të vazhdojë të punojë edhe më fuqishëm për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, për avancimin e arsimit dhe shkencës. Kosova është shtet multietnik, vend që i takon të gjithë qytetarëve të saj. Dëshiroj t'iu falënderoj të gjitha vendet që votuan në favor të Kosovës, por edhe shpresoj se edhe vendet që kanë abstenuar dhe ato që kanë votuar kundër do të reflektojnë dhe do të inkurajohen që të votojnë për pranimin e Kosovës në UNESCO”, tha Hashim Thaci.

Vendimi i Bordit ekzekutiv të UNESCO-os, i cili ishte në favor të anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë është vlerësuar edhe nga partitë politike opozitare, të cilat po vazhdojnë të mbajnë të bllokuar punimet e kuvendit të Kosovës.

Së shpejti Marrëveshja e Stabilizim Asocimit

Udhëheqësit më të lartë të instittucioneve të Kosovës thonë se në ditët e ardhshme ata presin edhe lajme të mira nga Brukseli për shtetin e Kosovës dhe qytetarët e saj. Me këtë ata i referohen tashmë konfirmimit zyrtarë se me datën 27 tetor, Kosova dhe Bashkimi Evropian do të nënshkruajnë marrëveshjen e Stabilizim Asocimit MSA. Këtë e konfirmoi Ministri për Integrim Evropian Bekim Çollaku, i cili ishte njëherësh kryenegociator për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

“Procedurat e brendshme nga palët janë në përfundim e sipër dhe nënshkrimi do të ndodh javën e ardhshme, me datë 27 Tetor 2015, në Strasburg. Nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim Asociim shënon pikë kthese në marrëdhëniet e Kosovës me Bashkimin Evropian. Ky është moment historik për Kosovën sepse për herë të parë vendos marrëdhëniet kontraktuale me Bashkimin Evropian”, thotë ministri Bekim Qollaku. Marrëveshja për Stabilizim Asociim do të nënshkruhet nga Federica Mogherini, përfaqësuese e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe komisionari për Zgjerim, Johannes Hahn.