1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Obama Nominierung

Kristina Bergman/ Denver29 Gusht 2008

Ai pritej me interes të madh - fjalimi i kandidatit demokrat për president të SHBA Barak Obama, në kongresin e partisë. Me fjalët e tij drejtuar delegatëve dhe zgjedhësve në vend dje (29.8.) përfundoi kongresi i partisë.

https://p.dw.com/p/F7Eh
Xho Biden dhe Barak Obama në Denver
Xho Biden dhe Barak Obama në DenverFotografi: AP

Demokratët e kanë merituar vërtet këtë festë. Tetë muaj ju deshën atyre për të gjetur një kandidat për president dhe për t'a mbështetur atë të bashkuar. Në fushatën zgjedhore për presidencën u lëshuan shumë fjalë të liga kundër Barak Obamës, në rradhë të parë nga ana e bashkëshortëve Klinton. Fjalë të cilat ndoshta do t'i krijojnë vazhdimisht atij probleme në garën për Shtëpinë e Bardhë.

Zyrtarisht demokratët kanë përgënjeshruar gjithnjë se fushata preliminare kishte përçarë partinë. Dramaturgjia e kongresit të partisë në Denver vërtetoi të kundërtën. Atje demonstrimet e unitetit ishin prioriteti kryesor. Hilari Klinton, rivalja kryesore e Barak Obamës para pak kohësh ka folur vetë për ndryshime për t'i sjellë në anën e Barak Obamës zgjedhësit. Ekipi i saj nuk i ka kursyer përpjekjet për t'a mundësuar këtë. Hilari dhe Bill Klinton të paktën në dukje u pritën me krahë hapur. Ata i qëndruan lojës dhe me gjithë autoritetin e tyre politik u pozicionuan në krah të kandidatit për president. Sigurisht jo pa asnjë dobi personale, pasi në rradhë të parë imazhi i ish-presidentit Bill Klinton ishte cënuar shumë nga sulmet kundër Obamës. Çifti Klinton nuk mund t'ia lejojë vetes të vërë në lojë fitoren e demokratëve në zgjedhjet presidenciale në nëntor. Kështu Hilari Klintoni u kujdes që Obama të shpallej kandidati i partisë për president. Dhe Bill Klintoni tha më në fund ato fjalë të cilat nuk i kishin kapërcyer buzët e tij më parë dhe për të cilat kishin pritur përkrahësit e Barak Obamës: Obama është gati të drejtojë Amerikën. Klinton bëri madje shaka kur tha se 16 vjet më parë republikanët e kishin akuzuar edhe atë se nuk kishte përvojë.

Përkrahësit e Klintonit e mirëpritën këtë inskenim. Në fund ata u mblodhën rreth senatorit 47-vjeçar nga Ilinoisi. Të enjten në mbrëmje në Denver ai tregoi edhe njëherë se çfarë oratori i zoti është. Nga njëra anë i mbeti besnik stilit të tij dhe nuk iu tremb fjalëve të mëdha. Ky është një moment vendimtar në histori, tha ai, në të cilin të gjithë duhet të përpiqen që ekonomia e Amerikës të marrë sërish veten dhe ëndrra amerikane të jetë sërisht e mundur. Por Obama e ka kuptuar se duhet të jetë më konkret nëse dëshiron t'i fitojë zgjedhjet në nëntor. Kështu ai u shpjegoi amerikanëve se çfarë përgjigjesh ka ai për problemet dhe shqetësimet e tyre. Ai paraqiti një panoramë të gjerë nga politika energjitike deri tek ajo e jashtme. Nëse mesazhi ka mbërritur tek zgjedhësit dhe zgjedhëset, kjo do të shihet ditët dhe javët që vijnë. Por pamjet që mbeten në mendje nga ky kongres partie tregojnë një parti përsëri të bashkuar dhe një kandidat i cili është gati të fillojë betejën elektorale.