1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Ultranacionalistët serbë kundër ndryshimeve në Serbi

Autoritetet e Serbisë me bashkëpunimin e tyre me BE-në rreth çështjes së Kosovës dhe mbështetjen e paradës së homoseksualëve kanë dëshmuar se janë të gatshme të respektojnë vlerat evropiane dhe të jenë tolerante.

Qarqet nacionaliste dhe ekstremiste serbe, të cilat janë të gatshme të përdorin edhe dhunën

Qarqet nacionaliste dhe ekstremiste serbe, të cilat janë të gatshme të përdorin edhe dhunën

Por pikërisht këto janë elemente që nuk pranohen nga qarqet nacionaliste dhe ekstremiste serbe, të cilat janë të gatshme të përdorin edhe dhunën, siç u pa në rrugët e Beogradit dhe gjatë ndeshjes futbollistike me Italinë.

Shkaqet janë të thella

Dhuna dhe vandalizmi i grupeve ultranacionaliste serbe në Beograd dhe Itali, gjatë paradës së homoseksualëve dhe ndeshjes Itali - Serbi, dëshmojnë se shkaqet janë më të thella dhe nuk kanë të bëjnë vetëm me këto manifestime. Ajo dëshmon se ende ekzistojnë pjesë të popullit serb që mendojnë se atij i janë bërë të padrejta dhe se vendi nuk po shkon në drejtimin e duhur. Kësaj duhet shtuar edhe gjendja e rëndë ekonmike, nivelin e lartë të papunësisë (rreth 20 per qind) si dhe historia traumatike e së kaluarës së afërme. Segmentet ultranacionaliste janë në parim shumë të zëshme, që nuk do të thotë se kanë një mbështetje të gjerë, pohojnë ekspertët e Qendrës për Studime Evropiane në Bruksel.

Protesta kundër homoseksualëve

Protesta kundër homoseksualëve

"Serbia ishte dhe është një vend tradicional ortodoks, me ndikim të fuqishëm të kishës dhe historisë. Por Serbia për hirë të së ardhmes duhet të pajtohet me të kaluarën. Ultranacionalistët e dhunshëm janë një pakicë e cila ngadalë po e humb dheun nën këmbë. Ata mendojnë se liderët e tyre i kanë tradhëtuar, si për shembull në çështjen e Kosovës dhe se dhuna është rruga më e mirë për të shprehur mendimin e tyre“, pohon Georg Dura, analisti i kësaj Qendre.

Leksioni në rrugën drejt BE-së

Autoritetet e Serbisë me bashkëpunimin e tyre me BE-në për çështjen e Kosovës dhe mbështetjen e paradës së homoseksualëve, kanë dëshmuar se e mbështesin rrugën e tolerancës, demokracisë dhe vlerave evropiane. Ndërkohë që qarqet tradicionale dhe nacionaliste janë pikërisht kundër këtyre vlerave në Serbi. Raste të ngjashme nuk ka, por ka ngjashmëri me zhvillimet në disa vende të tjera. Si për shembull, në Poloni apo Rumani, ku ka pasur rezistencë të theksuar ndaj antarësimit në BE.

„Me kohë kjo rezistencë është zhdukur, ndërsa populli është mësuar me vlerat e tjera dhe me tolerancën. Është ky një leksion që duhet të mësohet në rrugën drejt BE-së. Shoqëria duhet të hapet dhe njerëzit të shohin se ekzistojnë edhe mundësi tjera të jetesës", thotë Dura. Sipas tij, një situatë të ngjashme kemi edhe në Rusi dhe pjesë tjerë të Evropës Lindore.

Serbia duhet mbështetur

Shkaku i protestave është shumë më shokues se vetë intensiteti i protestave

Shkaku i protestave është shumë më shokues se vetë intensiteti i protestave

Ndonëse skenat e dhunës gjithmonë dëmtojnë imazhin e një vendi, skenat si ato të fundit në Beograd dhe Itali, mund të shihen edhe në vendet perëndimore. Ekspertët në Bruksel thonë se shkaku i protestave është shumë më shokues se vetë intensiteti i protestave. Prandaj, mendojnë se Seria ka nevojë për mbështetje.

„Këto ngjarje nuk do të dëmtojnë shumë lëvizjet pozitive në raportet mes BE-së dhe Serbisë", pohon Georg Dura dhe shton: „BE nuk duhet të hezitojë t'i japë Serbisë statusin e kandidatit për antarësim, me qëllim që të sigurohet rruga e reformave. Autoritetet serbe kanë dëshmuar se janë të gatshme për kompromise. Ndërsa BE-ja duhet të ofrojë mbështetjen politike dhe ekonomike“.

Autor: Marina Maksiomoviq/ Bahri Cani

Redaktoi: Aida Cama