1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Ulrich: "Më kanë sharë dhe kërcënuar, por..."

Intervistë me përfaqësuesin e qarkut, Götz Ulrich, pas zjarrit në një vendstrehim të planifikuar për refugjatë në Tröglitz. Ekstremistët e djathtë e kanë përzgjedhur këtë vend për të treguar forcën.

Deutsche Welle: Zoti Ulrich, si paraqitet atmosfera në Trçglitz, dy ditë pas sulmit?

Götz Ulrich: Atmosfera është e rëndë. Madje edhe tek ata të cilët janë deklaruar kundër vendosjes këtu të një vendstrehimi për refugjatë. Edhe ata janë të befasuar dhe të indinjuar me atë që ka ndodhur. Të shtunën kemi mbajtur një tubim ku kanë folur shumë persona që mbështesin ngritjen e një vendstrehimi për refugjatë këtu. Për hir të së vërtetës: në rrethinë ka pasur edhe disa kundërshtarë.

Si janë prezantuar kundërshtarët?

Së pari kanë qenë më të përmbajtur dhe nuk kanë treguar asnjë reagim. Por më pas ka pasur disa, ndër të cilët edhe unë, të cilët kanë kërkuar të bisedojnë me kundërshtarët. Unë kam pasur përshtypjen që edhe ata e kanë vërejtur se atë që kanë bërë - pa dashur këtu që t'i fajësoj për vënien e zjarrit - ka kontribuar që të ndodhë ky akt i papranueshëm, i turpshëm dhe kriminal, me ndezjen e vendstrehimit.

Götz Ulrichi-n e kanë kërcënuar

Götz Ulrichi-n e kanë kërcënuar

Çfarë mund të thuhet për hetimet e deritanishme?

Për këtë e mbanë përgjegjësinë Zyra e landit për luftimin e kriminalitetit. Mendoj se fjala është për vënie të qëllimtë zjarri. Prokurori e ka konfirmuar këtë të shtunën shumë qartë.

Në mars, kryebashkiaku i Tröglitz, Markus Nierth, ka dhënë dorëheqjen, sepse e ka ndjerë veten të rrezikuar nga e djathta. Tani edhe ky zjarr në vendstrehimin e planifikuar për refugjatë. A mund të flitet tani për vendosjen e refugjatëve këtu, në këto kushte?

Ka shumë shembuj edhe në këtë rajon, ku sistemimi, përkujdesja dhe integrimi i azilkërkuesve ka rezultuar me sukses, si në Hohenmölsen, Eckartsberga. Apo dhe në qytetet Naumburg, Weißenfels, Zeitz. Në Tröglitz është një situatë speciale. Më duhet të them se gjendja nuk është e rëndë vetëm për azilkërkuesit, por edhe për politikanë komunalë. Kjo është një sfidë e veçantë. As ne nuk kemi mbështetjen e të gjithëve, për angazhimin tonë. Unë sot kam marrë shumë e-maila me sharje dhe kërcënime se "do të ketë edhe masa të tjera".

Pse po ndodh kjo pikërisht në një vend me 2800 banorë, siç është Tröglitz?

Sikur të kishim një përgjigje të qartë në këtë pyetje, do ta kishim më lehtë të ndëmarrin edhe masat. Unë besoj se kjo ka të bëj më pak me banorët e këtushëm, sesa me të djathtën që ka demonstruar këtu. Ka pasur një lloj matejeje të forcave, nëse njerëzit këtu mund të përballojnë një valë kaq të fuqishme të krahut të djathtë kundër vendstrehimit për refugjatët.

Ju keni paralajmëruar pas sulmit se do të vazhdoni planet për vendosjen e 40 refugjatëve në Tröglitz. Ku do të vendosen ata?

Godina është dëmtuar, ndaj rindërtimi me siguri që do të zgjatë me muaj të tërë. E gjithë godina është dëmtur, jo vetëm nga zjarri, por edhe nga shpimet për shuarjen e zjarrit. Por ka oferta të banorëve për lirimin e banesave. Ndërkohë që ka edhe godina të lira. Ne do të përpiqemi të përshpejtojmë vendosjen e refugjatëve në Tröglitz, sepse duam të dërgojmë një sinjal të qartë, se një vepër e këtillë kriminale nuk do të evitojë vendosjen e refugjatëve këtu. Ne i mbetemi besnik konceptit tonë, në radhë të parë sa i përket strehimit të familjeve të ikura nga lufta.

Azilkërkuesit e ardhur me siguri që do të njihen edhe me parahistorinë e këtij vendi. Çfarë do të bëni që ata njerëz ta ndjejnë veten të sigurtë?

Kjo është një punë që duhet ta bëjnë vetë banorët. Ata duhet të krijojnë një kulturë përshëndetjeje. Para tre ditësh kemi pasur për herë të parë një përshëndetje të këtillë të azilkërkuesve në Hohenmölsen. Gjatë festës së pashkëve atje do të ketë shumë manifestime, ku do të jenë natyrisht edhe autoritetet. Përveç policisë dhe kujdestarëve, atje do të angazhohen edhe pedagogë si dhe koordinatorë profesionalë të integrimit.

Götz Ulrich (CDU) është këshilltar i qarkut Burgenland në Sachsen-Anhalt, i ngarkuar me organizimin e strehimit të refugjatëve.