1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Ulet besueshmëria e Italisë për të marrë kredi

Kjo ishte goditje e rëndë për Italinë, në mes të krizës së borxheve. Agjencia e vlerësimit Standard & Poor's ka ulur kredibilitetin e vendit duke vlerësuar aftësinë e kthimit të kredive nga "A+" në "A"

Berlusconi nuk i zgjidhi problemet e Italisë

Berlusconi nuk i zgjidhi problemet e Italisë

Nota për Italinë mund të ulet edhe më tej, sepse perspektivat janë "negative" bëri të ditur S&P të hënën në darkë në Londër.     

"Ulja e kredibilitetit pasqyron mendimin tonë për perspektivat e këqia të zhvillimit të ekonomisë së Italisë", argumentoi S&P hapin e marrë. Reforma e aprovuar kohët e fundit nuk mjafton për të penguar këtë zhvillim. S&P vlerësoi se qeverisë së Italisë i mungon aftësia për të vepruar.

Për shkak të vlerësimit të ulët, ekziston rreziku që Italia të duhet të paguajë norma më të larta interesi në marrjen e kredive të reja. Sepse sa më e ulët të jetë aftësia për të paguar, aq më i madh është rreziku që kreditorët të mos i shohin më paratë e dhëna. Për këtë rrezik dhënësit e parave kërkojnë të paguhen norma më të larta interesi.

Bie vlera e euros

Bursistët presin ditën e martë të shkaktohen humbje në tregun gjerman të aksioneve, rënia do të vazhdojë. Rënia e kredibilitetit të Italisë është një lajm tjetër i keq në Evropën e mbushur me lajme të këqia, thotë analisti Ben Potter nga IG Markets. Tregtarët folën për të papritur, sepse vlerësimi i bërë nga S&P ishte më ulët se ai i bërë nga konkurenti Moody's.

Si reagim ndaj uljes së vlerësimit për Italinë, euroja ra ditën e martë. Ajo kushtonte 1,36 dollarë.

Pas Greqisë, Italia ka borxhet më të mëdha në zonën e euros. Për të luftuar këtë, Italia aprovoi së fundi një paketë kursimesh në volumin e 100 miliardë eurove.

Parlamenti i Italisë ka vendosur kursime

Parlamenti i Italisë ka vendosur kursime

Italisë iu desh të rifinanconte javën e kaluar tregun e kapitaleve me norma më të larta interesi. Në një ankand bonosh me afat pesëvjeçar, përqindja u rrit në 5,6 përqind.

Italia vuan nga një rritje e ulët ekonomike. Organizata për Ekonominë dhe Zhvillimin OECD, pret sipas prognozave të fundit stanjacion për këtë vit. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ulur shifrat për vitin e ardhshëm nga 0,7 në 0,5%.

Qeveria italiane e kryeministrit Silvio Berluskoni kritikoi vlerësimin e ulët të kredibilitetit të vendit të tij nga Standard & Poor's. Të martën paradite ai tha se duket se vlerësimi i agjencisë është "diktuar" nga njoftimet e shtypit. Sipas tij, vlerësimi i Standard & Poor's nuk i përgjigjet fakteve dhe është "devijuar jo nga faktet por nga "konsideratat politike".

Autor: Aida Cama (dpa, rtr)

Redaktoi: Auron Dodi

 

DW.COM