1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Ukrainasit shpërfillin ndalimin për të demonstruar

Rreth 100.000 ukrainas nuk u sprapsën nga një ligj i ri kundër demonstrimeve. Sërish ata protestuan kundër qeverisë në rrugë. Manifestimi fillimisht paqësor kaloi në dhunë të përgjakshme.

Pati përleshje midis kundërshtarëve të qeverisë së Ukrainës dhe policisë në Kiev. Qindra opozitarë me shkopinj druri në duar dhe me maska u përpoqën që ta shpërthejnë barrikadën e policisë dhe të depërtonin në lagjen qeveritare, për të sulmuar parlamentin. Disa demonstrues hodhën gurë dhe shishe më lëndë djegëse kundër forcave të sigurisë.

Policia vuri në përdorim granata verbuese, gaz lotsjellës dhe në orët e vona të mbrëmjes edhe një ujëhedhëse - në temperaturën rreth tetë gradë celsius. Më shumë se 20 pjesëtarë të forcave të policisë u plagosën, katër prej tyre rëndë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, më shumë se dhjetë milicë po merrnin mjekim në spitale.

Kliçkon e sulmuan

Politikanin properëndimor dhe ish-boksierin Vitali Kliçko e sulmuan, kur u përpoq që ta qetësonte turmën e zemëruar të njerëzve. Sipas informacioneve, atë e spërkatën me një zjarrfikës.

Kundërshtarët e qeverisë që demonstronin donin t'i tregonin presidentit Viktor Janukoviç, se çfarë mendojnë për ligjin e ashpërsuar të së premtes për demonstratat. Disa prej tyre mbanin mbi kokë kusi, sita, kartonë dhe maska karnevalesh, për t'i paraqitur si qesharake planet e Janukoviçit.

Ligji e redukton të drejtën për të demonstruar: për shembull, të gjithë ata që mbajnë maska ose helmeta duhet të llogarisin ndëshkime në gjoba. Deri në pesë vjet burg i kërcënojnë ata që bllokojnë godina publike.

Veç kësaj, një gjykatë vendosi të mërkurën, pa dhënë arsyet për vendimin, që në qendër të kryeqytetit të mos lejohen më demonstrata deri në 8 mars. Dobësimi i së drejtës për të demonstruar u kritikua ashpër edhe në botën e jashtme - si për shembull nga BE dhe SHBA.

Vitali Kliçko refuzohet

Vitali Kliçko refuzohet

Demonstrantët të pakënaqur me Kliçkon

Megjithë ndalimin e protestave, opozita bëri sërish thirrje për të protestuar në sheshin qendror të pavarësisë, Maidan. Si kryetar i partisë së tij Udar (Goditja), politikani i opozitës Klitçko kërkoi sërish zgjedhje të parakohshme, për ta larguar nga posti kryetarin e shtetit, Janukoviç.

Por për herë të parë, ish-kampioni i botës në boks u kundërshtua nga demonstruesit. "Neve na duhet një drejtues, që të na çojë sot dhe tani në fitore. Na duhet një emër", thotë Dmitri Bulatow, njëri nga personat në krye të manifestimeve. Demonstrues të tjerë e tallën Kliçkon. Këto janë sinjale se opozita properëndimore në Ukraiunë është thellësisht e përçarë.

Protesta prej muajsh

Që prej nëntorit mblidhen përfaqësues të opozitës në sheshin e pavarësisë në Kiev. Ata protestojnë kundër vendimit të nëntorit 2013 të Janukoviçit për të mos e nënshkruar një marrëveshje asociimi të negociuar prej shtatë vjetësh me Bashkimin Evropian.

Presidenti veproi me sa duket nën presionin e Rusisë, e cila më pas i dha një kredi prej miliardash dhe një ulje çmimi në furnizimin me gaz. Me paratë ruse, Ukraina shpëtoi nga falimentimi shtetëror.