1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Ukraina: Zgjedhje të reja në kohë lufte

Ukraina zgjedh në tetor parlamentin e ri. Presidenti Poroshenko do të fitojë pikë në popull, por plani i tij ka një dobësi: ligjin e vjetër zgjedhor që favorizon korrupsionin.

Petro Poroschenko e mbajti fjalën. Presidenti i Ukrainës shpërndau të hënën në mbrëmje vonë (25.08.2014) parlamentin dhe shpalli për 26 tetorin zgjedhjet e reja. Pikërisht këtë ai kishte premtuar në fushatën e tij presidenciale.

Kryetari i shtetit e argumentoi vendimin e tij formalisht me shpërbërjen e koalicionit qeveritar. Në fund të korrikut partia UDAR (Goditja) e kryetarit të bashkisë së Kievit kampionit botëror në boks Vitali Klitschko dhe partia e djathë populiste "Svoboda" (liria) u larguan nga koalicioni në parlament. Në fjalimin e tij televiziv Poroshenko tha se vendimi është pjesë e një plani paqeje dhe është në përputhje me dëshirën e shumë ukrainasve.

Vitali Klitschko mund të bëjë koalicion me partinë e re të Poroshenkos

Vitali Klitschko mund të bëjë koalicion me partinë e re të Poroshenkos

Parlament me reputacion të shkatërruar

Në fakt lëvizja opozitare properëndimore bëri thirrje për zgjedhje të reja që në dimër. "Ne duam një rifillim krejtësisht të ri", u kërkua në demonstratat në Maidan, në Sheshin e Pavarësisë, në Kiev. Një nga arsyet ishte miratimi i disa ligjeve në janar, të cilat kufizuan liritë demokratike. Ato bënë që protestat paqësore të shndërroheshin në dhunë. Verhovna Rada, siç quhet Parlamenti i Ukrainës, filloi të quhej në gjuhën e popullit "Verhovna Zrada". "Zrada" do të thotë "tradhëti".

Pas arratisjes së presidentit ukrainas Viktor Janukoviç në Rusi në fund të shkurtit parlamenti i zgjedhur në 2012 u bë organi më i rëndësishëm legjitim shtetëror. U formua një shumicë e re, që zgjodhi një kryetar të ri qeverie dhe një president të përkohshëm.

Partia e Poroshenkos prin në anketime

Sipas kushtetutës ukrainase, parlamenti dhe koalicioni qeverisës kanë më shumë pushtet se presidenti. Poroshenko është i detyruar të bashkëpunojë ngushtë me deputetët, sepse ai nuk ka patur parti të vetën në parlamentin aktual. Zgjedhjet e reja duhet ta ndryshojnë këtë, kjo është shpresa e tij. Por ende është e paqartë, se në ç'mënyrë do ta realizojë këtë kryetari i shtetit.

Partia e Poroshenkos, e themeluar në vitin 2001 "Solidarnist" (Solidaritet) ekziston deri tani vetëm në letër. Në sondazhe ajo prin me deri në 20 përqind. Një koalicion i mundshëm zgjedhor me "Solidaritet", UDAR dhe partinë "Republika e tretë" të ish ministrit të Brendshëm, Juri Luzenko do të sillte një rezultat më të mirë me mbi 30 përqind. Ky është rezultati i një sondazhi, të kryer nga Instituti ndërkombëtar i Kievit për sociologji (KMIS) në korrik.

Por megjithatë është e paqartë, nëse do të krijohet një aleancë e tillë dhe kush do të jetë në krye. Në Kiev spekullohet që kryeministri aktual Arseni Jazenjuk mund të drejtonte partinë e Poroshenkos. Jazenjuk u zgjodh në parlament si deputet i partisë "Batkivshtshina" (Atdheu) të ish-kryeministres Julia Timoshenko. Tani Timoshenko është de facto në opozitë. Partia e saj sipas sondazheve arrin vetëm 10 përqind në vendin e tretë.

Populistët e unionit Svoboda kanë shanse të hyjnë në parlament

Populistët e unionit Svoboda kanë shanse të hyjnë në parlament

Populistët e djathtë në vendin e dytë

Konkurrenti kryesor i partisë së Poroshenkos në zgjedhjet parlamentare nuk duket të jetë Timoshenko, por udhëheqësi i "partisë radikale" Oleh Ljashko. Me retorikën e tij të djathtë populiste dhe patriotike Ljashko entuziazmon me sa duket gjithnjë e më shumë ukrainas. Vlerat e tij në sondazhe rriten sidomos në mesin e votuesve të rinj dhe janë aktualisht 13 përqind.

Edhe partia e djathtë populiste "Svoboda" mund të hyjë sërish në parlament. Megjithatë popullariteti i saj bie, kështu që ajo mund të arrijë kufirin 10 përqind si dy vjet më parë. Por nuk përjashtohet, që "Svoboda" të lidhet me partinë e djathtë ekstreme "Pravy Sektor" (Sektori i djathtë) dhe të fitojë kështu më shumë vota.

Pa komunistë?

Për herë të parë në historinë e re të Ukrainës në parlamant ka gjasa të mos ketë komunistë. Fraksioni i Partisë Komuniste është shpërbërë. Kurse partia vetë ka disa procese gjyqësore përpara për shkak të qëndrimit të saj në krizën aktuale. Ajo akuzohet për tradhëti të lartë, sepse duket të ketë mbështetur aneksimin rus të Krimesë dhe separatistët prorusë në Ukrainën lindore. Komunistët ka mundësi të mos lejohen në zgjedhjet parlamentare në tetor.

Edhe partia proruse e Rajoneve, e cila deri para disa muajsh ishte më e forta në parlament, nuk e ka të sigurtë hyrjen në Rada. Vlerat e saj në anketime janë shumë të ulëta. Kështu për herë të parë në parlamentin e ri do të ketë një shumicë proeuropiane.

Ligji zgjedhor si pengesë

Por shpresat e shumë ukrainasve për një fillim të ri parlamentar turbullohen. Nga njëra anë lufta e vazhdueshme në Ukrainën lindore e bën të pamundur zhvillimin e zgjedhjeve në zonat, ku luftohet. Si një problem edhe më i madh konsiderohet ligji zgjedhor. Ligji i vjetër zgjedhor parashikon që gjysma e anëtarëve të zgjidhen nga listat e partive dhe mandate të drejtpërdrejta. Ky sistem favorizon korrupsionin, sepse emrat në lista nuk publikohen, ankohen shumë aktivistë. Përveç kësaj nga nga mandatet e drejtpërdrejta përsëri mund të përfitojnë biznesmenët e pasur. Duke patur parasysh krizën e rëndë ekonomike në Ukrainë, disa votues mund të hedhin votat e tyre në shkëmbim të dhuratave të fushatës si ushqime. Më parë ka patur shpesh raste të tilla.