1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Ukraina shpreson edhe më tej për një perspektivë në BE

Në Ukrainë, protestat për dënimin e Timoshenkos janë të kufizuara. Ish-kryeministrja nuk është më popullore. Udhëheqja nën Presidentin Janukoviç shpreson edhe më tej për marrëdhënie të mira me BE

Policë mbrojnë gjykatën pas vendimit kundër Timoshenkos

Policë mbrojnë gjykatën pas vendimit kundër Timoshenkos

Dënimi i ish-kryeministres Julia Timoshenko nuk duhet t'i rëndojë negociatat për marrëveshjen e Asociimit midis Ukrainës dhe BE. Kështu u shpreh ministri i Jashtëm i Ukrainës, Konstantyn Hryschtschenko të martën para gazetarëve në Bruksel. Me këtë ai reagoi ndaj protestave të ashpra ndërkombëtare kundër vendimit të diskutueshëm. Hryschtschenko tha se vetë Timoshenko pati bërë thirrje që nënshkrimi i marrëveshjes midis BE dhe Ukrainës të mos bëhet i varur nga përfundimi i procesit kundër saj.

Protesta evropiane kundër vendimit

Megjithë protestat masive ndërkombëtare, Timoshenkon e dënuan të martën (11.10.) në një proces shumë të disktueshëm gjyqësor me shtatë vjet heqje lirie, për shkak të shpërdorimit të detyrës. Atë e gjetën fajtore, që në vitin 2009 kishte nënshkruar me Rusinë në dëm të Ukrainës një marrëveshje për furnizimin me gaz.

Timoshenko shpallet fajtore

Timoshenko shpallet fajtore

Ky vendim është kthyer tani në një pengesë në marrëdhëniet me BE. Në bazë të planifikimeve të deritashme, marrëveshja e Asociimit dhe e Tregtisë së Lirë, e cila synon ta afrojë Ukrainën me BE, duhet të përfundojë në fund të vitit. Pastaj ajo duhet të ratifikohet nga të gjitha shtetet e BE dhe Ukraina. Por vendimi kundër Timoshenkos mund ta ndalë në vend këtë proces. Politikanë të BE kanë deklaruar tashmë se përballë këtij vendimi ka pak gjasa që të arrihet marrëveshja. Një zëdhënëse e së Ngarkuarës me politikën e jashtme të BE, Catherine Ashton bëri të ditur se Brukseli do ta rimendojë politikën e tij ndaj Kievit. Këtu bën pjesë edhe përfundimi i Marrëveshjes së Asociimit. Sepse procesi kundër Timoshenkos nuk ka qenë në përputhje me standartet ndërkombëtare.

Janukoviçi premton ndryshimin e ligjit

Kritika e evropianëve drejtohet para së gjithash ndaj presidentit të Ukrainës, Viktor Janukoviç. Ai reagoi me kujdes ndaj kritikës së ashpër të BE. "Ky është pa dyshim një rast për të ardhur keq, i cili e pengon integrimin evropian të Ukrainës", tha ai në Kiev. Por vendimi nuk është "ende përfundimtar". Timoshenko mund të kalojë në revizion. Megjithatë, shpalljen fajtore të Timoshenkos ai e mbrojti si veprim në përputhje me ligjin. Veç kësaj, ai tërhoqi vëmendjen se hetimet kundër Timoshenkos patën nisur që nën paraardhësin e tij, Viktor Jushçenko në shkurt 2009.

Presidenti Viktor Janukowitsch

Presidenti Viktor Janukowitsch

Vendimi, tha Janukoviçi, është marrë në kuadër të Kodit Penal sovjetik në fuqi që prej vitit 1962. Me marrjen e pushtetit në vitin 2010, qeveria e tij pati trashëguar shumë probleme nga udhëheqja e mëparshme, midis të tjerave mungesën e modernizimit dhe të përshtatjes së legjislacionit ukrainas me standartet evropiane. Por ndërkohë, Komisionit të Venecias i është paraqitur për ekspertizë një projekt për një kod të ri penal.

Timoshenko nuk i motivon më masat

Një ndryshim i Kodit Penal mund ta kthejë në liri Timoshenkon, mendon Mykola Tymenko, anëtare me funksione drejtuese në partinë e Atdheut të Timoshenkos dhe zëvendëspresidente e Parlamentit të Ukrainës. Pa pjesëmarrjen e Timoshenkos në zgjedhjet parlamentare të vitit 2012 as mund të bëhet fjalë për zgjedhje të lira. Kështu mendon shumica e popullit të Ukrainësm thotë Tomenko.

Po është shumë e diskutueshme nëse Timoshenko mund të mobilizojë ende për vete masat. Pas humbjes së zgjedhjeve presidenciale kundër Janukoviçit në vitin 2010 ajo ka humbur shumë mbështetje në popull. Për Timoshenkon dalin sot në rrugë vetëm mbështetës të bindur ose pensionistë dhe të papunë. Të rinj thuajse nuk sheh midis demonstruesve.

Autor: Markian Ostapshuk/ Auron Dodi

Redaktoi: Elert Ajazaj