1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Ukraina para një dimri të ftohtë

Aktivistët e Maidanit nuk pranojnë që kërkesat e tyre të lihen në harresë. Ata kërkojnë reforma në mënyrë që ukrainasit të mund të përballojnë dimrin. Disa prej tyre po hyjnë edhe vetë në politikë.

Dimri i ardhshëm mund të jetë një dimër i ftohtë në Ukrainë. Përballë zënkës për gazin me Rusinë njerëzit po marrin masa të sigurojnë aparatë ngrohje elektrike. Por nuk është i ftohti të cilit i trembet më shumë Mustafa Najem. Gazetari popullor ukrainas, i cili ishte një nga mbështetësit e protestave në Maidan, ka krejt të tjera shqetësime. „Ukrainasit janë thellësisht të trishtuar. Fillimisht kishim Maidanin, pastaj humbëm Krimenë dhe tani kemi luftë që merr mijëra jetë.“ Në këtë situatë për Presidentin Petro Poroshenko dhe qeverinë e tij është e vështirë të përmirësojnë me shpejtësi kushtet e jetesës së njerëzve, thotë Najem për Deutsche Welle-n. Gazetari ishte i ftuar në „Bisedimet e Kievit“, një konferencë me emër në Berlin për zhvillimet në Ukrainë.

A mund të sjellë kthjellimi protesta të tjera?

Mustafa Najem Jury The Bobs

Mustafa Najem

"Problemi më i madh dimrin e ardhshëm nuk do të jetë mungesa e gazit apo naftës por zhgënjimi i njerëzve“, thotë Najem. Protesta të reja qeveria mund t‘i pengojë vetëm nëse arrin të komunikojë me njerëzit. „Ukrainasit tradicionalisht nuk kanë ndonjë opinion të mirë për qeverinë, Presidentin apo Parlamentin“, përshkruan Najem reagimin ndaj më shumë se dy dekadash korrupsion dhe vetëpasurim nga elitat politike. Për këtë arsye Presidenti dhe qeveria tani e tutje duhet të bëjnë përpjekje për t‘i shpjeguar opinionit vendimet e tyre dhe të pranojnë se ka vështirësi. „Për fat të keq politikanët tanë kanë frikë nga kjo.“ Këtë e dëshmoi vendimi i kontestuar i Parlamentit për t‘u dhënë një status të veçantë qyteteve Donjeck dhe Luhansk. Opinioni publik jo vetëm që nuk u informua që në fillim por edhe deputetët u ankuan për parrëgullsi në procedura.

Kuadrot e korruptuara duhet të largohen

Se sa i vogël është besimi i njerëzve tek përfaqësuesit e shtetit, u tematizua në mënyrë të përsëritur në konferencën „Bisedimet e Kievit“. Postet politike janë parë vazhdimisht si „biznes“ si burim të ardhurash në Ukrainë, tha Jehor Sobolev, drejtuesi i „komitetit të lustracionit“ në Ukrainë. Komiteti, i cili është themeluar pas protestave të Maidanit, synon largimin nga administrata të kuadrove të korruptuar. Ish gazetari ekonomik Sobolev foli për një „sistem grabitës“, i cili duhet shkatërruar. Deri tani anëtarët e qeverisë, gykatësit dhe punonjësit e sektorit shtetëror nuk mendonin që të bënin diçka për popullin por të merrnin diçka prej tij. Një gjykatës në Ukrainë që ka një makinë Bentley, sigurisht që nuk e ka paguar atë me rrogën e tij prej vetëm pak qindra eurosh në muaj. „Ripërtëritja e elitave është një çështje kyçe për Ukrainën, theksoi Sobolev, i cili në 2013 ka themeluar partinë e re politike „Wolja“ - „Liri“.

Reforma në vend të retorikës për reforma

Protagonistët e Maidanit nuk e shohin rrezikun vetëm tek rezistenca e forcave nga koha e Janukoviçit por edhe në gjendjen e mjeruar ekonomike të vendit. „Ne na duhet me njërën dorë të bëjmë luftë dhe me tjetrën të rindërtojmë vendin“, tha Anatoliy Maksyuta, zv/ministër për zhvillimin Ekonomik dhe Tregtinë. „Në lindje të vendit një pjesë e ekonomisë po na ikën nga duart, po shkatërrohen sipërmarrje dhe infrastruktura dhe investimet janë në rënie."

Në këtë gjendje delikate Ukraina është e varur nga ndihma financiare, tha Maksyuta. Ai shpreson në një konferencë ndërkombëtare donatorësh me inisiativë të BE-së. Në të njëjtën kohë BE duhet ta shoqërojë dhe këshillojë në mënyrë intensive Ukrainën në reformat që duhen ndërmarrë, tërhoqi vëmendjen ekspertja për Ukrainën Rebecca Harms, eurodeputete e të gjelbërve, „pasi ukrainasit nuk ia dalin dot vetëm“. Në të kaluarën BE është tërhequr rregullisht dhe i ka kërkuar Ukrainës të vazhdojë reformat e saj. „Kjo është e guximshme“, kritikoi Harms. Pa përmirësime të dukshme të kushteve të jetesës, Ukraina nuk mund të bëhet një vend stabil, ishte mendimi i përbashkët i ekspertëve. Retorikë për reforma ka shumë në udhëheqjen ukrainase, por shumë pak ndryshime të vërteta.

Nga Maidani në Parlament

Dy herë kanë dalë deri tani në protesta për objektivat e tyre ukrainasit: në revolucionin portokalli në 2004 dhe në protestat e Maidanit dimrin e kaluar. Arritjet e revolucionit portokalli thuajse humbën krejtësisht në zënkat politike të viteve që pasuan. Në mënyrë që kjo të mos ndodhë përsëri, një numër aktivistësh të Maidanit kandidojnë për zgjedhje parlamentare në fund të tetorit, ndër ta edhe Jahor Sobolev dhe Mustafa Najem.

Deutschland Ukrainie Kiewer Gespräche in der Konrad-Adenauer-Stiftung in Berlin

„Bisedimet e Kievit“, një konferencë në Berlin për zhvillimet në Ukrainë.

Kjo është hera e parë në historinë e Ukrainës që gazetarë dhe aktivistë hyjnë në politikë pasi duan vetë“, tha Najem. Ai vetë ishte para alternativës të kritikonte qeverinë ose të ndihmonte për të eliminuar sistemin e vjetër. Najem, i cili kandidon në listën e Petro Poroshenkos ka pasur jo pak kritika nga kolegët dhe miqtë. „Kush thotë se një politikan duhet të jetë i korruptuar, duhet të vjedhë dhe gënjejë? Nuk janë këto rregullat e mia“. Ai ka arritur në konkluzionin se mobilizimi social duhet të pasqyrohet edhe në aktivitet politik, tha Najem. Ndryshe idetë dhe idealet e lëvizjes së protestës mund të humbasin përgjithnjë.