1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Ukraina para ndryshimit të pushtetit - Zgjedhjet vendosin kush do të jetë president

Duket se në garën për postin e presidentit në Ukrainë do të ketë balotazh në fillim të muajit shkurt. Pas numërimit të 70 për qind të votave ish-kryeministri pro-rus Viktor Janukoviç kryeson qartë me 36,2 për qind.

Zdhedhës duke votuar.

Në garën për postin e presidentit në Ukrainë do të ketë balotazh në fillim të muajit shkurt.

Viktor Janukoviç reagoi mbrëmë i përmbajtur ndaj parashikimeve zgjedhore, që nuk linin dyshime për fitoren e tij: "Kur shikon rezultatet, bëhet e qartë që qytetarët tanë duan ndryshim. Ata shprehën kërkesën për përmirësimin e kushteve të jetesës."

Ngazëllimi ka tjetër pamje, por Janukoviçi e di që me kaq nuk është bërë ende president. Në balotazh kryetarja e qeverisë Julia Timoshenko, një ikonë e Revolucionit të Portokalltë, ka shanse për fitore.

Idhtarë të Jakukoviçit.

Në votime nuk pati shkelje të rënda.

Në raundin e dytë shifrat mund të jenë të ndryshme

Pas numërimit të protokolleve të rreth 40 për qind të vendvotimeve Janukoviçi ka marrë afro 37 për qind të votave dhe kryeson me më shumë se dhjetë për qind ndaj Timoshenkos. Megjithatë, në raundin e dytë shifrat mund të jenë krejt të tjera. Vendimtare është se sa zgjedhës, që mbështetën dje kandidatë të tjerë do të votojnë për Timoshenkon. Julia Timoshenko shpreson në një aleancë të gjerë pro-perëndimore. Ajo i ofroi negociata kandidatëve të renditur pas saj, ish-shefit të bankës kombëtare Tigipko, ish-kryetarit të parlamentit Jazenjuk dhe kampit të presidentit aktual Jushçenko: "Unë i kuptoj ata, që votuan për Tigipkon dhe Jazenjukun. Ata duan ndryshimin, unë e garantoj ndryshimin, që pritet në vend. I kuptoj ata, që votuan për Jushçenkon. Ata duan që Ukraina të bëhet një shtet i pavarur, sovran dhe evropian. I garantoj zgjedhësit e Jushçenkos për këtë zhvillim. Prandaj nga sot jam e hapur për proces negociatash, që bën të mundur lëvizjen përpara me forca të bashkuara, demokratike."

Viktor Janukoviç.

Viktor Janukoviç reagoi mbrëmë i përmbajtur ndaj parashikimeve zgjedhore.

Jushçenko : Timoshenko rrezik për Ukrainën

Tigipko und Jazenjuk refuzuan të jepnin rekomandime për zgjedhësit e tyre për balotazhin. Jushçenko nuk u shpreh ende, por në fushatën zgjedhore ai kishte deklaruar se Timoshenko ishte rrezik për Ukrainën. 5 vjet më parë ende krah për krah në Revolucionin e Portokalltë, ndërkohë ata janë tmerrësisht të grindur.

Rrugës duke u kthyer nga konferenca për shtyp e Timoshenkos pyeta shoferin e taksisë se ç'mendonte për rezultatin e zgjedhjeve: "Është keq. Nuk do të bëhet më mirë, këtë e di tërë Ukraina. Pas Revolucionit të Portokalltë e kanë ndarë me kohë pushtetin mes tyre. Vendi qeveriset nga një grup i vogël njerëzish, qeveria është marionetë e tyre."

Julia Timoshenko

Julia Timoshenko shpreson në një aleancë të gjerë pro-perëndimore.

Sergej nuk ka vajtur në votim dhe hyn kështu tek rreth 12 milionë mosvotuesit. Por me 67 për qind pjesëmarrja ishte më e lartë sesa pritej.

E diela e zgjedhjeve rrodhi qetë. Me gjithë raportimet për probleme të veçanta nuk u mësua për shkelje të rënda të kodit zgjedhor, apo për manipulime. Vëzhguesit e OSBE-së do t'i publikojnë sot pasdite në një konferencë shtypi vlerësimet e tyre për zgjedhjet.

Autor : Esther Hartbrich / Vilma - Filaj Ballvora

Redaktoi : Aida Cama

  • Data 18.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LYcQ
  • Data 18.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LYcQ