1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Ukraina para falimentimit të shtetit

Krizës politike në Ukrainë i shtohet edhe gjendja katastrofike ekonomike. Devizat po mbarojnë, borxhet shtetërore janë në rritje.

Në një kohë kur kriza politike e ka drejtuar drejt humnerës Ukrainën, ekonomia ka kohë që është përtokë. Goditjen më të fundit Ukraina e mori të premten (21.02.2014), kur agjencia e klasifikimit të riskut Standard &Poors e uli besueshmërinë për aftësinë e kreditimit të Ukrainës nga "CCC+" në "CCC".

Ky vlerësim është vetëm katër shkallë larg notës "D". Kjo notë jepet kur një vend nuk është më në gjendje t'u përgjigjet detyrimeve të tij për pagesa. Ukraina ndodhet pak para falimentimit shtetëror. Që prej fillimit të vitit, monedha e vendit, Hryvnja humbi më shumë se dhjetë përqind të vlerës përballë euros. Rezervat ukrainase në deviza po shterojnë. Pasoja është që borxhet shtetërore rriten në mënyrë të shpejtë, sepse një pjesë e madhe e kredive është marrë në monedha të huaja. "Falimentimi i shtetit është absolutisht i mundur", thotë Theorakis Grigoriadis, profesor i ekonomisë në Institutin e Evropës Lindore në Universitetin e Lirë të Berlinit.

Që deri tani puna nuk ka ardhur deri këtu, kjo ka lidhje vetëm me kreditë miliardëshe ruse, të cilat Vladimir Putini ia premtoi presidentit ukrainas, Viktor Janukoviç në dhjetor 2013. "Kjo është edhe logjika e presidentit rus, në mënyrë që Ukraina të jetë e varur nga Rusia".

Paratë mjaftojnë vetëm për gjashtë javë

Edhe Thomas Baumann, drejtues i sektorit të Evropës Lindore në Dhomën e Gjermane të Industrisë dhe të Tregtisë (DIHK) e vlerëson si dramatike gjendjen. "Përsa i përket mbulimit të importit, Ukraina është në nivelin e më pak se dy muajve, kjo do të thotë se edhe për gjashtë javë ekziston mundësia e importimit të mallrave, që nevojiten për të garantuar furnizimin e nevojshëm".

Kjo në një kohë kur Ukraina zotëron shumë potenciale ekonomike. Krahas lëndëve të para, si hekuri, magnezi, mangani, nikeli ose zhiva, Ukraina bën pjesë në eksportueset më të mëdha të drithërave në botë. Grigoriadis thotë se "Ukraina është një vend me drejtim të fortë bujqësor". Bujqësia është e përhapur në radhë të parë në Ukrainën Qendrore dhe Perëndimore, kurse në Lindje është përqendruar industria e rëndë dhe lëndët e para. Por të dyja pjesët kanë një problem të madh: "Ukrainës i mungon një ambjent shumë i industrializuar". Prandaj sipërmarrjet e huaja e kanë të vështirë të bëjnë investime në këtë vend evropianolindor. Kësaj i shtohet korrupsioni galopant dhe pasiguria juridike. Shumë struktura janë të vjetëruara. Një pjesë e madhe e infrastrukturës është ende e kohës sovjetike.

Shpenzime të vogla për pagat dhe treg interesant

Megjithatë, Ukraina luan një rol të rëndësishëm për firmat gjermane. Gjithsej tetë përqind e importeve të Ukrainës vijnë nga Gjermania, thotë Thomas Baumann i Dhomës Gjermane të Industrisë dhe të Tregtisë (DIHK). "Ne besojmë se në Ukrainë janë aktive më shumë se 2000 sipërmarrje gjermane." Para së gjithash për shkak të shpenzimeve të ulëta për pagat, Ukraina është vend me interes për prodhuesit gjermanë të automobilëve. "Në Ukrainën Perëndimore paguhen paga mujore prej më pak se 200 euro. Këto janë shifra jashtëzakonisht të përshtatshme."

Më parë duhet të zgjidhet kriza politike, për t'u përballur me problemet ekonomike. Por kohë për këtë në fakt nuk ka.