1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Ukraina në ankth për Marrëveshjen e Asociimit me BE

Marrëveshjen e Asociimit midis BE e Ukrainës e kërcënon zvarritja prej referendumit në Holandë. Kundërshtarët e saj prijnë në anketime. Marrëveshja me Bashkimin Europian parashikon në thelb një zonë të tregtisë së lirë.

Këtë hap pas, Ukraina me siguri që nuk e kishte llogaritur. Publikimi i Panama Papers për bizneset me firmat "guackë" të shumë politikanëve në botë, midis tyre të Presidentit ukrainas Petro Poroshenko erdhi në një kohë të papërshtatshme për vendin. Në Holandë të mërkurën (06.04.) votohet në një referendum për Marrëveshjen e Asociimit të BE me Ukrainën. Sondazhet i shohin kundërshtarët e marrëveshjes me dy të tretat e votave shumë qartë përpara. Megjithatë, shumë vetë janë të pavendosur. Raportimi për Panama Papers e rëndoi atmosferën sidoqoftë dukshëm, shkroi Serhij Leshçenko, deputet i partisë së Poroshenkos në Facebook. "Të gjitha argumentat humbasin" në sfondin e Panama Papers, shkruan ai.

Ofensiva ukrainase në fazën finale

Ngjashëm si Leshçenko në ditët e kaluara në Hollandë shkuan shumë politikanë ukrainas, personalitete të shquara dhe aktivistë. Ministri i Jashtëm, Pavlo Klimkin, kryetari i Bashkisë së Kievit si dhe ish-kampionët e botës në boks, Vitali Kliçko dhe vëllai i tij Vladimir dolën para medieve. Studentë aktivistë zhvillonin biseda me njerëz në rrugë. Në fund të marsit në Hagë u zhvillua një forum ukrainas-hollandez për investimet. Aktivistë të shoqërisë civile në Ukrainë mblodhën videomesazhe të ukrainasve të thjeshtë me argumenta pro dhe i publikuan ato në youtube.

Rrugë e vështirë për zonën e tregtisë së lirë

Kjo në një kohë kur shumë ukrainas menduan se e kishin lënë pas vetes rrugën e vështirë të marrëveshjes me BE. Ajo parashikon në thelb një zonë të tregtisë së lirë me BE. Të gjitha shtetet e BE e kanë ratifikuar tashmë marrëveshjen e Asociimit me Ukrainën. Pro marrëveshjes votoi edhe parlamenti hollandez. Por dy iniciativa qytetare skeptike ndaj Evropës arritën me më shumë se 400.000 nënshkrime të imponojnë për këtë një referendum. Ata e kthyen të gjithën në një votim për politikën e BE dhe pohojnë se Marrëveshja është një hap i parë për anëtarësimin në BE të Ukrainës.

Shumë politikanëve të Ukrainës do t'u pëlqente një interpretim i tillë, por Brukseli e bëri të qartë: Marrëveshja e Asociimit nuk është përgatitje për anëtarësim të plotë. Rezultati i referendumit vërtet nuk është detyrues, por qeveria do ta kishte të vështirë të mos e merrte parasysh. Edhe për Holandën, që aktualisht ka presidencën e radhës të BE, një Jo do të ishte një turp, mendojnë shumë vëzhgues. E ardhmja e marrëveshjes është e paqartë. Një Jo e holandezëve të paktën do ta zvarriste edhe më tej hyrjen e plotë në fuqi të saj dhe do të dobësonte atmosferën properëndimore në Ukrainë.