1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Ukraina mes shpresës dhe mosbesimit

Qeveria dhe Presidenti pranojnë kërkesat e demonstruesve. Kryeministri jep dorëheqjen, Parlamenti anulon ligjet e diskutueshme. Tani opozita duhet të ndalojë spiralen e dhunës, por ajo ngurron.

As brohorima, as entuziazëm rrugëve të Kievit. Në vend të tyre vazhdojnë të ndërtohen barrikada dhe të përgatiten kokteje molotov për betejat me policinë. Megjithatë ndjehet pak shpresë dhe aty-këtu sheh dhe njerëz që buzëqeshin, duke shpresuar se gjakderdhja e mëtejshme po parandalohet. Lajmi se qeveria po u bën demonstruesve lëshime më befasoi, thotë Valentin, një protestues 40-vjeçar. "Me sa duket Presidentit i ka hyrë frika," thotë ai.

Dorëheqje nën presionin e rrugës

Viktor Janukoviçi e përmbushi të paktën pjesërisht pjesën e tij të marrëveshjes me opozitën. Çuditërisht qeveria ukrainase ndërmori të martën (28.01)) një hap të parë drejt deeskalimi. Pak pas orës 10:00, sipas kohës lokale, kryeministri Mykola Azarov i dorëzoi Presidentit dorëheqjen e tij. Ky është një hap i pazakontë. Janukoviçi e kishte emëruar Azarovin kur u zgjodh president në vitin 2010 dhe deri tani e ka mbështetur atë.
Opozita kërkoi dorëheqjen e Azarovit edhe për shkak të dhunës me të cilën policia veproi kundër protestuesve në Kiev dhe qytete të tjera. Me sa duket, Janukoviçi vendosi nën presionin e rrugës ta sakrifikojë aleatin e tij të ngushtë. Se kush do të jetë kreu i ri i qeverisë, është ende e paqartë. Kreu i opozitës Arseniy Yatsenyuk i partisë "Atdheut" nuk pranoi ofertën e Presidentit.

Parlamenti shfuqizon ligjet e diskutueshme

Edhe në Parlament shumica qeveriëse i bëri lëshime ndaj opozitës. Me një shumicë të madhe deputetët votuan kundër të ashtuquajturave "ligje të 16 janarit." Fjala është një paketë ligjesh që kufizonin të drejtën e protestave në Ukrainë.


Opozita i përshëndeti lajmet nga Parlamenti, por do të presë hapa të mëtejshëm. Të mërkurën do të vendoset për një amnisti për pjesëmarrësit në protesta, si dhe një reformë gjithëpërfshirëse kushtetuese që do të zhvendosë balancën e pushtetit në favor të Parlamentit.

Punë bindëse

Opozita ukrainase gjendet tani para detyrës së saj më të vështirë që kur filluan protestat kundër qeverisë dhe presidentit. Ajo duhet t'i bindë mijëra protestues në Kiev që të tërhiqen nga sheshi dhe rrugët ku zhvillohen protestat dhe të largohen nga ndërtesat që mbajnë të pushtuara në bulevardin Kreshtshatik, por sidomos nga rruga Hrushevski, ku ditët e fundit ka pasur beteja mes protestuesve dhe policisë .
Por në radhët e opozitës po shfaqen mosmarrëveshje. Përfaqësuesit e partisë Atdheut nuk janë të gatshëm për kompromis dhe kërkojnë dorëheqjen e Presidentit . "Komandanti" i vetëshpallur i Maidanit, Andrij Parubij , tha se protestuesit do të dalin nga godinat e pushtuara vetëm kur presidenti dhe qeveria të japin dorëheqjen.
Vitali Klitschko i partisë UDAR duket është më fleksibël në qëndrim. Nëse ai arrin t'i bindë njerëzit që të bëjnë lëshime, mund të shpresojmë për një zgjidhje paqësore të konfliktit në Ukrainë. Ditët e fundit ai nuk ka pasur gjithmonë sukses. Kështu Klitschko arriti t'i bindëte disa demonstrues radikalë që të mos e sulmonin më policinë me bomba molotov, por nuk arriti të parandalojë pushtimin e ndërtesave të tjera, ndër to dhe Ministrinë e Drejtësisë.

Shumë protestues duan të qëndrojnë

Protestuesit në barrikadat në rrugën Hrushevski duan të qëndrojnë deri sa presidenti Viktor Janukoviç të japë dorëheqjen. "Ne nuk do të largohemi nga këtu, edhe nëse Klitschko na lutet," i thotë një protestues i ri Deutsche Welles. Shumë kanë frikë se në qoftë se largohen tani rrugët Kievit, më vonë mund të përfundojnë para gjykatës. "O tani, o kurrë, ne duhet rrimë deri sa Janukoviç të ikë," thotë ai.