1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Ukraina Lindore - vend ku mungon ligji

Në zonat e kontrolluara nga separatistët prorusë në lindje të Ukrainës sundon frika. Arbitrariteti dhe keqtrajtimet janë në rend të ditës. Aktivistët për të drejtat e njeriut kanë dhënë alarmin. Të prekurit tregojnë.

Në fillim të shtatorit organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut Human Rights Watch bëri të ditur se separatistët dënojnë njerëz me punë të detyruar në zonat e kontrolluara prej tyre. Ata akuzohen për gjoja shkelje të rendin publik. Pushtetmbajtësit e vetëshpallur të së ashtuquajturës "Republika Popullore e Donjeckut" kanë njoftuar në faqen e tyre të internetit se kujdesen për rendin sipas përfytyrimeve të tyre.

Se cilat janë dënimet në këtë kontekst, tregojnë njerëzit nga Ilovajsku. Në fund të muajit gusht kur rreth qytetit zhvilloheshin luftime të ashpra, përkrahës të "Republikës Popullore të Donjeckut" vranë një të ri 23 vjeçar, i cili akuzohej për plaçkitje. Informacionet për vrasje arbitrate po shtohen. Vendimet merren nga gjyqe të shpejtë lufte.

Dënime drastike

Siç rezulton nga një raport i Human Rights Watch (HRW) dhe biseda me njerëzit atje, për shkelje banale të rregullave jepen dënime drakoniane. Këtu bën pjesë edhe puna e detyruar. Ajo vendoset nga milicët separatistë kur njerëzit për shembull thyejnë ndalimqarkullimin apo nuk kanë letërnjoftim me vete. Një proces gjyqësor nuk zhvillohet.

"Qytetarët që duhet të kryejnë punë të detyruar, janë rrahur dhe poshtëruar në mënyrë brutale", konstaton HRW. Veç kësaj janë bërë të ditura raste kur njerëzit janë detyruar të shërbejnë në barrakida në rrugë dhe në zona lufte, ku ishin në rrezik të lëndoheshin apo vriteshin." Hugh Williamson, drejtor sektori për Evropën dhe Azinë pranë HRW, kërkon që t'u jepet fund këtyre "brigadave të ndëshkimit" pasi ato përbëjnë një shkeljë të rëndë kundër të drejtave të njeriut.

Rrahje dhe keqtrajtime

"Vëllai im u arrestua jo larg Donjeckut. Nuk e mohoj që mund të kishe pirë dhe të mos ketë pasur letërnjoftim me vete", tregon Natalia. Të njohur kishin parë se si për dënim u detyrua të mbledhë plehrat në rrugë. Vetëm pas disa ditësh e liruan përsëri. "Për të ngrënë i kishin dhënë si duhet. Kush refuzonte urdhërat, rrihej. Por ai nuk dëshëron të tregojë hollësi", tregon gruaja.

"Pashë një burrë që fshinte rrugën para selisë së separatistëve", tregon Sergej, nga lindja e Ukrainës. "Me mundim arrita ta njoh, aq shumë ishin dëmtuar fytyra dhe trupi i tij nga rrahjet. Pastaj pashë se si dy ose tre javë ai kryente punë të ndryshme. Hapte gropa dhe shkarkonte kamionë. Sot ai është bashkuar me separatistët. Thotë se nuk kishe zgjidhje tjetër", tregon Sergej.

"Unë isha një i burgosur luksi"

Alexander është 59 vjeç. Për përjetimet e tij ai nuk mund të fliste në Donjeck, vetëm pasi shkoi në një vend të sigurt. Në 11 gusht njerëz të panjohur me veshje ushtarake e futën me zor në një makinë dhe e çuan në një nga pikat e shërbimit të Ministrisë së Brendshme të pushtuar nga separatistët. Atje i kishin treguar fotografinë e një burri, i cili me gjasë kishte marrë pjesë në një "operacion anti-terror" të ushtrisë ukrainase kundër separatistëve. Burri në foto i ngjante. "Për këtë arsye më futën katër ditë në burg. Por pata fat, nuk më rrahën", tregon ai.

"Këta njerëz janë thjesht kriminelë. Unë u luta ditë me radhë të më jepej mundësia të merrja në telefon të afërmit e mi për t'u thënë se isha gjallë. Vetëm ditën e katërt erdhën përfaqësues të 'Ministrisë për Sigurinë e Shtetit të Republikës Popullore të Donjeckut' tek unë dhe më lanë të lirë. Ata nuk mund t'i konfirmonin akuzat kundër meje." Alexander dyshon se ishte arrestuar për shkak të qendrimit të tij pro-ukrainas: "Të gjithë fqinjët e mi kishin parë se në makinën time më parë kisha një flamur të vogël ukrainas me ngjyrat blu dhe të verdhë."

Qytetarët vuajnë nga mungesa e mbrojtjes

Në zonat e kontrolluara nga separatistët nuk ka as mbrojtje ligjore për qytetarët dhe as liri tubimi dhe mendimi, ankohet Alexander Bukalov, drejtues i organizatës për të drejtat e njeriut "Memoriali i Donjeckut". Edhe kjo është një nga arsyet përse njerëzit largohen nga rajoni.

Nuk ka mekanizma ligjorë për të rifituar lirinë apo për zhdëmtim, thotë aktivisti për të drejtat e njeriut. "Kjo nuk do të thotë se çdo përkrahës i separatistëve është kriminel apo se kudo mbizotëron kaosi. Por përballë kaq shumë arbitrariteti qytetarët ndihen absolutisht të pambrojtur", thotë Bokalov.