1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Ukraina kryesuese e OSBE-së në 2013

Në 2013 Ukraina merr drejtimin e kryesisë së OSBE-së dhe synon të forcojë të drejtat e njeriut. Por ky vend është vetë në fokusin e kritikave për shkak të shkeljes së të drejtave të njeriut.

Walburga Habsburg Douglas ishte e indinjuar. "Kjo është një shkelje e të drejtave të njeriut", u shpreh koordinatorja e posaçme e OSBE-së më 30 tetor 2012, përpara një spitali në Sharkiv në Lindje të Ukrainës. Autoritetet ia ndalonin asaj takimin me ish-kryeministren Julia Timoschenko, e cila ishte e shtruar në këtë spital. Udhëheqësja e opozitës u dënua në vitin 2011, në një proces gjyqësor të kritikuar në nivel ndërkombëtar. Për këtë arsye Timoschenko nuk mundi të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare më 28 tetor. Ky ishte edhe njëri nga shkaqet përse OSBE-ja këto zgjedhje i cilësoi si jo korrekte dhe si "kthim prapa".

Në një sfond të tillë në 2013 Ukraina merr drejtimin e kryesisë së OSBE-së. Akuzat për drejtësi të motivuar politikisht dhe dyshimet ndaj zgjedhjeve parlamentare janë premisat më të këqija për një kryesi ukrainase në OSBE, shkruante në një nga numrat e dhjetorit gazeta e përjavshme e Kievit "Dserkalo tyschnja". Këtë mendim kanë edhe ekspertët gjermanë. "Padyshim që kryesia ukrainase e OSBE-së është e rënduar në mënyrë implicite" thotë në intervsitë për DW Wolfgang Zellner, drejtor i Qendrës për Studimet e OSBE-së (CORE) në Universitetin e Hamburgut. Ngjashëm shprehet edhe Susan Stewart nga fondacioni berlinez "Shkenca dhe Politika". Imazhi i Ukrainës vitet e fundit ka vuajtur prej shkeljeve të të drejtave të njeriut, por edhe për shkak të hapave prapa sa i përket demokracisë, thotë ekspertja. "Ndaj unë besoj, se do të jetë e vështirë për Ukrainën të luajë një rol të fuqishëm drejtues", thekson Stewart.

"Siklet në prapaskenë"

Ukraina është ndërkohë e dyta ish-republikë sovjetike që kryeson OSBE-në. Në 2010 kryesimin e organizatës ndërkombëtare e pati Kazakistani. Ky vend aziatiko-qendror përgatiti në një farë mënyre rrugën për drejtimin e kryesisë nga Ukraina.

Edhe Kazakistani kritikohej për shkeljen e të drejtavë të njeriut. "Deri para pak vitesh në OSBE ka qenë traditë, që në kryesi të zgjidheshin vetëm vende, të cilat u përgjigjen kërkesave minimale lidhur me të drejtat e njeriut", thotë Wolfgang Zellner nga qendra CORE. Por tashmë kjo traditë është prishur. Kur Ukraina aplikoi për kryesinë e radhës në OSBE, nuk pati më diskutime, shton Zellner. Por ai pranon, se "pas kuintave ka një farë sikleti" për shkak të Ukrainës.

Wolfgang Zellner, drejtor i Qendrës CORE në Hamburg

Wolfgang Zellner, drejtor i Qendrës CORE në Hamburg

Reformimi i OSBE-së urgjentisht i nevojshëm

Ndërkohë duket qartë se OSBE-ja ka nevojë për një udhëheqje të fortë. Sepse organizatës së themeluar në vitet 1970 si Konferenca për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (KSBE) i duhet të përballet me zbehjen e rolit të saj.

OSBE-ja u krijua në kohën e Luftës së  Ftohtë si forum dialogu mes blloqeve të armiqësuara në Perëndim dhe në Lindje.  Sot organizata me seli në Vjenë ka 57 vende anëtare nga Evropa, Azia Qendrore dhe Amerika e Veriut. Ajo lufton terrorizmin, përpiqet për zgjidhjen e konflikteve, ose ndihmon në mbrojtjen e mjedisit. Respektimin e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore OSBE-ja i konsideron si "komponent kyç" të konceptit të saj të sigurisë.

E megjithatë ajo nuk ka arritur suksese të mëdha, mendojnë kritikët. Përkundrazi përçarjet e vjetra kërcënojnë ta paralizojnë punën e OSBE-së.  Wolfgang Zellner nga qendra CORE në Hamburg e konsideron si një problem të madh "shpërndarjen në drejtime të ndryshme": "Nga njëra anë janë SHBA dhe shtetet perëndimore, që kapen fort pas kërkesave për të drejtat e njeriut dhe nga ana tjetër Rusia - çka e bën të vështirë të kuptosh, se në ç'aspekt dëshirohet të bashkëpunohet." Rusia si dhe të tjera ish-republika sovjetike e akuzojnë OSBE-në, nisur nga kritikat e saj ndaj zgjedhjeve, për ndërhyrje në punët e brendëshme. Në konferencën e ministrave të jashtëm në Dublin në dhjetor 2012 vendet anëtare ranë dakord për ta bërë më të aftë për veprim OSBE-në. Reforma duhet të përfundojë në vitin 2015.

Asnjë arritje në konfliktin e Transnistrisë

Nëse Ukraina do të mund ta çojë përpara reformën, kjo është e dyshimtë. Qeveria në Kiev përpiqet të mos zgjojë shpresa të mëdha. Ndër prioritetet e kryesisë ukrainase janë mbrojtja e të drejtave themelore, njofton Ministria e Jashtme, pa dhënë formulime konkrete. Përveç kësaj Ukraina do të çojë përpara çështje të tilla si sigurimi i energjisë, apo zgjidhja e konflikteve të vjetra, thuhet më tej.

Një shembull konkret  është Transnistria. Konflikti me krahinën separatiste të Republikës së Moldavisë është i hapur qysh prej 20 vjetësh. Republika e vetëshpallur proklamoi pavarsinë në vitin 1992. Ukraina si fqinjë direkte ka qenë e përfshirë në bisedimet ndërkombëtare për gjetjen e një zgjidhjeje. Wolfgang Zellner, nuk pret ndonjë arritje në këtë drejtim: "Edhe sikur Ukraina të dojë, pozicioni i saj është i dobët, për ta arritur e vetme suksesin." Veç kësaj, sipas ekspertit nga Hamburgu, "Rusia nuk është e gatshme, që t'ia dhurojë Ukrainës këtë arritje".

"Ukraina e ka në dorë"  

Disa vëzhgues në Kiev besojnë, se kryesia ukrainase e OSBE-së mund të zhytet në rutinën diplomatike. Kryesimi i radhës pikë së pari presupozon ruajtjen e kontakteve, organizimin e takimeve apo emërimin e drejtuesve për misionet në terren si p.sh. në Kosovë, shpjegon Wolfgang Zellner. Kryesimi i OSBE-së nuk ka të bëjë me "mbikqyrjen e zgjedhjeve", thotë eksperti.

Sidoqoftë ai është optimist sa i përket asaj çka pritet nga Ukraina si kryesuese e radhës së OSBE-së. Zellner i referohet shembullit të Kazakistanit. Ky vend ndonëse nuk është në nivelin e një demokracie si në Perëndim, ia doli që gjatë trazirave në Kirgistan të tregojë, se mund të kontribuojë për zgjidhjen e konflikteve. Konkluzioni i Zellner-it është, se "Ukraina e ka vetë në dorë".