1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Ukraina: Kryeministër i ri, sistem i vjetër

Ukraina vërtet ka një kryeministër të ri, por besimi në aftësinë e politikës për reforma po humbet. Në vend po kthehen disa tradita të vjetra politike e po sundon tarafi, mendon Bernd Johann.

Për pak Volodymyr Hroisman do të kishte dështuar. Grindjet për postet ministrore e bllokuan për ditë me radhë zgjedhjen e kryeministrit të ri. Plani i Poroshenkos për të ngjitur në post njerëz të besuar të tij, hasi në kundërshtime në koalicionin qeveritar. Kjo, sepse vetë Hroisman doli kundër disa kandidatëve për ministra me qëllim të vendosjes së njerëzve të tij.

Në fund presidenti ukrainas ia doli: Kryetari i deritanishëm i parlamentit zgjidhet kryeministër. Por kjo nuk mund të quhet aspak zgjidhje e krizës politike në Ukrainë. Sigurisht parlamentinuk duhet shpërbërë që vendi të kalojë në zgjedhje të parakohshme. E megjithatë reformuesit në Kiev nuk kanë dalë fitimtarë nga kjo luftë për pushtet.

Kthim në kohën para Maidanit

Dy vjet pas transformimit demokratik në Maidan rikthehen në vend modelet jotransparente të politikës. Përmbajtjet politike nuk luajnë ndonjë rol të madh. Rëndësi ka posti dhe pushteti. Qeveria e gjerë e koalicionit e përbërë nga disa parti, duke reflektuar me këtë edhe shpresën e shoqërisë për një Ukrainë europiane, nuk ka më unitet. Në pararojë kanë dalë lidhjet personale dhe tarafet brenda politikës, si edhe ndërhyrjet e oligarkëve të pasur në prapaskenë. Poroshenko është pjesë e tyre. Si president ai nuk ia ka dalë, - ashtu siç premtoi- se do të ndahej nga biznesi i tij. Skandali i „Panama Papers“ e rëndon sërish.

Kryeministrin e ri e ka rritur politikisht vetë Poroshenko. Hroisman ka qenë kryetar i bashkisë së Vinyzjas para së të kalonte në politikë në partinë e presidentit. Në Vinyzja gjendet edhe një fabrikë çokollatash e Poroshenkos. Ky qytet është vatra politike e presidentit: Turp t'i vijë atij që mendon për tarafe në këtë moment.

Nuk ka më justifikime për Poroshenkon

Poroshenko e detyroi kryeministrin e deritanishëm, Arseni Jazenjuk të japë dorëheqjen duke e bërë atë fajtorin kryesor për dështimet politike në vend. Tani në Ukrainë qeveris njeriu i presidentit. Prandaj në të ardhmen presidenti nuk do mund të ketë më justifikime, në rast se reformat nuk ecin me hapin e duhur.

Kur do të decentralizohet vendi, në mënyrë që rajonet të marrin më shumë përgjegjësi e të drejta? Kur do të reformohet sistemi i drejtësisë, me qëllim që të luftohet korrupsioni? Qindra firma shtetërore duhen privatizuar për të tërhequr investitorët dhe për të sjellë para në arkat gati bosh të Ukrainës. Vendin ende e kërcënon falimentimi shtetëror. Të gjitha këto projekte Kievi i ka shtyrë deri më tani, ashtu si edhe gjetja e vërtetë e një kompromisi për luftën në Donbas, të nxitur nga Rusia.

Kreu i ri i qeverisë në Ukrainë nuk ka më asnjë bonus kohor. Me krizën disajavore politike u harxhua jo vetëm kohë, por u dëmtua edhe besimi politik. Me të drejtë në Ukrainë e në Perëndim shtrohet pyetja, se sa vullnet për reforma ka kabineti i ri. E nuk është shenjë e mirë që reformuesit më të guximshëm nuk janë pjesë e qeverisë së re.

Në fund të këtij artikulli, Ju mund të jepni mendimin Tuaj! Ne gëzohemi për këtë e ju mirëpresim!