1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Ukraina e shpall Europën armike

Parlamenti në Kiev vendosi ashpërsimin e ligjeve për demonstratat. Ky vendim prek jo vetëm opozitën dhe gazetarët e organizatat pro-europiane, por edhe Bashkimin Europian, komenton Bernd Johann.

Rubrikenbild Kommentar albanisch

Njerëzit e angazhuar e me iniciativë në Ukrainë ende kanë guximin të luftojnë për demokracinë, për shtetin e së drejtës dhe për një perspektivë europiane të vendit të tyre. Por shumë shpejt kjo mund të ndryshojë. Rrufeshëm e duke shkelur të gjitha rregullat demokratike në fuqi mazhoranca qeverisëse ia doli që të miratohet në parlament një paketë voluminoze ligjesh, të cilat e kthejnë Ukrainën në një vend autoritar sipas modelit rus apo bjellorus dhe ua heqin shpresat njerëzve për ndryshime politike.

Goditje ndaj të drejtave civile

Parlamenti i Ukrainës do t'i kufizojë ndjeshëm të drejtat e qytetarëve, të organizatave shoqërore dhe të medieve. Këdo që shkel të drejtën e demonstrimit e presin dënime të rënda. Eshtë e qartë, se për kë bëhet fjalë këtu: për nejrëzit, që pavarësisht ndalimit nga gjykatat dhe arbitraritetit brutal të policisë prej muajsh demonstrojnë në sheshin qendror të Kievit, Maidan, për ndryshime demokratike dhe kushte më të mira jetese në vendin e tyre. Dënohen gjithashtu ato që qeveria i konsdieron si shpifje në medie, në internet dhe në rrjetet sociale. Por edhe këtu është e qartë, se përse bëhet fjalë: gazetarët kritikë ndaj qeverisë dhe aktivistët në rrjetin e internetit. Këtej e tutje ata duhet ta kenë të qartë, se duhet të marin parasysh pasojat nga e drejta penale, në rast se kritikojnë politikanët dhe nëpunësit e lartë të shtetit.

Por jo vetëm opozita e gazetarët janë të kërcënuar. Ligjet e reja i dresohen të gjithë shoqërisë civile në Ukrainë. Madje ato drejtohen edhe kundër Bashkimit Europian. Sepse ato prekin ata njerëz, zemra e të cilëve rreh për Europën e kësisoj edhe për BE-në. Ngjashëm sipas modelit të ligjit në Rusi shumë shpejt edhe në Ukrainë organizatat joqeveritare mund të shpallen si "agjente të huaja", nëse ato pranojnë para nga jashtë për projekte sociale. Në mënyrë të veçante kjo mund të prekë organizatat, të cilat bashkëpunojnë në kuadër të programit të BE-së "Partneriteti me Lindjen", duke përfshirë këtu edhe marrëdhëniet bilaterale të Ukrainës me vendet anëtare të BE-së, e kësisoj edhe me Gjermaninë.

Putinizimi i Ukrainës

Kryeministri Mykola Asarow ndërkohë fare hapur pretendon, se bota e jashtme i nxit trazirat në Ukrainë. Me këtë ai e shpall edhe BE-në si armike. Sepse Europa në kuadër të marrëveshjes "Partneriteti me Lindjen" ka rënë dakord për shumë projekte të rëndësishme sociale me Kievin. Gjatë vitit të kaluar udhëheqja ukrainase e dëshironte bashkëpunimin me BE-në. Më pas ajo e ndërpreu procesin duke iu referuar presionit nga Moska. Tani mesa duket ajo e ka tërhequr fort marshin në prapaktheu: larg Europës. Ndaj çdo organizatë shoqërore, që mban kontakte me Europën apo me vendet perëndimore mund të kthehet në problem për të.

Udhëheqja ukrainase me këtë hap i nënshtrohet pa kushte Moskës në të gjitha fushat e politikës. Me refuzimin e afrimit të mëtejshëm në BE duke iu referuar influencës ruse Ukraina ka hequr dorë prej sovranitetit të saj. Mbështetja masive financiare e Putinit e ka vendosur Ukrainën në aspektin ekonomik nën tutelën e Moskës. E tani mesa duket edhe në politikën e brendëshme Ukraina do të ndjekë udhëzimet e Kremlinit. Ukraina po putinizohet. Duket se Kievi ka marrë jo vetëm para prej Putinit, por edhe mandat, që të ndalojë çdo opozitë dhe çdo angazhim të shoqërisë civile, që lidhet me Europën.

Mbyllet porta drejt Perëndimit

Në këtë kontekst bën pjesë edhe fakti, që shërbimi sekret ukrainas ndërkohë po përpilon lista me emrat e të huajve, që konsiderohen se paraqesin kërcënim kombëtar. Këtë madje autoriteti e ka pohuar për Deutsche Welle-n. Edhe disa gjermanë bëjnë pjesë në këto lista. Emrat e tyre nuk janë përmendur nga personat përgjegjës. Madje deputetë të Parlamentit Europian, të cilët gjatë javëve të shkuara vazhdimisht janë përpjekur të kontaktojnë me lëvizjen pro-europiane në Ukrainë, mendojnë ndërkohë, se për ta janë hapur dosje.

Ende Bashkimi Europian e paralajmëron Ukrainën duke theksuar, se porta për në Europë duhet të qëndrojë e hapur. Kjo është e drejtë, sepse bëhet fjalë për njerëzit në këtë vend. E këta, sipas anketimeve, duan demokracinë, një shtet ligjor dhe një standard europian jetese. Por udhëheqja ukrainase prej kohësh ka nisur ta mbyllë fort portën për në Europë.