1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Ukrainë: Zbehen shpresat për përfundimin e shpejtë të dhunës

Në Ukrainë ende nuk po duket i duket fundi luftës së nervave. Ndërsa gjendja atje po acarohet, po rritet dhe presioni i BE-së ndaj qeverisë së Janukoviçit.

Shpresa se protestat e dhunshme do të merrnin fund shpejt dhe që kriza në Ukrainë do të zgjidhej me rrugë politike jetoi vetëm disa orë. Duke u gdhirë dita e sotme mes protestuesve të radikalizuar dhe policisë pati sërish përleshje.

Në qendrën e ekspozitave "Shtëpia Ukrainase" në sheshin Evropa është dislokuar një kompani prej rreth qind policësh. Kjo ndërtesë është me rëndësi strategjike, sepse gjendet mes Sheshit të Pavarësisë, ku zhvillohen protestat paqësore dhe stadiumit Dinamo në rrugën Hrushevskoho. Aty po zhvillohen prej një jave përleshje në rrugë. Policët në "Shtëpinë Ukrainase" u sulmuan nga protestuesit me koktej molotov, u dëgjuan të shtëna dhe shpërthime granatash tymuese. Në këtë mënyrë dhuna po afrohet tek Sheshi i Pavarësisë.

Takimi Viktor Janukoviç, Arsenij Jatsenjuk, Vitali Klitschko dhe Oleh Tyagnybok

Takimi Viktor Janukoviç, Arsenij Jatsenjuk, Vitali Klitschko dhe Oleh Tyagnybok

Opozita nuk e pranon ofertën befasuese të presidentit Janukoviç që opozita të bëhet pjesë e qeverisë në Ukrainë dhe në shkëmbim të largohen mbështetësit e saj në qendër të Kievit.

Reagimet e BE-së ndaj situatës në Kiev

Me shqetësim, por edhe me paaftësi për veprim reagojnë qeveritë e vendeve europiane ndaj situatës në Kiev, ngjashëm janë edhe reagimet nga Gjermania, qëkurse protestat në përgjithësi paqësore kanë marrë tani përmasa dramatike me shkallëzimin e dhunës: Policia ka vënë në përdorim pompat e ujit dhe gazin lotësjellës, ka pasur të shtëna dhe disa të vdekur. Opozita dha ultimatumin, se do të sulmojë nëse presidenti ukrainas Viktor Janukoviç nuk jep dorëheqjen. Ky i fundit tani u lëkund duke sinjalizuar, se parlamenti në Kiev duhet të vendosë për tërheqjen e qeverisë. Megjithatë protestat e kundërshtarëve të qeverisë vazhdojnë.

"Krejtësisht i pafuqishëm", kështu e ndjen veten në këtë moment në sfondin e shkallëzimit të dhunës - siç u shpreh në një intervistë për radion kombëtare gjermane Deutschlandfunk - politikani socialdemokrat gjerman dhe njëkohësisht president i Parlamentit Europian, Martin Schulz. "Janë pamje të tmerrshme që na vijnë nga Ukraina", tha ministri i Jashtëm gjerman, socialdemokrati Frank-Walter Steinmeier në kuadër të konferencës për Sirinë në Montreux. "Unë e kuptoj opozitën e zhgënjyer, e cila prej ditësh e javësh e ndien, që asgjë s'po lëviz." Megjithatë pozicioni gjerman është i prerë: "Dhuna nuk është zgjidhje, e këtë ua themi të dyja palëve."

Merkel kërkon dialog serioz

Kancelarja Angela Merkel i bën thirrje presidentit Viktor Janukoviç të tërhiqet nga ekseset e dhunës

Kancelarja Angela Merkel i bën thirrje presidentit Viktor Janukoviç të tërhiqet nga ekseset e dhunës

Tani qeveria gjermane e ka ashpërsuar ndjeshëm tonin ndaj Ukrainës: Në një telefonatë me presidentin Viktor Janukoviç të enjten (23.01.2014) kancelarja Angela Merkel i bëri thirrje atij që të tërhiqet nga ekseset e dhunës si dhe nga ligjet e diskutueshme, përmes të cilave ai ka kufizuar të drejtën e protestës dhe lirinë e shtypit. Merkel i drejtoi apel presidentit, që të zhvillojë dialog serioz me opozitën dhe të arrij në rezultate konkrete.

Edhe politikani kristiandemokrat, kryetar i komisionit parlamentar për politikën e jashtme në Parlmentin Europian, Elmar Brok, në një intervistë për "Deutsche Welle-n" kërkon të tërhiqen ligjet jodemokratike. Ai thotë, se e kupton mirë që ndër demonstruesit në sheshin e pavarësisë në kryeqytet është akumuluar indinjatë e madhe.

Çfarë sjellin sanksionet kundër Kievit?

Ndryshe nga Angela Merkel, Brok e mbështet propozimin e presidentit të Komisionit të BE-së, José Manuel Barroso, që të vendosen sanksione ndaj Ukrainës. "Unë mendoj, se Janukoviçi dhe njerëzit e tij duhet ta dinë, që dhuna kundër demonstruesve paqësorë është për ne e papranueshme", tha Brok. Por, sipas tij, mund të mendohet që p.sh. të pezullohen llogaritë bankare të anëtarëve të qeverisë dhe të oligarkëve ukrainas si dhe t'u ndalohet atyre lëvizja në Perëndim.

Edhe presidenti i Parlamentit Europian Martin Schulz nuk i përjashton sanskionet si opcion. Njëkohësisht ai paralajëmron, që Ukrainës të mos i mbyllet plotësisht dera për në BE: "Sepse nëse ne si BE themi, që nuk negociojmë më për t'u kthyer në tryezën e bisedimeve për MSA (Marrëveshja e Asociim-Stabilizimit) - atëherë ne i presim në besë njerëzit që protestojnë në sheshin Meidan."