1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Ukrainë: Protestat në Kiev po radikalizohen

Presidenti Viktor Janukoviç ra dakord për krijimin e një komisioni të përbashkët për zgjidhjen e krizës.

Autobusë policie që digjen, gaz lotsjellës, shpërthime. Pas javësh protestash paqësore kundër qeverisë dhe presidentit të Ukrainës të dielën në Kiev pati përleshje mes protestuesve të opozitës dhe policisë. Opozita ukrainase tha se në demonstratat e së dielës pati 500.000 demonstrues, kurse agjencitë ndërkombëtare të lajmeve flasim për 100.000 deri 200.00 demonstrues. Sipas dëshmitarëve okularë, qindra aktivistë ishin përpjekur të hynin në zonën e rrethuar të ndërtesave qeveritare.

"Ka një dinamizëm të ri," thotë Andreas Umland, ekspert për politikën në Akademinë Mohyla në Kiev në një intervistë për Deutsche Wellen. Protesta drejtohej "jo më për një ndryshim të thjeshtë të qeverisë", por për një "ndryshim më të gjerë, atë të regjimit", dmth një zëvendësim të plotë të elitës sunduese të vendit. Dhuna pritet të bëhet gjithnjë e më e mundshme.

Presidenti Viktor Janukoviç duket se tani është i gatshëm për dialog me kundërshtarët e qeverisë. Ai ra dakord për krijimin e një komisioni të përbashkët për zgjidhjen e krizës, tha kreu i opozitës Vitali Klitschko pas një takimi me Janukoviçin.

"Opozita nuk ka asgjë ç'ti ofrojë popullit"

Disa kritikë i quajnë udhëheqësit e opozitës fajëtorë për shkallëzimin e dhunës. Opozita nuk ka ndonjë plan të qartë dhe nuk është në gjendje të bierë dakord për një udhëheqës të protestave. Akuza drejtohet kundër Arsenij Jatsenjuk, udhëheqësi i grupit parlamentar të partisë "Batkivshçina" (Atdheu) të ish-kryeministres Julia Timoshenko, kundër kampionit botëror të boksit Vitali Klitschko të partisë "UDAR" (Goditje) dhe kundër Oleh Tjahnybok, kreu i partisë populiste të djathtë "Svoboda" (Liria).

"Sigurisht, që edhe opozita ka dështuar," thotë Gerhard Simon, ekspert për Evropën Lindore në Universitetin e Këlnit. "Opozita nuk mund t'i mobilizojë njerëzit javë për jave që të vijnë në Maidan, dhe të mos ofrojë asgjë realiste". Kërkesat për dorëheqjen e qeverisë ishin "të pazbatueshme," thotë Simon.

Tani krerët e opozitës thanë se plani i tyre i ri i aksionit parashikon themelimin e një parlamenti alternativ dhe zhvillimin e zgjedhjeve të reja.

Ultimatumit të opozitës po i vjen fundi

Ditët e ardhshme situata pritet të mbetet e tensionuar. Opozita ka bërë thirrje për një grevë mbarëkombëtare. Thirrje të tilla ka pasur edhe javët e fundit, por ato nuk u zbatuan. Protesat e opozitës janë të kufizuara kryesisht në Kiev. Banorët e jugut dhe të lindjes së Ukrainës janë në shumicë pro presidentit Janukoviç.

Gerhard Simon mendon se në situatën e tanishme presidenti ukrainas është dobësuar, por më pak se opozita. Kurse Andreas Umland mendon se ligjet e fundit të miratuara nga parlamenti ukrainas tregojnë se presidenti Janukoviç është një organizëm që po përpëlitet në prag të vdekjes.

Të mërkurën (22.01.2014) skadon ultimatumi që i vuri opozita presidentit më 7 janar. Një nga kushtet është dorëheqja e qeverisë. Një nga udhëheqësit e opozitës, Arsenij Jatsenjuk kërcënon se nëse deri atëhere kërkesat nuk janë plotësuar, do të zhvillohet një demonstratë para pallatit të presidentit. Meqë zona ku ndodhen ndërtesat qeveritare është e rrethuar nga polcia, me sa duket përleshjet e reja me policinë do të jenë të pashmangshme.