1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

UFO rrit presionin ndaj Lufthansës

AGJ / Mimoza Cika-Kelmendi4 Shtator 2012

Për shkak të konfliktit mbi tarifat tek shoqëria ajrore Lufthansa, sindikata e shoqëruesve të fluturimit - UFO - ka rritur presionin ndaj shoqërisë ajrore më të madhe të Gjermanisë.

https://p.dw.com/p/163MS
Fotografi: dapd

Sikurse të premten e kaluar, edhe këtë të martë në mëngjes kanë hyrë në grevë stuardeset dhe stuardesët. Në mesditë pjesë e kësaj greve u bë edhe aeroporti i Mynihut.

Deri në mesditë (04.09.2012) u anuluan tashmë gjysma e fluturimeve në linja të shkurtra dhe të mesme. Edhe një sërë fluturimesh në destinacione të gjata u anuluan. Të prekur më së shumti nga këto greva janë aeroporti i Frankfurt mbi Mainit dhe ai Berlin-Tegel-it. Greva e parë në Frankfurt pati shkaktuar një kaos të madh në komunikacionin ajror evropian, shumë avionë të Lufthansës qëndruan në aeroport.

Mosmarrëveshjet e lindura janë vendet e përkohshme të punës por edhe menaxhimi i Lufthansës. Sindikatat dhe shoqëria ajrore kanë qenë prej kohësh në konflikt mbi pagesat dhe kushtet e punës. Sindikata UFO kërkon një rritje page prej 5 për qind për personelin për 15 muaj, duke filluar nga janari i këtij viti. Aktualisht kompania po i nënshtrohet një shkurtimi prej 1.5 miliardë eurosh për t'i bërë ballë rritjes së çmimit të karburantit dhe konkurrencës nga kompanitë “low-cost”. “Lufthansa” ka rreth 19 mijë punonjës dhe sindikata UFO përfaqëson dy të tretat e tyre.