1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Udhëtimi në Afrikë i Obamas nuk ishte hap i madh përpara

Udhëtimi i Obamas në Afrikë mori fund pas një jave. Euforia fillestare e afrikanëve për Obaman tani ia ka lënë vendin kthimit në realitet. Angazhimi i tij në Afrikë është më i pakët se ai i paraardhësve të tij.

Kërcimtarë e pritën Presidentin Obama kur ai mbërriti në Tanzani, në stacionin e fundit të udhëtimit të tij në Afrikë. Një ritual tradicional si përshëndetje. Në marrëdhëniet dypalëshe Barack Obama dëshiron një ndryshim, një model të ri të bashkëpunimit me Afrikën. Larg ndihmës tradicionale të zhvillimit, drejt një partneriteti me pikërëndesë ekonomike. Ekonomia dhe tregtia qenë në qendër të udhëtimit të tij, prandaj Obaman e shoqëruan rreth 500 biznesmenë. "Synimi duhet të jetë, që Afrika ta ndërtojë vetë Afrikën - për afrikanët. Detyra jonë këtu është që të jemi një partner në këtë proces", tha Obama dhe e lëvdoi Tanzaninë si njërën nga partneret më të mira.

Shokë mjaft të ngushtë?

"Tanzaniasit ju duan", i tha Presidenti i Tanzanisë, Jakaya Kikwete homologut të tij amerikan, kur të dy udhëtonin në rrugën kryesore të Dar es Salaamit, së cilës qëllimisht për vizitën ia ndryshuan emrin dhe ia vunë "Barack Obama Drive". Kemi të bëjmë me shokë mjaft të ngushtë pra?

Vëzhguesit e përshkruajnë gëzimin rreth Obamas si të inskenuar. "Ne kemi marrëdhënie shumë më intensive ekonomike me Kinën, se sa me SHBA", thotë eksperti i ekonomisë nga Tanzania dhe politikani i opozitës, Ibrahim Lipumba dhe përmend shifra. Në vitin 2012, Tanzania ka eksportuar mallra me vlerë 66 milionë dollarë në SHBA - kurse mallrat që u eksportuan në Kinë ishin me një vlerë 530 milionë dollarë.

Por megjithë investimet nga Kina, India dhe Brazili - SHBA luajnë një rol të rëndësishëm në Afrikë. Rreth 600 sipërmarrje amerikane kanë përfaqësitë e tyre në Afrikë dhe ato punësojnë 120.000 vetë. Investimet direkte të SHBA në Afrikë, në vitin 2010 kapën shumën 6,5 miliardë dollarë.

Paraardhësit në post me programe më të mëdha për Afrikën

Paraardhësi i Obamas, Bill Klinton nënshkroi Marrëveshjen e Tregtisë AGOA. Me anë të kësaj marrëveshjeje, një pjesë e madhe e mallrave nga Afrika mund të eksportohen me kushte preference në SHBA. George W. Bush i riu pati si surprizë gjatë kohës në post një program prej 15 miliardë dollarësh kundër AIDS-it. Po Obama, presidenti i parë afroamerikan i SHBA? Programe me përmasa të ngjashme si ato të paardhësve të tij nuk do të ketë. Gjithsesi: Obama shpalli një inisiativë, në të cilën SHBA do të investojnë në pesë vitet e ardhshme shtatë miliardë dollarë, për ta dyfishuar mundësinë e shfrytëzimit të energjisë elektrike në Afrikën e Subsaharasë.