1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Udhëtimi i Westerwelles në Ballkan - më shumë se simbolikë?

Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Guido Westerwelle, fillon të mërkurën udhëtimin e tij treditor në Ballkan. Shumë vëzhgues shpresojnë, që Ballkani të zërë më shumë vend në politikën e jashtme të Gjermanisë.

Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Guido Westerwelle,

Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Guido Westerwelle,

Stacioni i parë i ministrit gjerman në Ballkan është Kroacia. Krahas takimeve me elitën politike në vend, ai do të mbajë edhe një fjalim në Akademinë e Shkencave në Zagreb, ku ndër të tjerash do të përhapë edhe pak optimizëm:

"Po të shohësh se ku ishin vendet dhjetë ose dymbëdhjetë vjet më parë, atëherë mund të thuhet se janë arritur shumë suksese. Ky do të jetë edhe njëri nga mesazhet e këtij udhëtimi".

Kështu shprehet Stephan Bredohl, zëdhënës në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Vëzhgues të rajonit, të cilët bilancojnë në hapësira më të shkurtra kohore, janë më pesimistë. Përveç Kroacisë, e cila sipas të gjitha gjasave në vitin 2011 do të hyjë në BE, në stacionet e tjera të këtij udhëtimi zëvendëskancelarin gjerman e presin një sërë problemesh.

Më serioze paraqitet gjendja në Bosnjë, ku ministri do të qëndrojë për vizitë ditën e enjte. Që prej shumë vitesh vendi është bllokuar në krizën e kushtetutës, edhe për shkak të mungesës së pragmatizmit të elitës politike të boshnjakëve, serbëve dhe kroatëve. Por Westerwelle nuk do të jetë në gjendje të ndryshojë ndonjë gjë në këtë moment, kur vendi ndodhet gjashtë javë para zgjedhjeve parlamentare. Ballkanologu nga Berlini, Bodo Weber mendon:

"Takimet e ministrit gjerman në Bosnjë do të kenë më shumë një vlerë simbolike për t'i inkurajuar zgjedhësit që të votojnë për forcat e moderuara."

Kundërshti në Beograd dhe harmoni në Kosovë

Edhe marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës nuk janë aspak shpresëdhënëse. Planet e Beogradit për një rezolutë të re në OKB për statusin e Kosovës shihen në Berlin si konfrontim i Serbisë me BE-në. Westerwelle, i cili një ditë para udhëtimit të tij bisedoi me ministren e jashtme të BE-së, Catherine Ashton, në takimet e tij po të enjten në Beograd do të përpiqet që t'i lëvizë ata nga pozicioni i tyre. Stephan Bredohl megjithatë thekson:

"Ministri gjerman nuk do të parashtrojë kërkesa, por do të jetë e qartë se mbi cilën bazë do të zhvillohen bisedimet: Gjermania e ka njohur Kosovën dhe ne mendojmë se për afrimin e Serbisë me Bashkimin Evropian është shumë e rëndësishme që Serbia të sillet në mënyrë konstruktive dhe evropiane."

Por vëzhguesit nuk parashikojnë se Westerwelle do të arrijë ta lëvizë Beogradin. Të premten Westerwelle do të jetë në Prishtinë, ku bisedat pritet të jenë relativisht harmonike. Zëvendëskancelarit gjerman do t'i jepet nderi të mbajë edhe një fjalim në Parlamentin e Kosovës. Më pas ai do të bëjë edhe një vizitë të shkurtër tek ushtarët e gjermanë të KFOR-it në Prizren.

Shpresa për më shumë angazhim në Ballkan

Edhe pse ky udhëtim i parë i Ministrit Gjerman të Punëve të Jashtme në Evropën Juglindore nuk pritet të sjellë ndonjë përmirësim të gjendjes, ai vlerësohet në përgjithësi si shenjë e mirë. Gerald Knaus, nga Nisma Evropiane për Stabilizim, ESI, thotë se është shumë e rëndësishme që sidomos Gjermania të dërgojë një sinjal pozitiv për perspektivën evropiane të këtyre vendeve. "Pa konkretizim të perspektivës evropiane, nuk mund do të ketë zgjidhje të problemeve të shumta në rajon".

Bernd Posselt, deputet bavarez në Parlamentin Evropian kritikon faktin që Gjermania - dikur motori i zgjerimit - tani pothuajse e ka lënë pas dore Ballkanin. "Shpresoj që ky udhëtim të mos bëhet vetëm për të pasur ca fotografi më shumë, por ta kthejë sërish Ballkanin në prioritet të politikës gjermane".

Autor: Anila Shuka/Berlin

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 25.08.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/OvWV
  • Data 25.08.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/OvWV