1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Udhëtim pa pengesa

Fund i detyrimit për vizë për në hapësirën e Shengenit: Turqia kërkon nga BE lehtësi për qytetarët e saj.

Ekstrakte të llogarisë bankare, dëshmi për rrogën, deklarata të pagimit të taksave, kontratë e qirasë, kopje nga regjistri i pasurive të paluajtshme, sigurimi shëndetësor, biletë kthyese. Ai që do të futet në hapësirën e Shengenit dhe i duhet për këtë një vizë, duhet të pranojë që t'ia kontrollojnë me shumë imtësi jetën private. Që prej vitit 1980 këto kushte dhe të tjera vlejnë edhe për shtetasit turq. Aplikuesit e përshkruajnë procedurën si poshtëruese, nervangritëse dhe shumë të kushtueshme. Lajmi i dakordimit midis BE dhe Ankarasë do t'i gëzojë pra shumë turq. Sepse tani ata mund të shpresojnë që të udhëtojnë pa viza që prej fundit të qershorit në 26 shtetet anëtare të Shengenit.

Për qeverinë e Ankarasë ky është njëri nga synimet më të rëndësishme politike. Kryeministri Ahmet Davutoglu tha para pak kohësh në parlament: "Kjo është një ëndërr 50, 60 vjeçare për qytetarët tanë."

Qëndrim 90 ditësh në hapësirën e Shengenit

Shumë gjëra flasin pro heqjes së pengesave burokratike. Më shumë se 90 përqind të turqve që aplikojnë për vizë në konsullatat gjermane në Ankara, Stamboll dhe Izmir u miratohet kërkesa. Përpunimi i kërkesave mban të lidhura vetëm në Konsullatën e Përgjithshme të Stambollit më shumë se 30 vende pune.

Kështu që mbështetësit e heqjes së vizave heqja e vizave u duket hap logjik. Gjithsesi bëhet fjalë vetëm për qendrime të shkurtra prej 90 ditësh, në një hapësirë prej 180 ditësh.

Drojat se Turqia mund të depërtojë në këtë mënyrë masivisht në tregun e punës të BE dhe t'i rëndojë sistemet e këtushme sociale, janë pra të pajustifikuara. Gökay Sofuoglu, Kryetar Federal i Komunitetit Turk në Gjermani e konfirmon këtë. "Gjermania nuk ka fuqi tërheqëse, aktualisht Turqia ofron perspektiva ekonomike të mjaftueshme."

Luftë kundër korrupsionit për heqjen e vizave

Në deklaratën e Brukselit flitet për heqjen e vizave "më e vonta në fund të qershorit 2016". Por për këtë Turqisë i duhet të plotësojë 72 kushte. Midis të tjerash ajo duhet t'i përshtasë sistemet e saj të të dhënave dhe kërkesat për pasaportat me standardet e BE. Por kërkesa ka edhe përsa i përket bashkëpunimit me vendet fqinje Qipro dhe Bullgari.

Prandaj ekspertë si Alper Ecevit nga katedra për marrëdhëniet e BE në Universitetin Bahcesehir të Stambollit thonë se për këtë arsye data e përcaktuar është iluzore. Në një intervistë me "Deutschlandfunk" ai tërhoqi vëmendjen se këtu bëhet fjalë edhe për probleme të politikës së brendshme, si lufta kundër korrupsionit dhe kriminaliteti i organizuar. "Të gjitha ata që e njohin Turqinë, e dinë se problemet tani nuk mund të zgjidhen brenda tri muajve", thotë Ecevit.

Nga frika e këtyre problemeve të brendshme, skeptikët, si kryeministri i Bavarisë, Horst Seehofer e kundërshtojnë heqjen e plotë të vizave për Turqinë. Nëse hiqen vizat, kjo duhet të vlejë për përfaqësuesit e ekonomisë, tha ai. Konkretisht ai ka përmendur problemin kurd. 350.000 kurdë janë zhvendosur nga Juglindja e Turqisë për shkak të dhunës. Pa viza ata mund të hyjnë në hapësirën e Shengenit dhe të kërkojnë azil.

Se çfarë do të thonë konkretisht lëshimet e së premtes, kjo pritet të precizohet ditët në vazhdim. Në fund të prillit, Komisioni Evropian do të paraqesë një rekomandim për faktin nëse Turqia i plotëson kushtet e nevojshme për heqjen e vizave.