1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Udhëheqësit kosovarë: EULEX-i nuk ka kompetenca ekzekutive

Misioni EULEX në Kosovë pritet të nënshkruajë një protokoll për luftën kundër krimit me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë. Udhëheqësit kosovarë thonë se EULEX-i mbështet, jo zëvendëson institutucionet kosovare

Policë të Misionit të EULEX-it në Kosovë

Policë të Misionit të EULEX-it në Kosovë

EULEX-i thotë se ka mandat që të nënshkruajë protokolle bashkëpunimi në emër të EULEX-it dhe për sundimin e ligjit

Krerët e misionit të BE-së për Polici dhe Drejtësi, EULEX thonë se ky mision nuk nënshkruan asnjë marrëveshje në emër të Kosovës, por ka mandat që të nënshkruajë protokolle bashkëpunimi në emër të misionit EULEX dhe për çështje që lidhen me sundimin e ligjit.

Udhëheqësit kosovarë: EULEX-i nuk mund të nënshkruajë marrëveshje në emër të Kosovës

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, nga ana e saj, ka thënë se teksti i protokollit për bashkëpunim policor në mes të EULEX-it dhe Serbisë është afër përfundimit dhe së shpejti do të nënshkruhet nga palët.

Por paralajmërimi se EULEX-i do ta nënshkruajë këtë protokoll bashkëpunimi me Ministrinë e Punëve të brendshme të Serbisë nxiti reagime të ashpra të udhëheqësve politik kosovarë. Ata bënë të qartë se misioni EULEX nuk mund të nënshkruajë marrëveshje në emër të Kosovës.

Këto reagime bënë që shefi i misionit EULEX, Yves de Kermabon të ndërpresë pushimet, të kthehet në Kosovë dhe të kërkojë takim urgjent me udhëheqësit politik kosovarë. Takimi do të zhvillohet të enjten në Prishtinë. Yves de Kermabon, me të arritur në Kosovë lëshoi një deklaratë të shkruar për media, ku thotë se nënshkrimi i marrëveshjeve për bashkëpunim me ministritë përkatëse të rajonit nuk është e pazakontë, pasi marrëveshje të ngjashme janë nënshkruar edhe më Maqedoninë, Malin e Zi dhe Shqipërinë.

Iv de Kermabo: Krimi i organizuar mund të luftohet vetëm përmes bashkëpunimit rajonal

“Krimi i organizuar, kontrabanda dhe trafikimi me qenie njerëzore, drogat dhe armët, të gjitha paraqesin krime serioze të cilat mund të zgjidhen vetëm përmes bashkëpunimit rajonal. Në mënyrë që kriminelët të sillen përpara drejtësisë nevojitet të ketë paraqitje dhe shkëmbim të provave në rajon, ndërsa për ta mundësuar këtë nevojitet krijimi i mekanizmave”, thuhet në deklaratën e Kermabonit.

Por udhëheqësit kosovarë thonë se roli i misionit EULEX në Kosovë është mbështetja dhe mbikqyrja e institucioneve të vendit e jo zëvendësimi i tyre. Kështu thotë Ministri i Punëve të brendshme, Zenun Pajaziti.

Ministri Pajaziti: në asnjë rast EULEX-i nuk ka kompetenca ekzekutive

“Diçka duhet të jetë e qartë dhe kjo është të kuptuarit drejt të misionit të EULEX-it. Ky misioni është instaluar në Kosovë për t'i mbështetur institucionet kosovare dhe shoqërinë e këtushme e dhe në asnjë rast ky mision nuk ka kompetenca ekzekutive”, thotë ministri Zenun Pajaziti.

Njohës të rrethanave politike në Kosovë thonë se bashkëpunimi ndërmjet EULEX dhe policisë serbe është i përfshirë në planin gjashtë pikësh të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun. Por Ministri i Brendshëm i Kosovës, Zenun Pajaziti thotë se plani gjashtë pikësh nuk do të zbatohet në Kosovë.

“Kjo nuk duhet të ndodhë dhe nuk do të ndodhë. E para, misioni EULEX nuk është mision si ishte misioni i UNMIK-ut, ka politika krejtësisht të tjera, rrethanat në Kosovë nuk janë sic kanë qenë më herët. Pra, këtu nuk ka vend për asnjë lloj spekulimi, që të bëjnë të mendosh për projekte të mëhershme, të cilat një nga një kanë dështuar”, thotë ministri Pajaziti.

Pajaziti: institucionet e Kosovës nuk obligohen të përfillin asnjë marrëveshje, e cila nuk nënshkruhet nga ato

Sidoqoftë akoma është e paqartë, nëse vërtet misioni EULEX do të arrijë të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë, megjithë këto reagime të Prishtinës zyrtare. Mirëpo një gjë është e qartë. Ministri Zenun Pajaziti thotë se institucionet e Kosovës nuk obligohen të përfillin asnjë marrëveshje, e cila nuk nënshkruhet nga ato.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Auron Dodi

DW.COM

  • Data 19.08.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JELF
  • Data 19.08.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JELF