1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Udhëheqësi i opozitës - kryeministri i ri rumun

Pas rrëzimit të qeverisë së qendrës së djathtë në Bukuresht me anë të një vote mosbesimi të opozitës, kreu i shtetit Traian Băsescu ka emëruar socialdemokratin opozitar Victor Ponta si kryeministër të ri.

Vota e mosbesimit rrëzoi qeverinë

Vota e mosbesimit rrëzoi qeverinë

Ky vendim u bë i ditur vetëm pak orë pas votës së mosbesimit. Gjashtë muaj para zgjedhjeve parlamentare të planifikuara për në nëntor, udhëheqësi i opozitës, 39-vjeçari Victor Ponta, ka tani për detyrë të formojë një kabinet të ri. "Për Rumaninë nuk ka arsye për panik", deklaroi presidenti i shtetit Traian Băsescu pas rrëzimit të qeverisë. "Gjithçka sillet brenda një kornize demokratike dhe është në kontroll, për sa i takon sigurisë së shtetit tonë." Në të njëjtën kohë ai siguroi se ministria rumune e Financave ka "rezerva financiare solide, me ndihmën e të cilave vendi mund të përballojë çdo lloj zhvillimi".

Vendim i papritur

Vendimi i Băsescut i zuri të papërgatitur përkrahësit e tij: Jo më larg se vitin e kaluar ai pati deklaruar se nuk do ta emëronte kurrë si kryeministër kryetarin e socialdemokratëve Victor Ponta. Tani presidenti rumun pohon se "opsioni Victor është krejt i ligjshëm", meqenëse ai është kandidati i një shumice të re parlamentare.

Presidenti Traian Băsescu i jep shanse opozitës

Presidenti Traian Băsescu i jep shanse opozitës

Pra, në Bukuresht ngjau më 27 prill në më pak se dhjetë orë një ndryshim politik spektakolar. Pas kësaj fshihet trysnia e madhe që ushtroi opozita mbi qeverinë. Ndër të tjera ajo u akuzua për mungesë transparence gjatë privatizimit të ndërmarrjeve shtetërore. Përveç kësaj qeveria u fajësua se gjatë ndarjes së fondeve publike ka favorizuar qytete që drejtohen nga kryetarë bashkish të partisë qeveritare liberaldemokrate. Opozita përbëhet nga një koalicion prej dy partish me sfonde dhe programe krejt të ndryshme: socialdemokratët (PSD) dhe nacionalliberalët (PNL).

Qeveria jetëshkurtër e Ungureanut

Qysh në janar dolën në rrugë mijëra vetë në Rumani, për të demonstruar në të gjitha qytetet e mëdha kundër qeverisë dhe presidentit Traian Băsescu. Ata protestuan kundër programit të ashpër të kursimeve, i cili parashikon ndër të tjera uljen e pagave në shërbimin publik me 25 për qind. Zemërimi i tyre u përforcua edhe prej faktit që presidenti refuzonte vazhdimisht të zhvillonte dialog me opozitën, e cila ishte për programe kursimi më pak drastike. Qysh në fillim në vitit 2012 sondazhet treguan se më pak se 10 për qind e shtetasve i besonin presidentit dhe qeverisë së tij liberaldemokrate.

Mihai Razvan Ungureanu nuk e fitoi dot besimin e rumunëve

Mihai Razvan Ungureanu nuk e fitoi dot besimin e rumunëve

Në fund të shkurtit pati dhënë dorëveqjen qeveria i Partisë Liberaldemokrate (PDL) nën kryeministrin e atëhershëm Emil Boc. Pasardhësi i tij, ish-shefi i shërbimit të fshehtë Mihai Răzvan Ungureanu, planifikoi ta vazhdonte programin e reformave dhe të privatizimit, për të cilin ishte marrë vesh paraardhësi i tij në post dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Rumunët humbasin besimin tek qeveria

Në të njëjtën kohë Ungureanu deklaroi se donte t'i ngrinte pagat në sektorin publik në nivelin e kohës para krizës. Me gjithë këto paralajmërime optimiste, edhe më shumë qytetarë vazhduan të humbasin vesimin në qeverinë e tyre: sipas sondazheve, më shumë se 50 për qind e rumunëve kanë ndër mend të votojnë për opozitën. Në këto rrethana të vështira partia qeveritare konservatore humbi brenda pak javësh dhjetë deputetë në parlament dhe duzina kryetarësh bashkish e politikanësh, të cilët kaluan në kampin e opozitës.

Autor: Horaţiu Pepine/Elert Ajazaj

Redaktoi: Lindita Arapi