1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Uashingtoni dhe Berlini dënojnë ashpër provën bërthamore të Koresë së Veriut

Edhe pse qeveria e SHBA-së reagoi menjëherë pas provës bërthamore të Koresë së Veriut, në të vërtetë Uashingtoni nuk e di se si mund të ndalohet Pheniani.

Flamuri amerikan dhe protesta ndaj Koresë se Veriut

Përfaqësuesit zyrtarë të Phenianit ua bënë të ditur qeverive në Uashington dhe Pekin planin për një test bërthamor vetëm rreth një orë përpara kryerjes së shpërthimit.

Se sa seriozisht e merr qeveria amerikane provën bërthmore të Koresë së Veriut duket nga reagimi i shpejtë i Shtëpisë së Bardhë. Ndërkohë që në SHBA të hënën në mëngjes (25.5.) të gjithë ende flinin, presidenti Barack Obama nxori një deklaratë me shkrim, në të cilën kritikohej prova bërthamore e vendit komunist. të hënën paradite (25.5.) Obama doli edhe personalisht përpara shtypit në kopshtin e trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë:


"Programi bërthamor koreano-verior është një rrezik i madh për paqen dhe sigurinë në të gjithë botën", u shpreh presidenti i SHBA-së.


Në deklaratën e tij të shkurtër Obama e dënoi ashpër këtë mënyrë të vepruari pa respekt ndaj bashkësisë ndërkombëtare. Testi është një shkelje flagrante e së drejtës ndërkombëtare dhe në kundërshtim me deklaratat e mëparshme nga Pheniani, tha ai.


Përfaqësuesit zyrtarë të Phenianit ua bënë të ditur qeverive në Uashington dhe Pekin planin e Koresë së Veriut për një test bërthamor vetëm rreth një orë përpara kryerjes së shpërthimit. Japonezët nuk u lajmëruan fare. Shefi i shtabit të përgjithshëm të SHBA-së, Michael Mullen, ishte shprehur qysh disa ditë më parë për një test të mundshëm.


Pra për qeverinë e SHBA-së testi i dytë bërthamor nëntokësor i Koresë së Veriut që prej vitit 2006, nuk ishte i papritur. Megjithatë mëdyshjet dhe hutimi për mënyrën se si duhet trajtuar më tej Koreja e Veriut është i dukshëm. Përzierja e masave të përdorura nga bashkësia ndërkombëtare vitet e kaluara për ta sjellë Korenë e Veriut në rrugën e arsyes, sanksione ekonomike dhe ndihma humanitare, nuk pati sukses. Kështu presidentit Obama në paraqitjen e tij të shkurtër në Uashington nuk i mbeti gjë tjetër veçse t'i bënte të qartë edhe njëherë regjimit të Phenianit se sa i vetmuar është:


"Koreja e Veriut jo vetëm është e izoluar por ndodhet nën një presion gjithnjë e më të madh ndërkombëtar. Kjo u bë e qartë edhe gjatë natës kur Kina, Rusia, Koreja e Jugut dhe Japonia arritën në të njëjtin përfundim: Koreja e Veriut nuk do të arrijë as siguri dhe as respekt përmes kërcënimeve me armë të paligjshme.


Obama njoftoi se do t'i dyfishojë përpjekjet e tij diplomatike. Askush nuk pret që SHBA-ja të veprojë ushtarakisht kundër Koresë së Veriut. Në Uashington është i madh shqetësimi se Koreja e Veriut mund t'ua shesë të tretëve armët e saj bërthamore, p.sh. grupeve terroriste apo vendeve të cilat nuk kanë qëndrim miqësor ndaj SHBA-së, si p.sh. Sirisë. Për këtë arsye presidenti Obama theksoi:


"Ne nuk do të lëkundemi asnjëherë kur është fjala për të mbrojtur popullin tonë dhe paqen e sigurinë në botë."


Por shumë ekspertë në Uashington ngrenë pyetjen se si mund t'i gjehet ana regjimit të Penianit. Rezultati i vetëm i sanksioneve ekonomike disa vjeçare ka qenë mungesa e ushqimit të mjaftueshëm e për pasojë uria për rreth 23 milionë koreanoveriorët. Kim Jong Il, pushtetmbajtësi totalitar në vend deri tani nuk ka treguar asnjë reagim ndaj sanksioneve.


Edhe Berlini zyrtar reagoi me indinjatë të fortë ndaj testit bërthamor të Koresë së Veriut. Ministria e Jashtme u shpreh për një "provokim të papërgjegjshëm". Testi u dënua edhe nga kancelarja gjermane Angela Merkel:


"Duhet të bëjmë ç'është e mundur që negociatat të rifillojnë dhe t'u jepet fund veprimeve të njëanshme të Koresë së Veriut."


Kancelarja gjermane ka parasysh këtu të ashtuquajturat bisedime gjashtëpalëshe mbi programin bërthamor koreano-verior, në të cilat veç vendit komunist marin pjesë edhe Koreja e Jugut, Kina, Japonia, Rusia dhe SHBA-ja. Koreja e Veriut i braktisi negociatat në muajin prill pasi Këshilli i Sigurimit dënoi lëshimin e një rakete nga vendi komunist.

Autor: Anna Engelke/Nina Wekhäuser/Eliana Xhana
Redaktoi: Pandeli Pani

  • Data 26.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HxW6
  • Data 26.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HxW6