1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

U21: Kosova ndeshet me Gjermaninë

Kombëtarja e Kosovës U21 do të ndeshet sonte me Gjermaninë në Osnabrück, në kuadër të kualifikimeve për KE. Gjermania si kampione e Evropës është favorite, por...

Ekipi U21 i Kosovës ka shënuar këto ditë fitore sensacionale 3-2 në ndeshjen kundër Norvegjisë, në stadiumin "Adem Jashari” në Mitrovicë. Dhe në këtë mënyrë është vënë në pozitën e parë të tabelës në Grupin 5. Pas tre ndeshjeve të zhvilluara, skuadra ka shënuar dy fitore dhe një humbje. Për Gjermaninë ndeshja në Osnabrück është e para në këtë grup, por ajo fillon kualifikimet si favorite kryesore e grupit, për shkak të kualitetit dhe faktit që ajo e mbron këtë titull të fituar para dy muajsh.

Gjermania para ndeshjes së parë

Mirëpo Gjermania dhe trajneri Stefan Kuntz kanë formuar tani një ekip të ri, pasi shumë prej lojtarëve që kanë fituar titullin e Kampionit Evropian, e kanë kaluar moshën e lejuar. Ndeshja me Kosovën do të jetë testi i parë serioz, pas një ndeshje të humbur miqësore të Gjermanisë nga Hungaria (1:2).

Deutschland Kassel - Fussball - Stefan Kuntz beim Spiel gegen Deutschland vs Slowakai (picture-alliance/dpa/S. Pförtner)

Stefan Kuntz

Trajneri Kuntz thotë se nuk duhet të pritet ndonjë mrekulli, por kërkon që Gjermania të fitojë këtë ndeshje kundër Kosovës dhe në mënyrë të suksesshme të fillojë misionin e mbrojtjes së titullit të kampionit. "Dua të shoh një përmirësim të lojës, në krahasim me ndeshjen kundër Hungarisë", tha Stefan Kuntz. Në ekipin e Gjermanisë do të ketë 14 debutantë (për herë të parë në këtë formacion).

Kosova për herë të parë në kualifikime

Mediat gjermane bëjnë të ditur se Kosova paraqitet për herë të parë në kualifikime të tilla, por rezultatet e para tregojnë se ky vend i vogël i Ballkanit ka shumë talente. Ekipi i Kosovës ka fituar dy herë kundër Norvegjisë. "Në fakt për këtë ndeshje nuk mund të përjashtohet asgjë", thotë Kuntz i cili nuk di shumë për Kosovën. Ndërsa kapiteni Thilo Kehrer thotë se për Gjermaninë është me rëndësi që prej minutës së parë të tregojë se kush do të fitojë. Kapiteni i parë i Gjermanisë në këtë grupmoshë, Jonathan Tah është dëmtuar në ndeshjen miqsore kundër Hungarisë, ndërsa dy lojtarë cilësorë, Mahmoud Dahoud dhe Felix Platte kanë munguar në stërvitje. Ndeshja fillon në orën 18:00 në Osnabrück.