1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

U mbajt seanca konstituuese e parlamentit të ri gjerman

Norbert Lammert rizgjidhet kryetar i parlamentit

default

Kryetarja e CDU-së, kancelarja Angela Merkel uron gjatë mbledhjes konstituuese të parlamentit në Berlin kryetarin e rizgjedhur Norbert Lammert.

Politikani Kristiandemokrat Norbert Lammert u rizgjodh sërish në postin e kryetarit të parlamentit të ri të Gjermanisë. Për 60 vjeçarin votuan të martën në Berlin 522 nga 617 deputetët e parlamentit të 17-të, të dalë nga zgjedhjet e 27 shtatorit. Politikani kristiandemokrat nga Bohumi është qysh prej shtatë vjetësh anëtar i kryesisë së Bundestagut, në fillim si zëvendëskryetar, ndërsa që nga viti 2005 e këtej si kryetar i parlamentit.

Presidenti i Budnestagut të ri Gjerman është sërish Norbet Lammert: i komunikueshëm, me humor dhe ironi, por edhe gjuhë-mprehtë në kritikë. I tillë u paraqit profesori i shkencave sociale edhe gjatë fjalimit të tij, menjëherë mbas zgjedhjes. Fjalë të ashpra drejtoi ai në adresë të kanaleve televizive kryesore publike, për faktin që në vend që të transmetonin drejtpërsëdrejti seancën konstituuese të parlamentit, dhanë telenovela dhe filma artistikë. "Nuk kam asnjë lloj mirëkuptimi, kur një televizion që financohet nga taksat publike e që e ka këtë privilegj vetëm për shkak të detyrës së tij informuese, në një ditë si kjo e sotmja i jep përparësi argëtimit para informacionit", tha Lammert në adresë të ARD-së dhe ZDF-së.

Plenarsaal des Bundestages konstituierende Sitzung

Seanca e 27 tetorit e parlamentit

Bundestagu zgjodhi edhe pesë nënkryetarët e Lammertit, nga një për secilin grup parlamentar. Wolfgang Thierse-n nga Partia Socialdemokrate, Gerda Hasselfeld-in nga Unionin Kristiansocial, Herrman Otto Solms-in nga liberalët, Petra Pau-n nga E Majta dhe Katrin Goering Eckart-in, nga Të Gjelbrit. Seanca e dytë e parlamentit të ri do të zhvillohet të mërkurën. Në agjendën e saj është betimi i qeverisë së re të kancelares Angela Merkel.

Lammert ndër politikanët që kanë vizituar Shqipërinë

Nuk ndodh shpesh që një politikan i rangut kaq të lartë, siç është ai kryetarit të parlamentit të Gjermanisë, personi i dytë për nga rëndësia pas presidentit, ta ketë dhëndrin shqiptar. Vetëm disa muaj pas zgjedhjes së tij në postin e kryetarit të parlamentit, ai i bëri ftesë që të vinte në Gjermani homologes të tij shqiptare Jozefina Topalli. Dy vjet më vonë, në maj të vitit 2008, Lammert do të ishte një nga politikanët gjermanë të paktë të rangut të lartë që do vizitonin Shqipërinë në katërvjeçarin e kaluar. Dashamirës dhe mirëkuptues tregohet Lammert në deklaratat e tij për ecurinë e Shqipërisë drejt Evropës: "Më kujtohet fare mirë se si Shqipëria për një kohë shumë të gjatë, në Evropën Perëndimore konsiderohej si prototip i vendit të prapambetur dhe të izoluar", do të thoshte ai asokohe në një intervistë me DW. "Ajo çka më bën përshtypje të veçantë është se sa shumë ka ecur Shqipëria në rrugën e kthimit të saj në Evropë."

Dashamirës dhe mirëkuptues nga njëra anë, por edhe pedant në anën tjetër, është politikani 60 vjeçar, kur bëhet fjala për plotësimin e kritereve për anëtarësim në Bashkimin Evropian: "Secili vend duhet të përmbushë kriteret për anëtaraësim, këtë nuk mund ta bëjnë vendet e tjera për të", thotë ai në të njëjtën intervistë.

Autore: Anila Shuka

Redaktoi: Elert Ajazaj

  • Data 27.10.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KGuU
  • Data 27.10.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KGuU